Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për herë të fundit janë takuar më 14 shtator të vitit 2023.
Do të thotë, që kanë kaluar një vit që nuk janë ulur përballë njëri-tjetrit, derisa dialogu Kosovë-Serbi duket se ka stagnuar tash e një kohë.
Vlen të theksohet se vetëm dhjetë ditë pas se këtij takimi, ndodhi sulmi i armatosur në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh vranë policin e Kosovës, Afrim Bunjakun.
Pas këtyre zhvillimeve, në muajin qershor të këtij viti, kishte përpjekje të Bashkimit Evropian për t’i ulur bashkë në tryezë, por që kjo nuk ndodhi, për shkak të disa kushteve që ua paraqiti kryeminsitri Kurti, e që Vuçiq i kundërshtoi.
Kur kanë kaluar kohë pa zhvilluar takime, e duke parë se edhe zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë do të mbahen vetëm pas pak muajve, një takim Kurti-Vuçiq, duket i pamundur.
E këtë gjë, e konfirmoi edhe vëtë kryeministri Kurti, kur u pyet për një mundësi të tillë, ku tha se “nuk e di nëse do të ketë takim”
“Edhe nëse do të ketë, nuk e di se kur dhe cilat do të jenë temat. Duhet të dimë më shumë për të dhënë një përgjigje”, tha Kurti.
Në të njëjtën ditë në Beograd, Vuçiq u tha gazetarëve se “Serbia është gjithmonë për dialog” dhe u shpreh “i gatshëm të shkojë të bisedojë me Kurtin që sot”.
Mes gjithë këtyre zhvillimeve, çfarë pritet të ndodhë me fatin e dialogut dhe se a mund të ketë takim Kurti-Vuçiq, para zgjedhjeve të 9 shkurtit?
Zgjedhjet e reja parlamentare, Shabani: Në raste të tilla mund edhe të pezullohet për një kohë dialogu
E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i marrëdhënieve diplomatike, Amir Shabani.
Si fillim, ai tha se fajtor për stagnim të dialogut është shteti serb.
“Çështja e dialogut ka stagnuar për shkak mosrespektimit të kërkesave të palës kosovare nga ana e Serbisë, e cila kohët e fundit po shpall pa hezitim edhe aleancën e saj me Rusinë”.
Kurse, për mundësinë e një takimi Kurti-Vuçiq, tha se është skeptik, pasi që në raste të tilla, kur ka zgjedhje të reja parlamentare, dialogu pezullohet.
“Se a mund të ketë takim të radhës Kurti-Vuçiq për dialogun deri para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, mbetet akoma pyetje pa përgjigje, pasi që Kosova do ketë garën për kryeministrin e vendin dhe në raste të tilla mund edhe të pezullohet për një kohë dialogu, me qëllim që nëse vjen ndonjë kryeministër i ri, mund ta ndryshojë edhe qasjen e politikës në këtë dhe temat tjera që shqetësojnë vendin”, përfundoi Amir Shabani për “Bota sot”.
Halimi: Mbetet ditëve në vijim, të shihet nëse do të ketë takime mes Kurtit e Vuçiqit
Kurse, analisti tjetër, Jeton Halimi tha se në varësi të zhvillimeve, mund të ketë ose jo, takim mes Kurtit e Vuçiqit.
Ai komentoi faktin se si tash e një vit nuk ka pasur takime në nivel të lartë, në kuadër të dialogut në Bruksel.
“Mbetet ditëve në vijim dhe zhvillimeve në terren, të shihet se a do të ketë takime të nivelit të lartë mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Do të thotë kanë kaluar një vit që nuk janë ulur përballë njëri-tjetrit, ndonëse pro bisedimeve shprehen të dy, Albin Kurti, qëllimisht nuk e dërgon në Gjykatën Kushtetuese draft satutin për Asosacionin të dhënë nga BE-ja, pasi e di shumë mirë se do të digjet politikisht dhe nuk ka çka t’i thotë popullatës në Kosovë, gjatë fushatës zgjedhore në zgjedhjet paralamentare, të cilat do të mbahen më 9 shkurt, të vitit 2025”, nënvizoi analisti.
Po ashtu, Halimi kishte disa kritika edhe për Kurtin edhe për Vuçiqin, derisa tha se ky i fundit në çdo aspekt është i dorëzuar.
Sipas tij, ideja e Vuçiqit për t’i rikthyer strukturat paralale në veri ka skaduar.
“Edhe Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, i mashtrojnë populljt e tyre dhe u bëjnë politika të shekullit-19, pa kurrfarë perspektive, vetëm për konsum të brendshëm dhe të jashtëm, vetëm për një qëllim, qëndrimin e tyre sa ma gjatë në pushtet.
Trysnia shumë e madhe nga SHBA dhe BE ndaj Albin Kurtit, tipik klasik mashtrues dhe Aleksandar Vuçiq një kriminel i dëshmuar, çdo aspekt totalisht i dorëzuar për politikën që bënë në raport me Kosovën. U pa edhe dje gjatë konferencës së mbajtur në Beograd, 100% i dorëzuar, kërkesat e njëjta i kërkon dhe mundohet me këto lëvizjet t’i kthejë struktrurat paralele. Kjo ide e Vuçiqit ka sakaduar dhe nuk mundet t’i kthej më ato struktura paralele në terren”, përmbylli Jeton Halimi për “Bota sot”.