Radoiçiqi dhe 44 të tjerë do të përballen me drejtësinë e Kosovës, propozohet gjykimi në mungesë – flasin juristët

Politika

Radoiçiqi dhe 44 të tjerë do të përballen me drejtësinë e Kosovës, propozohet gjykimi në mungesë – flasin juristët

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 12 shtator 2024 Në ora: 21:01
Milan Radoiçiq

Më 24 shtator 2023, në veri të Mitrovicës, saktësisht në Banjskë, serbët, në krye me Milan Radoiçiqin, kryen një sulm terrorist, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunajku.

Serbia automatikisht u distancua nga ky sulm, ndërsa përgjegjësinë për të e mori Radoiçiqi, i cili u pa në video dhe foto dhe më pas iku nga Kosova.

Pas një viti, siç duket, pritja ka marrë fund.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, të mërkurën në një konferencë ka deklaruar se është ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për 45 të pandehurit e përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, përfshirë edhe Milan Radoiçiqin.

Në aktakuzën e publikuar thuhet se: “Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’ rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile”.

Jashari: Nëse të akuzuarit nuk janë prezentë, atyre mund t’u bëhet gjykimi në mungesë

Avokati Arbër Jashari në një bashkëbisedim për “Bota sot”, thekson se prokuroria duhet t’i shterojë mjetet që të akuzuarit të arrestohen dhe të gjykohen për sulmin.

Image
Avokati Arbër Jashari

Sipas tij, nëse kjo nuk është mundur avokati thotë se mund të zhvillohet edhe gjykimi në mungesë.

“Tash mbetet që Prokuroria t’i marr të gjitha masat, dhe t’i shterojë të gjitha mjetet për sigurimin e prezencës së tyre në procedurë, gjegjësisht arrestimin e tyre. Në rast se diçka e tillë është e pamundur, atëherë mund të zhvillohet edhe gjykimi në mungesë, konform kushteve që ka parapa Kodi i Procedurës Penale.

Duhet të lëshohen letër-rreshtime ndërkombëtare për të gjithë të akuzuarit dhe t’i bëhet presion Serbisë përmes faktorit ndërkombëtar për dorëzimin e tyre”, deklaron avokati.

Bajraktari: Aktakuza u ngrit për më pak se një vit, kjo është për t’u duartrokitur.

Edhe avokati Ardian Bajraktari, nënvizon prokurori i rasti duhet t’i marrë veprimet e duhura të parapara me ligj, që ata të jenë prezentë, e në rast se ata nuk mund të jenë prezentë në procedurë, atëherë atyre mund të vazhdohet gjykimi në mungesë.

Ai po ashtu shton, se kjo çfarë ka bërë Prokuroria për ngritjen e një aktakuze kaq komplekse është për t’u duartrokitur.

Image
Ardian Bajraktari

“Fillimisht duhet thënë se aktakuza është ngritur brenda një afati optimal, për faktin se ky është pa dyshim njëri nga rastet më komplekse, për çka Kodi i Procedurës Penale, për raste të tilla ka paraparë që hetimet mund të zgjasin deri në tri vite, e aktakuza u ngrit për më pak se një vit, kjo është për t’u duartrokitur.

Megjithatë, shpresoj se Prokurori i çështjes, t’i ketë ndërmarrë veprimet e duhura të parapara me ligj, përfshirë përpjekjet e arsyeshme për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë sikurse parashihet me nenin 303, paragrafi 8, të Kodit të Procedurës Penale.

Prokurori duhet ta bindë gjykatën që edhe përkundër këtyre përpjekjeve, ka qenë e pa mundur sigurimi i prezencës së të pandehurve në procedurë, që të mund të vazhdohet gjykimi në mungesë.

Kjo aktualisht është alternativa e vetme për faktin se sigurimi i këtyre të pandehurve është i pamundur ngase fqinj ynë verior vazhdon të jetë strehe për ta”, ka potencuar avokati. 

Curri: Gjykata të lëshojë urdhër arrest dhe të akuzuarit do të arrestohen në momentin që hasen

Po ashtu, avokati tjetër, Agron Curri, thotë se gjykata në rast se nuk mund t’i sigurojë të akuzuarit në procedurë penale, atëherë do të lëshohet urdhër arrest dhe të akuzuarit do të arrestohen në momentin që hasen nga institucionet e ndjekjes.

Image
Agron Curri

“Tash që prokuroria ka ngritë aktakuzë në këtë rast, lënda kalon në gjykatë ku aktakuza do të shqyrtohet dhe do të vazhdohet tutje me procedurën penale. Sigurisht që në rast se gjykata nuk do të mundet te siguroje praninë e të akuzuarve në procedurë penale, atëherë do të lëshohet urdhër arrest dhe të akuzuarit do të arrestohen në momentin që hasen nga institucionet e ndjekjes.

Gjykata dhe prokuroria kanë për obligim dhe zbatojnë ligjin në raport me dyshimet për veprat penale që dyshohet se janë kryer në rastin e Banjskës dhe pak ka relevancë se si shihen ato ne aspektin politik.

Sidoqoftë edhe në aspektin politik është pozitive dhe për t’u vlerësuar efikasiteti dhe puna e prokurorisë në hetimin dhe identifikimin e të dyshuarve të këtij rasti”, përfundon avokati për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat