“Vuçiq nuk ka fuqi të përballet me Kosovën”, komentohen shtatë kërkesat e Serbisë – ja çfarë pritet të ndodhë!

Politika

“Vuçiq nuk ka fuqi të përballet me Kosovën”, komentohen shtatë kërkesat e Serbisë – ja çfarë pritet të ndodhë!

Arife Morina-Mulaku Nga Arife Morina-Mulaku Më 14 shtator 2024 Në ora: 16:12
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Gjatë ditë së djeshme, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq mbajti një konferencë, ku temë kryesore ishte Kosova.

Presidenti serb nuk hezitoi të lëshohet në propagandat e tij, ku ndër të tjera vendosi disa masa dhe kërkesa ndaj shtetit tonë.

Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që ka përmendurVuçiq për Kosovën.

Ai ka paralajmëruar se Beogradi do të nisë një “fushatë diplomatike globale”, në mënyrë që të plotësohen këto kërkesa.

Gjithashtu, Vuçiq tha se se Serbia beson që përmbushja e kërkesave përbën “parakusht të domosdoshëm për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

"Kërkojmë të kthehemi te gjithçka që është arritur dhe përparuar në procesin e dialogut".

Ky adresimi i Vuçiqit erdhi pas akuzave që ua ka bërë në vazhdimësi institucioneve tonë të Kosovës për “sulme ndaj serbëve” në veri të vendit, duke marrë shkas vendimet e fundit në atë pjesë.

Ndonëse, Qeveria e Kosovës me veprimet e veta vetëm po synon të shtrijë sovranitetin në gjithë territorin e shtetit, kjo gjë duket se po i pengon Serbisë e Vuçiqit.

Shtatë kërkesat e Serbisë

shpalljen dhe mbajtjen e "zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike" në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian,

kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun, dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre,

tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga "bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme" në veriun e Kosovës,

tërheqjen e policisë nga të gjitha institucionet "të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme në vitin 2024 ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët".

formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe,

zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë", të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe

kryerjen e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbë, dinar.

Ndër të tjera Vuçiq tha se përveç këtyre kërkesave, parlamenti Serbisë do të miratojë një ligj brenda 45 ditësh për të shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale, duke garantuar kështu të drejtën për mbështetje financiare për të papunët”.

Për këtë fjalim dhe kërkesa të Serbisë së Vuçiqit ndaj Kosovës, folën Agon Batusha e Melazim Koci.

Të dy thanë vlerësimet e tyre në lidhje me këtë çështje, derisa ‘goditën’ presidentin serb.

Batusha: Asgjë nuk dëgjuam më shumë se sa zërin e Millosheviqit me terma modern dhe me figurë më të moderuar

E këtë fjalim të Vuçiqit dhe kërkesat e tij, i komentoi për “Bota sot” deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Agon Batusha.

Image
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Agon Batusha.

Si fillim, ai tha se u dëgjua vetëm zëri i Millosheviqit, vetëm se këtë herë me figurë të moderuar (Vuçiqit).

Po ashtu, tha se kërkesat e presidentit serb janë për të frikësuar serbët e Kosovës dhe për të ushtruar propagandë kundër Kosovës.

“Asgjë nuk dëgjuam më shumë se sa zërin e Millosheviqit me terma modern dhe me figurë më të moderuar.

Kosova është shtet sovran, me territorin e saj dhe Kushtetutën që mbron më së miri në botë të drejtat e komuniteteve pakicë. Kërkesat e Vuçiqit janë tentativë për të minuar progresin, frikësuar serbët lokal në Kosovë dhe për propagandë të brendshme politike”.

Ndër të tjera, deputeti i LVV vlerësoi se qëllimi kryesor i Vuçiqit është themelimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive.

“Kërkesat e tij ngjajnë më shumë me kërkesat për një territor autonom brenda Republikës me qëllime separatiste, zaten ky është qëllimi i tij edhe me asociacionin me kompetenca ekzekutive”, përmbylli Agon Batusha për “Bota sot”.

Koci: Në tërësi, Vuçiq dëshmoi se nuk ka fuqi të përballet me çështjen e Kosovës

Kurse, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ish-kryeredaktori i Radio Evropa e Lirë, z. Melazim Koci u shpreh se fjalimi i presidentit serb dëshmoi pafuqinë e nacionalizimit serb.

Image
z. Melazim Koci

Sipas tij, Vuçiq e pranoi se nuk ka shumë opsione në disponim.

“Fjalimi i Vuçiqit sërish dëshmoi se shovenizmi ende dominon skenën politike të Serbisë, por se nuk ka forcë të bëjë ndryshime në hartën politike dhe gjeografike të Ballkanit. Ai dëshmoi pafuqinë e nacionalizmit serb. Kërcënimi për shpallje të Kosovës "territor i okupuar" u zëvendësua me formulimin se "nuk ekziston asnjë zgjidhje e kënaqshme për serbët për "çështjen e Kosovës”". Me këtë presidenti serb botërisht e pranoi se nuk ka shumë opsione në disponim. Zaten as që pritej diçka tjetër, sepse shpallja e Kosovës "territor i okupuar" nuk ishte shpallje e luftës ndaj Kosovës, por ndaj NATO-s”, vlerëosi ish-kryeredaktori i REL.

Gjithashtu, Koci theksoi se kërksat që paraqiti Vuçiq ishin vetëm për konsum të brendshëm, të cilat ishin edhe jo të arsyeshme.

Ai paralajmëroi se Serbia më së shumti do të insistojë në kërkesën e Asociacionit, përmes të cilës do ta vë Kosovën në defanzivë diplomatike.

“Shumica e 7 kërkesave të Vuçiqit më shumë janë për konsum të brendshëm, se sa kërkesa që mund të konsiderohen të arsyeshme. Prej tyre njëra (zgjedhjet lokale) mund të diskutohet. Tjerat nuk kanë asnjë kuptim, sepse janë jetësuar (targat, dinari...) si pjesë e Marrëveshjes Franko-Gjermane dhe Marrëveshjeve të mëhershme të Brukselit nga viti 2013 dhe tutje. Aty ku Serbia do të insistojë tash e tutje është formimi i Asociacionit. Shih për këtë Vuçiq tha se respekton Marrëveshjen e Ohrit dhe se nuk di asgjë për letrën e Ana Bërnabiq. Pra synon që me kërkesën për Asociacionin të vë Kosovën në defanzivë diplomatike. Por, Serbia nuk ka të drejtë dhe as kredibilitet të kërkoj Asociacionin gjithnjë përderisa nuk zbaton në praktikë njohjen de fakto (pëlqimin për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare)”.

Tutje, ish-kryeredaktori i REL shtoi se përfundimisht Vuçiq dëshmoi se nuk ka fuqi të përballet me çështjen e Kosovës dhe se kur merret me këtë çështje, e bënë vetëm për konusm të brendshëm.

“Në periudhën e ardhshme duhet pritur që Serbia të vazhdoj politikën e vetëviktimizimit të serbëve të Kosovës para botës. Me këtë synon ta demonizoj Kosovën para ndërkombëtarëve, por edhe kjo politikë nuk do t'i shitet në botë, sepse ishin serbët që braktisën institucionet dhe që refuzuan referendumin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në veri.

Në plan me afatgjatë Beogradi do të zbatojë politikën e pritjes. Presin fitoren e Trump, që u duket më i favorshëm për planet e tyre ekspanzioniste. Presin gjithashtu përfundimin e luftës në Ukrainë, me saktësisht synojnë që në një Konferencë ndërkombëtare për Ukrainën të fusin edhe çështjen e Kosovës dhe Bosnjës. Por, kjo është llogari që nuk do të kaloj në Perëndim, sepse është shumë e tejdukshme.

Marrë në tërësi Vuçiq dëshmoi se nuk ka fuqi të përballet me çështjen e Kosovës dhe se edhe kur merret me të, këtë e bënë për konsum të brendshëm. Ai e di dhe këtë pjesërisht e bëri të ditur para opinionit serb se Serbia e ka humbur Kosovën”, përmbylli Melazim Koci për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat