Mundësia e përjashtimit të Kosovës nga Procesi i Berlinit, analisti: Kosova do të izolohej dhe të kthehet prapa

Politika

Mundësia e përjashtimit të Kosovës nga Procesi i Berlinit, analisti: Kosova do të izolohej dhe të kthehet prapa

Nga: N.E Më: 14 shtator 2024 Në ora: 09:59
Kryeministri Albin Kurti në Samitin e Procesit të Berlinit 2023

Kosova ka mundësi të përjashtohet nga Procesi i Berlinit dhe një gjë të tillë e ka thënë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Ajo në një intervistë dhënë për media javën që po e lëmë pas ka thënë se një largim i tillë mund të ndodhë nëse nuk bëhet kompromis për CEFTA- për zhbllokimin e mallrave serbe.

“Unë, së pari angazhohem që të bindet Gjermania që Kosovën mos ta largojnë … E dyta, unë propozoj nja 10 fjali të ndryshme që e arrijnë qëllimin e Kosovës- po duket në dukje të parë që janë kompromis, sepse mund të gjendet rrugë e përbashkët”- ka deklaruar Osmani, duke shtuar se Kosova duhet të këmbëngulë në propozime të reja lidhur me çështjen e CEFTA-s.

Për mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga ky proces, ka folur analisti politik Leon Duhanaj, i cili në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka kritikuar qeverinë dhe kryeministrin për regres.

Sipas tij, Kurti ka vendosur të mos i zbatojë rregullat e CEFTA-s, që kanë qenë të zbatueshme me vite të tëra.

“Procesi i Berlinit, është paraparë të jetë një fazë integruese e Ballkanit Perëndimor, si fazë e rëndësishme para integrimit evropian. Për fat të keq, ardhja e Kurtit në pushtet, për Kosovën solli vetëm regres. Kjo sepse Kurti refuzoi të marrë pjesë thuaj se në të gjitha nismat dhe takimet në këtë proces. Pos kësaj Kurti ka vendosur të mos i zbatojë rregullat e CEFTA-s, të cilat janë të zbatueshme që me vite të tera, madje ky vendosi edhe sanksione, duke sanksionuar mallra thuaj se ekskluzivisht perëndimore të prodhuara në serbi. Kurti, ka ndikuar që Kosova të sanksionohet nga komuniteti perëndimorë, si sponsor i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, deklaron Duhanaj.

Image
Leon Duhanaj

Ai konsideron se Kosova do të izolohet nëse përjashtohet nga ky proces.

Sipas tij, nëse vërtet ndodh kjo atëherë do të lihet prapa Kosova edhe një dekadë.

“Kjo çfarë po bën Kurti si Kryeministër, nuk është e rastit, sepse këtë qasje e ka zbatuar edhe si opozitarë. Kurti me nismat e tij, e sabotoi mundësinë e liberalizimit të vizave në pako me Gjeorgjinë & Co. Si pasojë na u shtuan standarde dhe pengesa të reja dhe afër një dekadë zvarritje e procesit. Sot po e saboton procesin e Berlinit, duke ndikuar drejtpërdrejtë në izolimin, gjegjësisht, përjashtimin e Kosovës nga ky proces. Nëse vërtetë ndodhë, do të na le mbrapa edhe një dekadë, dhe për t'u rikthyer si anëtare e barabartë si është tani, do të kemi presione dhe pengesa, përmes të cilave Kosova, do të përballet me detyrime për kompromise të dhimbshme. Pra, kryeministri, me zell të madh po i zbaton projektet e Serbisë në dëm të Kosovës!”, shton analisti.

CEFTA është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Europian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Atëbotë, marrëveshja për anëtarësim u nënshkrua nga UNMIK-u, në emër të Kosovës. Pas pavarësisë, institucionet kosovare ndërruan vulat doganore, mirëpo edhe pse u vendosën simbolet shtetërore, Kosova vazhdoi të përfaqësohet nga UNMIK-u.

Vendimmarrja në CEFTA, është bllokuar për shkak se Qeveria do që Kosova të përfaqësohet si shtet që ka shpallur pavarësinë, e jo përmes misionit të OKB-së.

E gjithë “rrëmuja” me dyshimet se Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit besohet se po ndodhë për shkak se Qeveria e Kosovës e ka ndaluar importin e mallrave nga Serbia më 15 qershor 2023, një ditë pasi forcat serbe kishin arrestuar tre policë të Kosovës.

Ndërkaq, mandati i Procesit të Berlinit është për ta lehtësuar bashkëpunimin rajonal midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë – për t’u mundësuar atyre që t’i bashkohen BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat