Priten zhvillime të forta në Speciale, ky është “lajm i keq” për gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve!

Politika

Priten zhvillime të forta në Speciale, ky është “lajm i keq” për gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve!

Arife Morina-Mulaku Nga Arife Morina-Mulaku Më 13 shtator 2024 Në ora: 12:09
Thaçi dhe të tjerët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë tash e katër vite po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, me pretendimet se të dyshuarit kanë kryer krime lufte.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ishte konfirmuar më 26 tetor 2020.

Që nga ajo kohë, ky proces gjyqësor është përballur me zhvillime të ndryshme dhe dëshmi të shumta.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Së fundi, dëshmitë kanë filluar të jenë më intezive në Hagë, ku një nga dëshmitarët që dha dëshminë e tij ishte Imer Imeri, vëllai i veprimtarit të vrarë të LDK-së, Haki Imerit.

Dëshmitari Imer Imeri tha në Hagë se heshtja për vrasjet e pasluftës e ka shtyrë që të jetë i hapur me drejtësinë dhe t’i shikonte në sy katër të akuzuarit, pasi sipas tij ata kanë qenë në institucione.

Ai tha se kulmi i të këqijave që i kishin ndodhur ishte vrasja e vëllait të tij.

“Është vështirë me i harru sikur mos të m’u kish vra vëllai, ndoshta isha përpjekë me i harru, por kulmi i të gjithave të këqijave që ma vranë vëllain. Një djalë i një familje kombëtare, një djalë i shkollum, kur u ba me i vy shtetit e vetit me u çua me e vra, me ia marrë jetën edhe me thanë s’di kush e vrau. Këta katërtit janë të institucioneve të Kosovës ku kanë shërby. Me u vra gjithë ata njerëz dhe mos me ditë kush i vra. Heshtje, gjithmonë heshtje. Ajo më ka shty të jem i hapur përpara drejtësisë këtu e t’i shikoj në sy. Jam shumë i kënaqur me juve të nderuar. Zoti qoftë i kënaqur me juve si unë”, tha Imeri.

Kjo dëshmi nxiti reagime të shumta në publik, e që u ndërlidhën me vrasjet e pasluftës.

Një kthesë të madhe, apo më mirë të themi ‘goditje’ këtij gjykimi i dha tërheqja e avokatit Ben Emerson nga ekipi mbrojtës i ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

“Më 21 gusht 2024, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët miratoi përfundimin e përfaqësimit ligjor të Kadri Veselit nga mbrojtësi Ben Emerson. Veseli dhe Emersoni u pajtuan me këtë vendim, duke bërë që Trupi Gjykues të aprovojë përfundimin e përfaqësimit ligjor për arsye të vlefshme. Gjithashtu, Trupi Gjykues u bind se do të sigurohet vazhdimësia e përfaqësimit të Veselit dhe se ndryshimi i kryembrojtësit nuk do të shkaktojë vonesa në procesin gjyqësor”, thuhet në njoftimin e Speciales.

Largimi i Emerson, pritet t’ia vështirësojnë punën Veselit e të tjerëve, pasi ai njihet si një nga avokatët më të fuqishëm dhe më të përgatitur ndërkombëtarë.

Bajraktari: Largimi i avokatëve për çfarëdo arsye nuk është lajm i mirë

E në lidhje me mbarëvajtjen e procesit gjyqësor në Hagë, në një prononcim për “Bota sot” foli avokati, Ardian Bajraktari.

Image
Ardian Bajraktari

Si fillim, ai u shpreh se shpreson që gjatë këtij procesi gjyqësor të konfirmohet pastra e luftës së UÇK-së, derisa tha se largimi i avokatit Emerson nuk është lajm i mirë për të akuzuarit.

“Dëshmitë, me aq sa kam pasur mundësi t’i përcjelli, e kanë konfirmua atë që dihej, faktin se UÇK-ja ka qenë një organizatë guerile, nuk ka pasur një strukturë dhe hierarki komanduese, e besoj se sikurse në dy rastet e mëhershme (Rasti Haradinaj dhe Limaj), edhe në këtë proces do të ri konfirmohet kjo gjë, pra pastërtia e luftës sonë për liri.

Në fazën në të cilën është tashme procesi, tërheqësja e cilido avokat nuk është mirë për procesin, e aq më tepër kur behët fjalë për avokat të kalibrit të z. Emmerson. Largimi i avokatëve për çfarëdo arsye nuk është lajm i mirë, e nëse largimi bëhet për shkaqe financiare, është keq për shtetin dhe shoqërinë, për faktin se ata nuk po ballafaqohen atje me akuza në kapacitete personale, mirëpo si ish krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, andaj sigurimi i mbrojtjes është obligim ligjor, e sigurimi i një mbrojtje sa me kualitative është edhe obligim kombëtar përveç se obligim ligjor”.

Kurse, në rast se mund të ketë ndonjë zhvillim të rëndësishëm në këtë proces, avokati shpreson që të ketë dinamikë më të madhe dhe të jetë sa më transparent.

“Sa i përket ecurisë së procesit gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara, shpresojmë që ky proces të vazhdojë me ritëm më të shpjet, si dhe natyrisht të jetë sa më transparent, për faktin se transparenca, përkatësisht publicitetit i procedurës është nga parimet bazë procedurës penale.

Gjëja më e rëndësishme, e edhe e pritshme është që në fund të procesit gjyqësor, të ri konfirmohet pastërtia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si gjë të cilën e pres. Ajo çka shpresoj të ndodhë është të kemi një dinamikë më të madhe të procesit, në mënyrë që të mos kemi stërzgjatje të procesit, e cila është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare”, përfundoi Ardian Bajraktari për “Bota sot”.

Halilaj: Ne si qytetar dhe si shtet duhet pasur besimin e plotë te kjo gjykate

Kurse, avokati Gazmend Halilaj se tërheqja e Emerson nga roli i tij si avokat i Veselit është normale, deris tha se seancat janë shpeshtuar për shkak të agjendës së trupit gjykues.

Image
Gazmend Halilaj

“Së pari tërheqja e cilido avokat nga mbrojtja e të pandehurve duhet kuptuar si diçka normale.

Tutje, pretendimet që pas tërheqjes së avokatit të z. Kadri Veseli seancat gjyqësore janë shpeshtuar nuk qëndrojnë sepse caktimi dhe mbajtja e seancave nuk varet nga avokatët, por nga dinamika e punës që trupi gjykues ka në agjendën e tij”, u shpreh ai në një prononcim për “Bota sot”.

Po ashtu, foli për mundësi e zhvillimeve të rëndësishme në këtë proces gjyqësor, derisa përmendi faktin se çdo gjë mund të ndikojë në këtë pjesë.

“Ndërsa, përkitazi me pyetjet se, tani a mund të ketë diçka të rëndësishme në këtë proces, realisht nuk kemi asnjë informacion konkret, por në gjykime të tilla, në gjykata të nivelit të tillë, ku bëhet fjalë për betejë tejet të rëndë juridike mes prokurorëve, të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre, aty çdo gjë e ka peshën e saj, dhe çdo gjë është e rëndësishme përfshirë edhe qëndrimi i ulur në karrig të palëve në procedurë dhe të secilit pjesëmarrës”.

Në fund, avokati foli edhe për punën e prokurorëve dhe gjykatësve, derisa tha se duhet të jetë prioritet zbardhja e krimeve.

Ai kërkoi besim te kjo gjykatë dhe t’i ofrojmë të gjithë ndihmë në çfarëdo forme.

 “Mbi të gjitha gjyqtarët dhe prokurorët pranë kësaj gjykate vijnë nga akademi të mëdha, janë tejet të pandikueshëm dhe për ne duhet të jetë prioritet zbardhja e të gjitha krimeve të ndodhura, dhe trajtimi i tyre sipas ligjeve.

Veprat kanë ndodhur, njerëzit janë vrarë, dhe kryesit e këtyre veprave duhet të marrin dënimin e merituar kushdo qofshin ata, pa paragjykuar dhe pa u kufizuar tek asnjë person, pavarësisht çfarë pozite ka pas gjatë apo pas lufte.

Ne si qytetar dhe si shtet duhet pasur besimin e plotë te kjo gjykate dhe duhet t’i ofrojmë gjithë ndihmën e kërkuar secili në formën e tij, ndërsa propaganda e disa grupeve këtu brenda në Kosovë, që po gjykohet lufta, apo nëse dënohen këta individë, Kosova rrezikon të shpërbëhet si shtet, kjo duhet të konsiderohet si gënjeshtra e shekullit”, përmbylli Gazmend Halilaj për “Bota sot”..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat