Priten koalicione befasuese – paralajmërohet LDK: “Luftën” në zgjedhjet e ardhshme nuk e ke vetëm me LVV-në!

Politika

Priten koalicione befasuese – paralajmërohet LDK: “Luftën” në zgjedhjet e ardhshme nuk e ke vetëm me LVV-në!

Nga: A.M. Më: 16 shtator 2024 Në ora: 12:02
Lumir Abdixhiku dhe Albin Kurti

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 9 shkurtin e vitit 2025 datën kur do të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë.

Pritet të jetë një ‘luftë’ e ashpër e partive opozitare ndaj partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Koalcione parazgjedhore, përveç AAK-Nisma, nuk ka ende, dhe nuk dihet se si do veprojnë dy partitë e mëdha opozitare LDK e PDK.

E në lidhje me këtë, ka folur veprimtari nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.

Si fillim, ai e paralajmëroi LDK-në, që nuk duhet të fokusohet vetëm në ‘luftën’ kundër LVV-së, por të fokusohet edhe tek rivalët e vjetër.

Po ashtu, vlerësoi se fushatën e LDK-së, do e dëmtojë heqja e vijave të kuqe për koalicione me partitë tjera.

“Lufta e LDK-së për vendin e parë, në zgjedhjet e ardhshme, nuk duhet të përqendrohet vetëm në luftën kundër pozitës, duke "harruar" rivalët e saj, të cilët përgjakën LDK-në dhe Kosovën. Dhe, këtë duhet thënë e përsëritur, përndryshe të spostojnë në renditjen listore, edhe pse LDK-ja kurrë nuk ka pasur struktura vrastare e kriminale në radhët e saj.

Heqja e vijave të kuqe për koalicione me partitë tjera, pa asnjë përjashtim, pa asnjë kufizim, gjithsesi dëmton fushatën zgjedhore të saj. Sidoqoftë, ka kohë për reflektim. Përndryshe, pasojat e koalicionit, respektivisht, të amnistimit të krimeve serike, madje pa kërkuar falje, LDK-ja i ka provuar, deri në përtokje. Sa më parë të kuptohet kjo gjëmë, aq më e leverdishme do të jetë për LDK-në, e cila, pamedyshje, është më e pastra dhe më fisnikja në shqiptari”, nënvizoi veprimtari nga Gjermania.

Kur jemi te koalicionet, Zeqiraj tha kjo çështje është problemtaike, pasi nuk ka shumë mundësi për të zgjedhur.

Image
Idriz Zeqiraj.

“Në Kosovë çështja e koalicioneve është problematike dhe nuk ka shumë hapësirë për të zgjedhur partnerin në koalicion. Kemi hyrë në dekadën e tretë, me një shoqëri, skajshëm, të inkriminuar. Fillin e ka që nga lufta e Kosovës. Një soj komandantësh, fort të dyshuar për sjelljet e tyre ultra kriminale, të etur për pushtet dhe para, të përkrahur nga shërbime informative keqdashëse ndaj shqiptarëve, u zhytën në krime serike, për përfitime personale e grupore. Drejtësia e kapur, është drejtësi e munguar. Andaj, kriminelë të bollshëm bredhin të lirë, duke bëre jetë përrallore, në kushtet e Kosovës, nga përfitime të pista e kriminale”.

Po ashtu, ai tha se koalicion befasues do ishte nëse një parti politike e pa inkriminuar bashkëpunon me një parti vrastare, e që për këtë tha se ka frikë se mund të ndodhë.

“Pyetja e shtruar nëse mund të këtë ndonjë koalicion befasues, përgjigja e saktë do të ishte: Befasia proverbiale do të ishte nëse ndonjë subjekt politik i pa inkriminuar, do të koalicionohet me ndonjë parti rrast të inkriminuar, qoftë vrastare ose hajnore apo në të dyja bashkë. Dhe, sipas të gjitha gjasave, mjerisht, kjo do të ndodhë. Sepse robëria tej shekullore, ka dëmtuar fort mendjen dhe shpirtin shqiptar”, përmbylli Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat