Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës gjatë ditës së djeshme ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për organizim dhe kryerje të sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar.
“Në mesin e të akuzuarve kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit, Millan Radoiçiq, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale", tha prokurori të rastit, Naim Abazi, duke mos treguar nëse Prokuroria ka prova të mjaftueshme për përfshirjen e mundshme të udhëheqjes së Serbisë në sulmin terrorist, gjë të cilën vazhdimisht e kanë thënë udhëheqësit e institucioneve në Kosovë.
E për ngritjen e aktakuzës për sulmin terrorist në Banjskë, për gazetën “Bota sot” ka folur eksperti dhe njohësi i fushës së sigurisë, Bedri Elezi.
“Sa i përket aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës me rastin e sulmit terrorist në Banjskë, mendoj që është pak e nxituar apo jemi në një kohë relativisht të shpejtë duke marr parasysh faktin se kemi të bëjmë me një lëndë mjaft kompleksive dhe duke marrë në konsideratë pretendimet e Republikës së Kosovës së kemi të bëjmë me një sulm terrorist ku të përfshirë kemi edhe personalitete apo udhëheqës shtetërorë të Serbisë”, shprehet Elezi.
“Ne shpresojmë dhe urojmë që Prokuroria Speciale ka siguruar të gjitha provat që të jetë një aktakuzë me anë të secilës Gjykata do të ketë mundësinë për të dhënë dënimin e merituar dhe se personat të cilët janë të përfshirë në këtë aktakuzë të dalin para drejtësisë”, shton Elezi.
Por a ka gjasa që Serbia ta dorëzojë në Kosovë kreun e grupit terrorist, Milan Radoiçiq?
“Në fakt sa i përket se a mund Serbia që ta dorëzojë Milan Radoiçiqin, nuk mund të them se ka ndonjë ndryshim sa i përket procedurave për arrestimin apo sjelljen para drejtësisë në këtë fazë, ngase Prokuroria e Kosovës ka bërë kërkesë të kahershme për arrestimin dhe intervistimin e tyre, dhe se nuk përbën ndonjë ndryshim fakti se është ngritur aktakuzë për të ushtruar mendimin që kemi mundësi te kemi një proces të avancuar në lidhje arrestimin e tyre”, thotë Elezi.
Më tej, Elezi thotë se pavarësisht aktakuzës, Serbia nuk do të pranojë asnjë lloj bashkëpunimi me Kosovën.
“Nuk presim që Serbia të reflektojë edhe pas aktakuzës, por që në fakt presim të ketë reflektim të Serbisë në rast që në këtë aktakuzë janë përfshirë përfaqësuesit kryesor të Serbisë, apo vetë shteti i Serbisë, dhe në këtë rast do të ketë reagim jo në kuptimin e bashkëpunimit, por në kuptimin jo të mirë të sigurisë, ngase Serbia mund ta konsiderojë Kosovën si një vend e cila po provokon Serbinë sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me terrorizmin pas pasur mundësinë që të sigurojë prova të mjaftueshme për ta përfshirë Serbinë në këtë rast”.
Elezi shprehet se mbetet në duart e Prokurorisë Speciale të tregojë provat të cilat i ka, e që sipas tij, mund të konfirmojnë apo jo përfshirjen e shtetit serb në sulmin terrorist.
“Por te aspekti i sigurisë juridike, ne mendojmë që ka qenë dashur që minimalisht të ketë arrestim të Radoiçiqit dhe personave të tjerë nëse nga intervistimet e tyre do të kishim mundësi që të kemi deklarime se të njëjtit kanë marrë detyra apo urdhra nga Beogradi zyrtar apo përfaqësues të Serbisë për të kryer veprën penale, në këtë rast të terrorizmit, pra të sulmit terrorist në Banjskë. Në të kundërt e kemi shumë problem që të kemi përfshirje të institucioneve të Serbisë në këtë rast, por që do të kemi aktakuzë të personave të cilët janë të përfshirë apo apostrofuar në këtë aktakuzë, në krye të saj Radoiçiqi dhe personat e tjerë të cilët eventualisht qeveria e Kosovës ka arritur që ta ndihmojë Policinë dhe Prokurorinë duke u shërbyer me informacione, qoftë nga AKI, apo edhe nga agjencitë e tjera të cilët merren me siguri, apo institucioneve tjera ndërkombëtare, të cilat duhet të kishin marrë në konsideratë kërkesat e Republikës së Kosovës, në rastin konkret të qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për të ndihmuar me prova dhe argumente në llogari të Prokurorisë Speciale, e cila ka ngritur këtë aktakuzë”, thekson Elezi.
Për fund, Elezi thotë se Gjykata në Kosovë mund të shqiptojë një dënim për sulmin terrorist në Banjskë pa prezencën e të dyshuarve, pra edhe pa Milan Radoiçiqin.
“Edhe ne mund të themi se nuk do të ketë ndonjë zhvillim sa i përket Serbisë pas kësaj aktakuze, por që do të presim një veprim të Gjykatës e cila do të marrë vendime pa prezencën e të dyshuarve në këtë rast konkret, ndoshta do të kemi një vendim apo një dënim pa prezencën e gjithë personave, përfshirë këtu edhe Radoiçiqin, i cili publikisht ka pranuar këtë vepër të sulmit terrorist në Banjskë në veri të Kosovës”, përfundon eksperti dhe njohësi i fushës së sigurisë, Bedri Elezi.