Zgjedhjet e 9 shkurtit, analistët tregojnë se cilat parti kanë nevojë për rifreskim të listave zgjedhore me emra të rinj!

Politika

Zgjedhjet e 9 shkurtit, analistët tregojnë se cilat parti kanë nevojë për rifreskim të listave zgjedhore me emra të rinj!

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 13 shtator 2024 Në ora: 08:03
Foto ilustrim

Javë më parë, as konsultimeve me partitë politike dhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi 9 shkurtin e vitit 2025 datën kur do të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë.

“Presidenca ka vlerësuar se është me rëndësi që fushata zgjedhore të fillojë pas përfundimit të një sërë festash kalendarike të cilat vazhdojnë deri me datën 7 janar. Për më tepër, presidentja Osmani tashmë ka ftuar BE-në që të dërgojë një mision për vlerësim preliminar, ndërkaq sipas praktikave, do t’i drejtohet sërish BE-së sa i përket misionit vëzhgues, ku do të propozohet që të monitorohet edhe periudha e fushatës, e jo vetëm dita e zgjedhjeve”, tha këshilltari politik i Osmanit, Bekim Kupina pas caktimit të datës së zgjedhjeve.

E analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend po kërkojnë rifreskim të listave me kandidatë për deputetë nga partitë politike.

Kërkohen kandidatë të rijnë

Madje sipas analistit Blerim Burjani, është pikërisht partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ajo e cila ka nevojë për një listë me emra të rijnë për deputetë.

“Asnjëherë deri me tash nuk ka ndodhë që listat e partive të jenë të boshatisura prej emrave eminent të shoqërisë. VV është subjekt që më së shumti ka nevojë për filtrim dhe për kuadro profesional. Subjekti me i madh politik është i dobët nga aspekti kadrovik, apo shumë i varfër. VV duhet të ketë emra plotësisht tjerë nëse Kurti dëshiron të mbetet në skenë dhe të zgjidhë problemet shoqëror”, shprehet Burjani.

Image
Blerim Burjani

Ai thotë se ndryshime duhet të ketë edhe në partitë tjera.

“Partitë tjera po ashtu kanë vështirësi kadrovike por qëndrojnë më mirë. PDK ende qëndron më mirë dhe LDK po ashtu ka kuadro të vjetër, janë disa deputetë që për një kohë të gjatë riciklohen në cilësinë e deputetit dhe kjo është e kotë, nëse një deputet në dy mandate nuk tregon rezultate pune në Kuvend nuk ka çka më të jetë në listë. Politika nuk është profesion, por mandat qytetar, mund të mos jesh por mund të jesh kjo në LDK nuk kuptohet pra lëshojnë njerëz plotësisht të ri dhe profesional të kenë qasje në cilësi deputetëve”, shton Burjani.

Siç thotë ai, gjendja më e keqe është në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, parti në të cilën, sipas Burjanit vendosin vetëm Haradinajt.

“AAK është subjekt politik i një njeriu, aty asnjëherë nuk ka pas ndryshime kurrfarë, përderisa janë dy Haradinajt aty, reformë s’do ketë kurrë. Deri më tash që kur janë shpallë zgjedhjet nuk ka njerëz të rinj që kanë deklaruar partitë normal që partitë dhe listat e tyre duhet të përbehen nga njerëz pa të kaluar kriminale, fatkeqësisht gjithmonë në lista ka pasur njerëz të dyshimtë dhe njerëz me prejardhje kriminale, gabimi më i madh është bërë duke mos u distancuar nga njerëz keqbërës”, deklaron Burjani.

“PDK dhe AAK, në vend distancimi e kanë vazhduar këtë traditë të keqe, të shpresojmë se kësaj herë kjo nuk do të ndodhë, edhe VV ka disa individë që janë përfolur dhe ka dyshime të bazuara që janë involvuar në tenderë një burimor, punësim në ndërmarrje publike, dhe punësime në borde, njëjtë ka vepruar edhe VV, e që tash me e ka humb besimin qytetari që mund të gjej punë në shërbim civil e sidomos në ndërmarrje publike që janë shumë profitabile, i është bërë shumë profesionisteve dhe shtetit dëm në punësim në ndërmarrje publike”, përfundon analisti Blerim Burjani.

Aderime të reja

Kurse Faton Mehmeti, analist politik, thotë se para zgjedhjeve të 9 shkurtit, do të ketë shumë aderime nëpër parti politike, duke veçuar Vetëvendosjen.

“Pres që të ketë aderime nga subjekte të ndryshme politikë, më së shumti nga VV pasi mundësia për tu bërë deputet është më e madhe. Pres që të ketë shumë aderime por cilësia është në pikëpyetje”, shprehet Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

“Kështu që pres të ketë dyndje të mëdha tek të rinjtë si mundësi për tu ngritur në karrierë, ndonëse kjo nuk nënkupton edhe pasurim të skenës politike. Nga nëntori pritet të ketë prezantime të reja të kuadrove të reja me shpresën se do te ngjitën në karrierë, në këtë mes politikanët shpresojnë se sa më shumë aderime më shumë vota. Edhe pse kjo nuk garanton suksese”, përfundon analisti Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat