Zbërthehet deklarata e Vuçiqit për “Kosovën e pushtuar” - ky është skenari i Serbisë – dëshiron të përfitojë…!

Politika

Zbërthehet deklarata e Vuçiqit për “Kosovën e pushtuar” - ky është skenari i Serbisë – dëshiron të përfitojë…!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 16 shtator 2024 Në ora: 18:08
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk po i ndalon propagandat dhe provokimet ndaj Kosovës.

Ai për konsum të brendshëm politik, po e përdor temën e Kosovës, ku vazhdon ta gënjej popullin serb se kinse Kosova është një territor i pushtuar, që i është marrë Serbisë me forcë.

Komente të ngjashme, Vuçiq i bëri në një deklaratë për mediat për çështjen e Kosovës, ku tha se Serbia është sulmuar brutalisht dhe kundër legjislacionit ndërkombëtar.

Vuçiq tha gjithashtu se Serbia e ka paguar shtrenjtë çmimin e moskuptimit të politikës.

“Sot do të flasim edhe për pushtimin. Kosovën e kemi humbur në popullatë dramatikisht dhe gjeografikisht që nga viti 61-81. Shqiptarët kanë pritur momentin e tyre dhe ne nuk kemi kuptuar ato që kanë ndodhur në botë dhe për këtë kemi paguar një çmim të lartë.

Një çmim të lartë me viktima, ku më të shumtët kanë qenë serbët. Por me viktima edhe te shqiptarët, boshnjakët, kroatët. Nuk e kemi kuptuar qartë disa gjëra. Pra paguhet shumë çmimi i të moskuptuarit të politikës. Në mënyrë të paligjshme, në mënyrën më brutale, ne jemi sulmuar dhe është bërë një agresion kundër Serbisë.

Nuk mund të anashkalojmë faktin se edhe një numër i madh i shqiptarëve e kanë pësuar tragjikisht nga kjo. Pastaj kemi nisur me përrallat, që në zhargonin basketbollist shiteshin si tulla. Në 2028 Kosova u shpall e pavarur”, tha Vuçiq para konferencës së tij në të cilën paraqiti disa kërkesa rreth Kosovës.

Siç shihet në deklaratat e mësipërme, nuk ka asgjë tjetër përveç gënjeshtrave dhe propagandave të presidentit serb.

Mirëpo, a është ky një ‘dorëzim’ i Vuçiqit, apo thjeshtë plan i tij për t’u paraqitur si viktimë para popullit serb dhe ndërkombëtarëve?

E këtë çështje, e shtjelluan njohësit e çështjeve të sigurisë.

Dashevci: Kosova ka qenë këtu ku është dhe nuk ka pushtuar askënd

Së pari, njohësi i sigurisë, Arben Dashevci tha se Vuçiq tregoi edhe njëherë që është ‘mjeshtër’ i propagandës.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se këto janë thjesht taktika të tij për të trazuar situatën, që me qëllim ka të përfitoj politikisht.

Image
Arben Dashevci

“Presidenti i Serbisë në fjalimin e tij të fundit, tregoi edhe njëherë mjeshtrin e propagandës sepse ishte ministër i propagandës në kohën e Millosheviçit.

Përdori taktikat e tij të fundit për kolltukun e tij të trazuar nga pakënaqësitë e brendshme që i ka dhe i di edhe ai vetë.

Ai në 7 pikat e paraqitura dhe në çdo pikë të paraqitur, binte në kundërshtim me vetën e tij që nuk përkon me realitetin.

Shembull: Ai ishte që i kërkoi komunitetit serb t’i lëshojnë institucionet në Republikën e Kosovës dhe tash kërkon kthimin e tyre, pra vetë e bëri tash kërkon të kthehen”.

Krahas kësaj, Dashevci potencoi se Kosova nuk ka pushtuar askënd, në fakt ne kemi qenë të pushtuar nga shteti serb, ku fatmirësisht tani jemi të lirë.

Kosova ka qenë këtu ku është dhe nuk ka pushtuar askënd, përveç që na ka pushtuar Serbia dhe tash kemi lirinë të fituar me gjak dhe shumë viktima.

Pra, viktimat jemi ne dhe dëme na ka shkaktuar Millosheviçi, ku edhe Vuçiq ishte ministër propagande në kohën e “kasapit të Ballkanit”, që përfundoi në Hagë dhe u bombardua vendi i tij, si pasojë e politikave të tyre shkatërrimtare”, theksoi ai.

Ndër të tjera, shtoi se nuk duhet të ketë panik nga këto propaganda të Vuçiqit, pasi tash e një kohë i përsërit të njëjta gjëra.

Ai tha se këto provokime janë pjesë e luftës hibride e dirigjuar nga Rusia.

“Nuk ka panik te qytetarët e Republikës së Kosovës, jemi të mësuar me propagandat e tij, që tash më janë të përsëritura dhe po shfrytëzohen për konsumin e tij të brendshëm, duke pasur parasysh problemet dhe pakënaqësitë që mbretërojnë nga politikat e tij shoviniste.

Është pjesë e luftës hibride e dirigjuar nga Rusia dhe shpërndahet nga Serbia dhe establishmenti politik atje, që qëllim ka sipas mendimit tim zhvendosjen e vëmendjes.

Kërkon medoemos vëmendje ndërkombëtare dhe përfitimin e asaj që nuk mund ta përfitoj në asnjë rast.

Në të këtë situate të luftës hibride kundrejt nesh, mendoj që proceset në Republikën e Kosovë nuk ndalen sepse nuk ka mundësi të ndalen gjithmonë me aleatin e përjetshëm SHBA dhe partnerët tanë strategjik”, përfundoi Arben Dashevci për “Bota sot”.

Gecaj: Deklaratat e fundit të Vuçiq janë në vazhdën e taktizimeve të tij

Image
Hysen Gecaj

Kurse, eksperti tjetër i sigurisë, Hysen Gecaj u shpreh se presidenti serb po përdor taktika përmes të cilave po tenton ta prezantojë situatën e serbëve në veri si të rënduar, në sytë e ndërkombëtarëve.

“Deklaratat e fundit të Vuçiq janë në vazhdën e taktizimeve të tij duke iu përshtatur situatave të reja në raport me faktorin ndërkombëtar i cili dy muajt e fundit ka shtuar trysninë ndaj Serbisë dhe Kosovës po ashtu. Me deklaratat e fundit, Vuçiq dëshiron ta prezantojë situatën e serbëve në veri të Kosovës si të rënduar në prag të vendimeve që pritet të merren në bisedimet pasuese në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kërkesat e tij janë të kombinuara, disa të njohura dhe të shtruara edhe në pakon e Ohrit dhe Berlinit, por disa janë jashtë asaj marrëveshje, me qëllim që të taktizohet dhe arrihet maksimumi i këtyre kërkesave serbe”, vlerësoi ai.

Po ashtu, Gecaj përmendi edhe disa pakujdesi të institucioneve të Kosovës, të cilat lidhen me problemet e veriut dhe bashkëpunimin me ndërkombëtarët.

“Në këtë aspekt, Kosova është në disavantazh sepse nuk ia doli që t’i shtrojë bashkësisë ndërkombëtare plane ose pako për zgjidhjen e problemeve në veri të vendit, por në vend të kësaj duke bërë disa zgjidhje ligjore dhe të ligjshme, por jo sa duhet të menduara mirë taktikisht dhe politikisht, krijoi hapësirë palës serbe për ta paraqitur para faktorit ndërkombëtar Kosovën si kërcënuese e interesave elementare të pakicës serbe por edhe të sigurisë globale. Kjo pakujdesi e jona si shtet, solli masat ekonomike të bashkësisë ndërkombëtare, kërcënimin e raporteve me sponsorët e shtetit të Kosovës dhe trysninë në situatën para takimeve të ardhshme, për bisedimet në mes të dy shteteve”.

Në fund, eksperti i sigurisë tha se nuk ka të bëjë me dorëzim të Vuçiqit, pasi edhe ai e di që e ka humbur Kosovën, por po synon të përfitojë gjatë bisedimeve.

“Mbase nga kjo që u tha më lartë mund të kuptohet që fjala është për taktizim e jo dorëzim të Vuçiqit, për shkak se Vuçiq e di se Kosovën e ka të humbur, por tani ai betejën e bënë në dy drejtime, në përfitim gjatë bisedimeve dhe përgatitje të terrenit, në rast se i duhet patjetër që përfundimisht të largohet nga Rusia dhe të përqafojë BE-në”, përmbylli Hysen Gecaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat