Edhe pse është miratuar në Qeveri, ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar ende nuk e ka kaluar provën në Kuvendin e Kosovës.
E miratimin në Kuvend dhe fillimin e konfiskimit të pasurisë së pajustifikuar, po e quan kapitull të ri për Kosovën avokati, Gazmend Halilaj.
"Çështja e identifikimit, sekuestrimit e pastaj në fund e konfiskimit të pasurisë së pa arsyetuar do të hap një kapitull të ri, dhe do të jetë një sfidë e radhës e cila do të shoqërohet me probleme tejet të mëdha, por natyrisht një proces i tillë duhet të ndodh pavarësisht çmimit që njerëzit mund ta paguajnë", deklaron Halilaj.
Ai thotë se duhet prokurorë te guximshëm që të marrin hapin e konfiskimit të pasurisë së pajustifikuar.
"Se pari na duhen kuadro që guxojnë të merren me këtë temë, e jo të ikin siç ndodhi rasti me ish prokurorin special, Elez Blakaj. Së dyti duhet të ndërmerren masa për identifikimin e ndodhjes së pasurisë dhe pronarin e saj juridik, e po ashtu pronarin atë faktik, se ngase në këto raste defacto dikush tjetër është pronar faktik, ndërsa pasuria evidentohet në emër të dikujt tjetër", shprehet Halilaj.
Më tej, avokati Halilaj thotë së shumica e pasurisë së fituar në mënyrë te jashtëligjshme ndodhet jashtë Kosovës, dhe kjo përbën një sfidë për shtetin e Kosovës.
"Pastaj meqenëse masa me e madhe e pasurisë që është objekt i sekuestrimit dhe konfiskimit ndodhet jashtë shtetit, çka do të thotë se kjo përbën sfidë në vete, ngase ligjet vlejnë në kohë dhe hapësirë çka nëse kemi të bëjmë me pasuri që gjendet në Shqipëri, Turqi, Qipro etj, pra duhet të kemi paraprakisht marrëveshje me shtetet përkatëse. Anën tjetër cili shtet pranon të japë info apo të lejojë sekuestrimin apo konfiskimin e asaj pasurie, kur asnjë shtet nuk lejon të dalin milionat apo shumat miliardëshe të investuara në vendin e tij. Së këndejmi kush nga prokurorët mund ta marr mbi vete këtë barrë", thekson Halilaj.
Por a e ka guximin kryeministri Kurti që të nisë aksionin për konfiskimin e pasurisë?
"Ajo që dihet deri më tani kryeministri Kurti e ka vullnetin edhe guximin, edhe aftësinë, por kryeministri mund të bëjë vetëm infrastrukturën ligjore dhe logjistike, eventualisht të formojë njësi të specializuara, por jo të iu japë guximin me rastin e ndërmarrjes së veprimeve dhe vendimeve".
E kush mund të jenë cak i konfiskimit të pasurisë së pajustifikuar?
"Janë të njëjtit që akuzohen pranë Dhomave të specializuara në Hagë, të tjerët që janë ndërdijen e secilit që mund t’i bashkëngjiten asaj liste, e padyshim shumica e atyre që mbanin poste te larta drejtuese në organin ligjvënës, ekzekutiv, gjyqësor, dhe në institucione tjera te pavarura si AKM, AKP, Trepçë, KEK, Post Telekom etj".
"Krejt në fund kjo duhet të ndodhë sa më parë, por duhet kuptuar si një nga sfidat më të mëdha të pasluftës. Duhet profesionalizëm guxim dhe vullnet, ngase është e vetmja mundësi që me sekuestrimin e pasurisë së fituar me keqpërdorim pozite, natyrisht u ngushtohet mundësia edhe e ndikimit në politikë dhe drejtësi dhe kjo i shërben edhe forcimit te shtetit ligjor në çdo segment", përfundon avokati Gazmend Halilaj.