Kosova dhe lobimet e saj në SHBA, vjen paralajmërimi pas akuzave të kongresistes amerikane ndaj Kurtit

Politika

Kosova dhe lobimet e saj në SHBA, vjen paralajmërimi pas akuzave të kongresistes amerikane ndaj Kurtit

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 14 shtator 2024 Në ora: 13:06
Foto ilustrim

Edhe pse Kosova është nën sanksione të bashkësisë ndërkombëtare, kongresistja amerikane, Claudia Tenney po kërkon që të ashpërsohen ato.

Siç ka shkruar ajo në platformën X, Tenney ka bërë të ditur se i ka nisur një letër Sekretarit Amerikan, Antony Blinken, në të cilën është ankuar për veprimet e kryeministrit Albin Kurti.

“Edhe një herë, Albin Kurti dhe veprimet e tij po rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Pavarësisht kritikave të ashpra nga Departamenti i Shtetit, Veprimet e Kurtit nuk kanë ndryshuar. I dërgova një letër Sekretarit Blinken duke kërkuar të dihet se çfarë veprimesh do të ndërmarrë SHBA për të siguruar që të drejtat e serbëve etnikë në Kosovë të mbrohen dhe Kurti të mbahet përgjegjës”, ka shkruar Kludia Tenney, e cila është edhe bashkëdrejtuese e “Congressional Serbian Caucus”-grup që avokon për interesat dhe shqetësimet e serbo-amerikanëve dhe Serbisë.

Kërkohet angazhim më i madh i Kosovës

Image
Prof.Enver Bytyçi

E si kundërpërgjigje ndaj kësaj, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, po kërkon angazhim më të madh të Kosovës në arenën ndërkombëtare, në mënyrë që t’i bind këta të fundit se situata është krejtësisht ndryshe nga ajo që po propagandon Serbia.

“Prej katër-pesë viteve, sa kohë që Albin Kurti është në krye të ekzekutivit të Kosovës, Beogradi, qeveria serbe, presidenti Vuçiq nuk janë ndalur duke e akuzuar atë për keqtrajtim të serbëve në Kosovë, sidomos të atyre në veri të saj. Më pas është përdorur edhe akuza për ushtrim dhune si dhe për qëllime për spastrimin etnik të veriut të Kosovës. Të gjitha këto janë favorizuar nga kritikat që përfaqësues të politikës dhe diplomacisë perendimore, europiane dhe amerikane, për veprimet legjitime të Kosovës për shtrirjen e sovranitetit të saj në veri të vendit. Kosova duhet të jetë më aktive e të shpjegojë, madje t’i bindë ndërkombëtarët, jo vetëm në Perëndim, se nuk ka kurrëfarë dhune kundër serbëve”, shprehet Bytyçi.

“Se serbët në Kosovë dhe ata në veri të vendit gëzojnë të drejta të plota dhe nuk janë të diskriminuar. Përkundrazi, kanë një trajtim pozitiv diskriminimi, me më shumë të drejta se qytetarët e etnive të tjera, përfshirë shqiptarët shumicë dërmuese prej mbi 90 përqind të popullsisë së vendit. Kosova duhet të shpjegojë më fort e më mirë se është Beogradi problem i konfliktit Kosovë – Serbi dhe jo serbët e Kosovës. Se serbët e Kosovës, edhe ata në veri të vendit, po integrohen gjithnjë e më shumë në jetën politike, ekonomike dhe sociale të shtetit të Kosovës. Por se ka disa përfaqësues të Beogradit që punojnë dhe kërkojnë destabilizim dhe realizimin e qëllimeve për krijuar një front të dytë lufte të Rusisë e Serbisë në Ballkan”, shton Bytyçi.

Ai thotë se akuzat e kongresistes Tenney janë ta pa baza, duke hedhur dyshime tek kjo e fundit.

“Kongresistja Claudia Tenney kam përshtypjen se nuk i njeh këto fakte që përmenda më lart. Edhe po të bëjë pjesë në lobet serbe në SHBA, një kongresmen amerikan që e njeh situatën në rajon dhe është i informuar për atë që ndodh aty, nuk mundet që të akuzojë Kosovën dhe qeverinë e saj për atë që Claudia Tenney e quan keqtrajtim të serbëve në Kosovë. Ajo në deklarimet e saj akuzon gjithashtu administratën e Biden dhe ndoshta kë për qëllim të ndikojë në fushatën elektorale amerikane në favor të zotit Trump me këtë deklaratë. Mund të jetë e ndikuar nga ambasadori Grennell apo ku e di unë si dhe pse. Por nëse ajo dhe kongresmenë të tjerë në SHBA informohen me prova dhe fakte për realitetin e Kosovës dhe politikat shoviniste të Beogradit në Kosovë, nuk besoj se do të bënin akuza të tilla. Thjesht se besoj që ata kujdesen shumë për të kuruar integritetin e tyre”, thekson Bytyçi.

Sipas tij, kjo deklaratë e kongresistes amerikane na dëshmon edhe njëherë se në SHBA veprojnë fuqishëm lobet pro Serbisë.

“Ministri i sotëm i Punëve të Jashtme, Marco Gjuriq, punoi për disa vite si ambasador i Serbisë në SHBA dhe ka krijuar grupe të fuqishme lobimi, shoqëruar me një fond marramendës kushtuar këtij qëllimi. Lobimi serb në Uashington më së shumti lidhet me Kosovën, me shpresën se do t’ia arrojnë që ta kthejnë mbrapsht procesin e përmbylljes së shtetësisë së saj. Gjithçka që financohet ka për qëllim ndarjen e Kosovës. Ose ridiskutimin e statusit të saj. Pra nisjen nga fillimit të procesit të shtetësisë së Kosovës. Këtë qëllim kishin bisedimet e ashtuquajtura teknike të inicuara nga administrate Obama”, shprehet Bytyçi.

Më tej, ai thotë se me këto synime Serbia ishte dhe vazhdon të jetë gjithnjë e gatshme të bisedojë e nga ana tjetër të mos pranojë asnjë version të njohjes de facto ose de jure të shtetit të Kosovës.

“Sepse qëllimi i saj nuk është të kujdeset për jetën e qytetarëve kosovarë me etni serbe. Qëllimi i saj është zhbërja e shtetit të Kosovës. Dhe zhbërja vjen në dy forma, ndarja e territorit midis Serbisë dhe Shqipërisë ose rikthimi i bisedimeve ose zhvillimi i një konference ndërkombëtare, të cilën e ka kërkuar edhe Edi Rama, për Kosovën. Dhe dihet tashmë se një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, thjesht si nocion, do të vinte menjëherë në diskutim shtetësinë e saj. Nuk e di nëse senatorja Tenney ka përcaktuar ndonjë synim si këto që thashë ose tjetër me zhurmën që bën për “mosrespektimin e të drejtave të serbëve në Kosovë”! Por deklarimet e saj i shërbejnë qoftë dhe pa dijeninë e saj, kësaj formule të Beogradit”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

Veprimet e pakoordinuara me SHBA-në

Image
Analisti Nexhat Haziri

Kurse, analisti Nexhat Haziri deklaron se veprimet e pakoordinuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkojnë në dëm të Kosovës.

“Gjithmonë dhe nga kushdo në Kosovë, e kam fjalën për qeveritë, që ndërmerr veprime të pakoordinuar me SHBA-në do të jenë veprime që shkojnë në dëm të Kosovës. Edhe disa nga veprimet e qeverisë Kurti në veri të vendit pa koordinim me aleatët tanë, sidomos me SHBA-në, kanë qenë dhe janë veprime që po shkojnë në dëm të Kosovës, por po i sjellin poenë politik z. Kurti, sidomos tani kur po shkojmë drejtë zgjedhjeve të rregullta parlamentare të 9 shkurtit”, thotë ai.

Haziri kritikoi qasjen e kryeministrit Kurti në raport me ndërkombëtarët, për çka thotë se i ka hapur rrugën lobimit serb ne SHBA e më gjerë.

“Dhe si duket ky është qëllimi i kryeministrit Kurti , pra llogaritja elektorale e jo dëmet dhe ndëshkimet që po i merr Kosova. Po ashtu, këto veprime të Kurtit në të shumtën e rasteve për qëllime elektorale, iu ka hapur terren lobit serb jo vetëm në SHBA, por edhe në BE që serbët të paraqiten vikrima e Kosova si një shtet që persekuton pakicat kombëtare. Dhe ky lobim natyrisht se do të sjellë pasoja për Kosovën, nëse nuk reflekton qeveria e Kosovës, konkretisht z.Kurti që të bashkërendohet me SHBA, por edhe vendet e tjera perëndimore që lobet serbe si në Washington si në Bruksel të mos kenë sukses në propagandën e tyre”, përfundon analisti Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat