“Shtatë pika lutjesh e kukuvajkash”, ‘zbërthehen’ kërkesat e Serbisë për Kosovën/ Ja cili person mund të ketë ndikuar te Vuçiqi

Politika

“Shtatë pika lutjesh e kukuvajkash”, ‘zbërthehen’ kërkesat e Serbisë për Kosovën/ Ja cili person mund të ketë ndikuar te Vuçiqi

Nga: N.E Më: 14 shtator 2024 Në ora: 10:12
Aleksander Vuciq

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka mbajtur një fjalim ditën e premte, ku ka shpalosur disa kërkesa për Kosovën.

Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që ka përmendur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për Kosovën.

Në një adresim para kombit, më 13 shtator, Vuçiq ka thënë se Serbia beson që përmbushja e kërkesave përbën “parakusht të domosdoshëm për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kërkojmë të kthehemi te gjithçka që është arritur dhe përparuar në procesin e dialogut”.

Ai ka paralajmëruar se Beogradi do të nisë një “fushatë diplomatike globale”, në mënyrë që të plotësohen këto kërkesa.

Duke komentuar kërkesat e Vuçiqit, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Sulejman Mehazi, analist politik ka thënë se ato kanë kuptim lutjesh, ankesash e përkulje para ndërkombëtarëve dhe kryeministrit të Kosovës.

Sipas tij, për këto pika vajtuese mund të ketë ndikuar edhe takimi me drejtorin e CIA-s në Beograd.

“Nuk do thosha se janë kërkesa të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciqit, më shumë kanë kuptime lutjesh, ankesash e përkuljesh para ndërkombëtarëve dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Po të lexojmë një nga shtatë pikat e Vuçiqit do vërejmë se më shumë kanë ndjenja politike vajtuese të dorëzimit, sesa kërkesa kërcënuese ndaj Kosovës, zgjedhjet e reja të katër komunave me shumicë serbe; kthimi i policëve serbë; kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës; largimi i policisë speciale të Kosovës nga veriu; vazhdimi i dialogut e gjetiu japin shenja ngushëlluese e dorëzuese të presidentit të Serbisë, Vuçiqit, për këto shtatë pika vajtuese mos ndoshta ka ndikuar drejtori i CIA-s në Beograd që pas takimit asnjë informatë nga Vuçiqit me rastin e takimit me Shefin e CIA-s William Burn, me një fjalë ardhja e Shefit të CIA-s në Beograd kishte shtangur e heshtur elitën politike serbe bashkë me mediat që shprehën heshtje mortore.”, deklaron Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas tij, shtatë pikat e Vuçiqit tregojnë se Kosova do bëhet si do Albin Kurti, e jo si do Vuçiqi.

“Presidenti i Serbisë, Vuçiqi duke parë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është lis i lartë e i pamposhtur që i shkonin degët politike vërdallë nga furtunat e sulmeve të njëpasnjëshme dhe duke qëndruar stoik si para Vuçiqit, po ashtu dhe para ndërkombëtarëve ishte i detyruar të mposhtej e të dorëzohej para Kurtit me shtatë pika lutjesh e kukuvajkash. Shtatë pikat e Vuçiqit tregojnë, se Kosova do bëhet si do Albin Kurti e jo si do Vuçiqi”, shton analisti.

Rreth kërkesave të Vuçiqit kishte reaguar edhe kongresisti amerikan, Ritchie Torres.

Ai në reagimin e bërë në platformën “X”, ka shprehur sërish mbështetjen për Kosovën, derisa ka pohuar se Aleksandar Vuçiq është në anën e gabuar të histories.

“Serbia po kërkon që Kosova të heqë dorë nga sovraniteti i saj dhe të kthehet në “status quo ante”. Nuk do të ketë një kthim të tillë. Kosova është një shtet i pavarur dhe do të mbetet i tillë përgjithmonë, i mbështetur nga miku më i madh i saj: Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Torrres.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat