Kërcënimet e hapura të Vuçiqit ndaj Kosovës/ Zbulohet prapavija e deklaratës së fundit – ja çfarë po fshihet në Serbi!

Politika

Kërcënimet e hapura të Vuçiqit ndaj Kosovës/ Zbulohet prapavija e deklaratës së fundit – ja çfarë po fshihet në Serbi!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 13 shtator 2024 Në ora: 16:44
Aleksandër Vuçiq dhe Vjosa Osmani

Serbia ka qenë dhe po vazhdon të jetë shteti që tenton të destabilizojë Kosovën dhe rajonin.

E së fundmi është Vuçiqi ai cili ka kërcënuar hapur, duke thënë që “mund ta shpallë Kosovën një territor të pushtuar”.

Në lidhje me këtë deklaratë i menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani tha se Vuçiqi mund të shpallë çfarë të dojë, por tha se realiteti i përhershëm është se Kosova është dhe do të mbetet përherë shtet i pavarur, sovran, demokratik e që do fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet në rajon.

Shpresoj që këto fjalë të Vuçiqit, që tregojnë mendësinë e tij të vërtetë, që është trashëgimi e Millosheviqit, po dëgjohen nga bota mbarë, në veçanti nga disa që po shpresojnë se ai derisa e mban lëkurën e qengjit, nuk është ujku përbrenda. Në fakt, është i njëjti njëri, që ka qenë ministër i Propagandës së Millosheviqit, që ka menduar vetëm si t’i sulmojë e t’i shkatërrojë të tjerët. Kjo është logjika e vetme që mbizotëron në politikën e Serbisë për momentin dhe shpresoj që sa më parë që ta shohim dhe ta pranojmë këtë realitet, edhe shumë nga miqtë tanë në Evropë, aq më parë dhe aq më shumë do të kontribuojnë për paqen afatgjate në rajonin tonë”, tha Osmani.

Të gjendur përballë këtyre kërcënimeve të Vuçiqit, a mund të përballemi me ndonjë skenar të radhës nga ana e tij?

Agusholli: Sa i përket presidentes Osmani, konsideroj se nuk duhet të merret me komentimin e politikave të Serbisë

Image
Gramos Agusholli

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti Gramos Agusholli.

Ai thotë se kjo deklaratë vjen pasi Serbia është duke u përballur me kriza të brendshme dhe bëhen vetëm për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale dhe për të devijuar vëmendjen e opinionit publik.

“Zakonisht, kur Serbia përballet me ndonjë krizë të brendshme dhe pakënaqësitë e popullit serb bëhen të dukshme, presidenti Vuçiq shpesh zgjedh të bëjë deklarata të cilat, në fakt, nuk merren seriozisht as brenda Serbisë.  Këto deklarata zakonisht shërbejnë për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale dhe për të devijuar vëmendjen e opinionit publik.  Në këtë kontekst, duket qartë se kërcënimet dhe retorika që përdor janë të destinuara të mbeten të pabaza”, u shpreh ai.

Më tej, deputeti thotë që kërcënimet e Vuçiqit janë boshe dhe se presidentja nuk duhet as ti merr seriozisht.

Sa i përket presidentes Osmani, konsideroj se nuk duhet të merret me komentimin e politikave të Serbisë, aq më pak me kërcënimet boshe të Vuçiqit, të cilat nuk kanë asnjë vlerë reale.  Në vend të kësaj, është më e rëndësishme që të fokusohet në prioritetet dhe çështjet që janë të rëndësishme për Kosovën, duke ruajtur integritetin dhe qetësinë diplomatike”, thotë deputeti.

Ndër të tjera ai nënvizon që ani pse nuk do të duhej të merrej presidentja Osmani me Vuçiqin, përsëri ishte deklaratë me vend e saj.

“Por nëse do te duhej të jepte patjetër përgjigje, unë mendoj qe e ka dhënë përgjigjen e duhur. Kjo qasje e balancuar është ajo që i nevojitet skenës politike në Kosovë dhe rajon, në mënyrë që të mos amplifikohen tensionet e panevojshme”, foli deputeti Agusholli për “Bota sot”.

Hoxha: Serbia mund ta pësoj keq nëse tenton të hyjë në Kosovë

Image
Hafir Hoxha

Ndërsa ish-ushtaraku Hafir Hoxha në një bashkëbisedim me “Bota sot”, bën të ditur lidhjen që Serbia ka me Rusinë.

Duke shpjeguar Hoxha thotë që Rusia mund të heqë dorë nga Ballkani nëse përfiton nga Ukraina.

“Serbia rregullisht është duke u përgatit për të nxit konflikt në Ballkan, nëse Rusia i kërkon Serbisë një gjë të tillë dhe do ta mbështet me mjete luftarake Serbia do ta bën atë në pjesën veriore të Kosovës! Por kjo prapë nuk mundet me ndodhë pa pëlqimin gjeopolitik të SHBA-së , nëse puna lëviz në favor të Amerikës në Ukrainë për ndonjë lloj marrëveshje mes Ukrainës dhe Rusisë dhe nëse Rusia del e kënaqur atje atëherë Rusia heqë dorë nga Ballkani , ja lejon Serbisë të bëhet pjesë e BE dhe e NATO-s me ndonjë kushtëzimi për pjesën veriore të Kosovës ajo ndërhyrje ushtarake nën kontroll dhe e kufizuar do t’i lejohet Serbisë”, tha ish-ushtaraku.

Në fund, Hoxha paralajmëron Serbinë që nëse tenton të hyjë në territorin e Kosovës do të humbë keq.

Përndryshe ndërhyrje ushtarake e Serbisë e pa koordinuar me SHBA-në besoj se nuk mundet të ketë, e nëse ndodhë atëherë Serbia do të pëson përsëri “qortim ushtarak disciplinorë nga NATO dhe do të humbë keq Serbia”, foli ish-ushtaraku, Hafir Hoxha për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat