Është iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të BP në Bashkim Evropian, por Procesi i Berlinit tani mund të mbetet pa një vend dhe kjo për shkak të mundësisë së përjashtimit të Kosovës nga ky proces.
Se Kosova mund të përjashtohet nga ky proces e ka konfirmuar vetë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila në një intervistë për median vendore ka thënë se një largim i tillë mund të ndodhë nëse nuk bëhet kompromis për CEFTA – për zhbllokimin e mallrave serbe.
“Unë, së pari angazhohem që të bindet Gjermania që Kosovën mos ta largojnë …
E dyta, unë propozoj nja 10 fjali të ndryshme që e arrijnë qëllimin e Kosovës- po duket në dukje të parë që janë kompromis, sepse mund të gjendet rrugë e përbashkët”- ka thënë Osmani, duke shtuar se Kosova duhet të këmbëngulë në propozime të reja lidhur me çështjen e CEFTA-s.
Piraj: Sa më gjatë të mos lejojmë Serbinë të eksportojë produkte në Kosovë, aq më mirë do të bëjmë për ekonominë e vendin
Biznesmeni Burim Piraj, nuk e konsideron të humbur Kosovën nëse largohet nga ky proces.
Piraj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se Kosova nuk ka qenë e barabartë në këtë proces dhe se Serbia është ajo që bllokon mallrat e Kosovës.
“Kosova ka qenë jo e trajtuar barabartë në Procesin e Berlinit, ashtu edhe në CEFT-ta dhe në të gjitha proceset tjera. Nuk ka Kosova çka humb nëse largohet nga Procesi i Berlinit për arsye se me të gjitha vendet e tjera, ka marrëdhënie të mira, përpos me Serbinë. Edhe nuk është Kosova ajo që i ka bllokuar mallrat e Serbisë, por është Serbia ajo që nga çlirimi i vitit ‘99, i ka bllokuar të gjitha mallrat e Kosovës, edhe ne nuk kemi gjasa teorike te eksportojmë nëpër Serbi asnjë produkt nuk shkon në Serbi pa barriera të ndryshme jo tarifore dhe kthehen prapë, nga ana tjetër edhe në qoftë se Serbi ndokush është i interesuar, qe ne kemi pasur nga Novi Pazari kompani për importin e produkteve Meka, e kanë kthyer kamionin prapë pa kurrfarë shpjegimi që ajo nuk do të duhej të ndodhte dhe nuk do të duhej edhe dogana e Kosovës të lejonte të kthehet ashtu, mirëpo e kanë bërë një gjë të tillë”, shprehet Piraj.
Sipas tij, Kosova tashmë është e përjashtuar nga procesi i Berlinit, sepse ajo nuk ka beneficione as nga CEFTA, as nga ai Proces.
“Prandaj, unë nuk shoh humbje në qoftë se Kosova përjashtohet nga procesi i Berlinit për arsye se Kosova është e përjashtuar nga procesi i Berlinit dhe kurrë nuk ka pasur kurrfarë beneficioni, as nga CEFTA, as nga Procesi i Berlinit dhe këto procese që e trajtojnë Kosovën në të një anshme e kanë penguar zhvillimin ekonomik të vendit. Kjo që ka ndodhur me bllokimin e importeve nga Serbia, e kanë mundësuar në një farë forme zhvillimin pak më të hovshëm ekonomik të produkteve vendore importuese. Prandaj, unë nuk po shoh kurrfarë rreziku, edhe nëse ne përjashtohemi nga Procesi i Berlini, ajo do të jetë në favorin tonë, sepse kurrgjë nuk do të ndryshojë, sa më gjatë që të mos lejojmë Serbinë të eksportojë produkte në Kosovë, aq më mirë do të bëjmë për ekonominë e vendin, por edhe mos zhvillimin ekonomik të Serbisë që blen çdo ditë e më tepër armatim”, shton biznesmeni.
Për mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga ky proces, ka folur të mërkurën edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili ka thënë se është pa tekst nëse Kosova mund të përjashtohet për shkak të refuzimi që t’i heqë masat e sigurisë ndaj mallrave serbe siç ka kërkuar Gjermania përmes emisarit Manuel Sarrazin.
Në raste të tilla, sipas tij, Kosova s’ka rrugë tjetër veçse “të luftojë”.
“Kosova nuk trajtohet e barabartë në procesin e dialogut. Serbia trajtohet ndryshe, Kosova ndryshe. Serbia favorizohet dukshëm në procesin e dialogut. Kjo ka qenë edhe në të kaluarën kështu, por fatkeqësisht po vazhdon edhe sot. E kemi parë gjithmonë dhe po vazhdojmë ta shohim edhe sot. Për këtë arsye do ta thosha që unë s’po them që e përjashtoj këtë mundësi që t’i ndodhë Kosovës, mirëpo ne nuk kemi rrugë tjetër përveçse të luftojmë për të drejtat tona. Kosova dëshiron të vijë në një pikë – e kjo është betejë – dhe në këtë pikë do të vijmë patjetër sepse është betejë e drejtë që sundimi i ligjit mos me qenë destabilizim. Kjo është lufta që po e bën Kosova sot. A ka mundësi të bëjë edhe sundim të ligjit edhe shtrirje të sovranitetit edhe kjo mos me qenë destabilizim? Kjo është betejë e drejtë dhe kësaj s’mund t’i thoni gabim prej anës Kosovës. Ndoshta nuk e kemi gjetur mënyrën më të mirë, do ta përmirësojmë, por drejtimi është i mire”, ka thënë Konjfuca.
Zogaj: Të mos injorohen sinjalet e ndërkombëtarëve
Ndërsa, analisti politik Skënder Zogaj, e konsideron të dramatizuar situatën në veri të Kosovës.
Ai shpreh brengosje për qëndrimin e vendeve që janë meritore për çlirim, liri dhe pavarësinë e Kosovës.
"Dramatizimi i situatës në veriun e Kosovës po ndodh në mënyrë shumë të paqartë, sepse, për situatën atje po jepen informata të ndryshme dhe kontraditore, që publikun e shqetësojnë! Ky shqetësim është dëshpërues sepse "gëzimet" nga institucionet vendore po na i prishin ndërkombëtarët që, janë gjithnjë e më kategorik kundër vendimeve të Kosovës. Së fundit brengos qëndrimi edhe i vendeve të cilat janë meritore për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe, të cilat, çuditërisht, po e ndryshojnë mënyrën e sjelljes, sepse, vërejtjet po i bëjnë publike dhe të formës provokative, me zhargonin : "...Kosova mund të përjashtohet... Kosova nuk është mirë të..., Kosova duhet të kuptojë..., Kosovës nuk i konvenon... "etj., silogjizma që më parë nuk kanë ndodhur e që mendoj se janë sinjal që duhet të mos injorohet!”, deklaron Zogaj.
Ai kërkon që deklaratat për përjashtimin e Kosovës nga Procesi i Berlinit të merren seriozisht.
“Deklarata e Presidentes për mundësinë që Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit, për shkak të mos heqjes së masave ndaj kamionëve me mallra Serbe, duhet të trajtohet seriozisht, sepse, po konsideroj se është informatë e konfirmuar dhe, mos trajtimi i duhur e me kohë, mund të ketë kosto të lartë për Kosovën. Prandaj, uroj që Presidentja ta trajtoj me Kryeministrin dhe të merren vesh si e çka të bëjnë”, përfundon analisti.
Procesi i Berlinit u prezantua më 28 Gusht 2014, nga Kancelarja Gjermane Angela Merkel. Qëllimet e Procesit u përshkruan në Deklaratën Përfundimtare nga Kryesia Gjerman: “Të bëjmë progres shtesë real në procesin e reformës, në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura bilaterale dhe të brendshme dhe në arritjen e pajtimit brenda dhe midis shoqërive në rajon”, si dhe të rrisim “bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe të hedhim bazat për një rritje të qëndrueshme”.
Ndërsa, këto paralajmërime për Kosovën po vijnë para samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet me 14 tetor.