Kërcënimet e Vulinit, analistët tregojnë qëllimet e tij: Do ta mbyll dialogun paqësor në Bruksel, ta nis atë luftarak në Moskë

Politika

Kërcënimet e Vulinit, analistët tregojnë qëllimet e tij: Do ta mbyll dialogun paqësor në Bruksel, ta nis atë luftarak në Moskë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 13 shtator 2024 Në ora: 14:12
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, u takua më 9 shtator në Moskë me sekretarin e Këshillit të Sigurisë të Federatës Ruse, Sergei Shoigu. Në takimin midis Vulinit dhe Shoigut, sipas njoftimit, u diskutua për "një gamë të gjerë temash me interes të përbashkët për Serbinë dhe Federatën Ruse".

Një nga temat ishte edhe situata në Kosovë, dhe Vulin tha në takim se ajo është "në prag të konfliktit", duke falënderuar Rusinë për respektimin e integritetit territorial të Serbisë.

Ky deklarim erdhi sërish në një situatë jo të mirë për dialogun, në kohën kur Kosova po pretendon të hap urën e Ibrit, e të njëjtën kohë serbët po protestojnë me bllokada e kërcënime në veri.

Mirëpo, marrë parasysh dështimin e dialogut a po krijohet më të vërtetë hapësira për një konflikt çfarë e ka paralajmëruar Vulin?

 A është pikërisht konflikti me Kosovën qëllimi përfundimtar i Serbisë?

Tahiraj: Liderët e Kosovës duhet të kenë kujdes nga deklarata të tilla dhe duhet një koordinim i përhershëm më SHBA-në

Lidhur me këtë çështje, ka folur për ‘Bota sot’, veprimtar i LDK-së në Zvicër dhe ish-bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj, Saim Tahiraj. Ai thotë nëse kjo do të ndodhte në Kosovë, Serbia do të fillonte luftën.

Image
Saim Tahiraj

Sipas tij, nëse Vuҫiq ka marrë përsipër të shkatërrojë Serbinë, ky është lajm i mirë për shqiptarët.

“Sikur kjo do të ndodhë dhe në Kosovë, Serbia do të fillon një luftë të re, po e përsëris se e kam thënë edhe më parë, do jetë fundi i Serbisë. Nëse Vuçiç ka marrë përsipër këtë barrë kaq të rëndë, ta shkatërroj shtetin serbë, si dikur mësuesi i tij Millosheviq që shkatrroj Jugosllavinë, kjo do ishte lajmi më i mirë për shqiptarët”, vlerëson Tahiraj.

Tutje, ai thotë se nëse ndodhë kjo, do të hapet rruga e krijimit të Shqipërisë Etnike.

“Unë do uroj që kjo të ndodhë, dhe nëse kjo ndodhë do hapet rruga e krijimit të SHQIPËRIS ETNIKE, një ëndërr e kamotshme e shqiptarëve. Por duke analizuar situatën politike në botë dhe interesat gjeopolitike dhe gjeostrategjike të fuqive të mëdha botërore, nuk besoj që kjo të ndodhë, së paku jo shpejt”, thotë ai.

Tahiraj thotë se, liderët e Kosovës duhet të kenë kujdes nga deklarata të tilla dhe duhet një koordinim i përhershëm më SHBA-në.

“Lidershipi i shtetit të Kosovës nuk duhet të mashtrohet me deklarata të tilla populiste për marketing të brendshëm serb, apo gjëja se, edhe si një frikësim për Bashkësinë Ndërkombëtare. Na duhet më tepër se kurrë një koordinim i përhershëm me SHBA dhe asnjë aventurë populiste për përfitime elektorale”, vlerëson ai.

Mehazi: Qëllimi i Serbisë tog me Rusinë është që t'ia prishin rehatinë BE-së me anë të një konflikti në Kosovë

Po ashtu, për këtë çështje ka folur edhe profesori nga Maqedonia e Veriut, Sulejman Mehazi. Ai thotë se, shkuarja e zëvendëskryeministrit serb, Aleksandar Vulinit, në Moskë dhe takimi me Sekretarin e Këshillit të Sigurisë të Federatës Ruse, Sergei Shoigu, më shumë është i dëmshëm e kundër koalicioneve proukrainase, BE-së dhe SHBA-ve sesa ndaj Kosovës, pasi për marrëdheniet jo të mira e armiqësore, Kosovë - Serbi, evropianet e amerikanët kanë njohuri.

Image
Sulejman Mehazi

“Takim i Vulinit me Sekretarin e Këshillit të Sigurisë ruse është shenjë kundërthënëse për vetë BE-në e SHBA-të të cilët janë të shurdhër ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës Kurtit, "se Vuçiqi përkrahë Rusinë" dhe se Serbia është e gatshme të kundërshtojë BE-në e SHBA-të me anë të një lufte që do shpërndahej nga Ukraina në Kosovë vetëm për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor. Me një fjalë takimi i zëvendëskryeministrit të Serbisë Vulinit me Sergei Shoigut të Sigurisë së Federatës Ruse i konvenon kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili shumë herë është deklaruar para diplomatëve evropianë dhe amerikanë se Serbia është kundër tyre e me Rusinë dhe se Vuçiqit, Daçiqit e Vulinit fare nuk i intereson BE-ja dhe SHBA-të pos Rusisë”, vlerëson ai.

AI thekson po ashtu përmend edhe qëllimin e Serbisë në këtë rast, duke thënë se duan që dialogu paqësor të mbyllet në Bruksel dhe të zëvendësohet me atë luftarak në Moskë.

“Qëllimi i Serbisë tog me Rusinë është që t'ia prishin rehatinë BE-së me anë të një konflikti në Kosovë. Takimi i Vulinit me Sergei Shoigut është që dështimi i dialogut paqësor i Brukselit të zëvendësohet me dialogun luftarak të Moskës dhe Serbisë në Kosovë që Moska të pyetet në Kosove e jo Brukseli”, thotë Mehazi për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat