“Po provokohet policia e Kosovës” – Juristi del me një paralajmërim pas kërkesave të Vuçiqit: Duhet domosdo të...

Politika

“Po provokohet policia e Kosovës” – Juristi del me një paralajmërim pas kërkesave të Vuçiqit: Duhet domosdo të...

Nga: A.SH Më: 16 shtator 2024 Në ora: 19:57
Policia e Kosovës

Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që ka përmendur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për Kosovën.

Presidenti serb, ditë më parë në një adresim para kombit, ka thënë se Serbia beson që përmbushja e kërkesave përbën “parakusht të domosdoshëm për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

"Kërkojmë të kthehemi te gjithçka që është arritur dhe përparuar në procesin e dialogut".

Derisa edhe BE ka mirëpritur thirrjen e presidentit Vuçiq për të vazhduar angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Ne e mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiq për të vazhduar angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pozitivisht e marrim edhe thirrjen e tij për serbët e Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe të riintegrohen në të gjitha institucionet e Kosovës, nga të cilat janë larguar në vitin 2022”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Juristi Muhamet Kelmendi, ka thënë se kërkesat e Serbisë janë “nacionalshoveniste”, që sipas tij me këto kërkesa po tregon se Serbia nuk është demokratizuar.

“Në realizimin e politikës pushtuese të Kosovës, mbi ideologjinë e " botës serbe", 7 kërkesat- kushtet të paraqitura po shndërrohen në politikë vijëzive të Serbisë. Serbia po vazhdon me kërkesat e paraqitura si kushte ndaj Kosovës në avazin e vjetër shoveno-fashist ndaj Kosovës. Kjo u sanksionua edhe në mbledhjen e Qeverisë së shtetit serb në Beograd. Pikësynimi strategjik është destabilizimin e veriut të Kosovës.

Kushtet tregojnë se Serbia nuk është demokratiizuar. Serbia në emër të kërcënimit të luftës ka paraqitur kushte, të cilat janë abstrakte dhe të parealizueshme. Çdo kërkesë ka elemente të rrezikshme. Me ato kërkesa-kushte synohet të dezorganizohet Republika dhe të krijohen kushtet për të bërë agresion mbi Kosovën. Me këtë iu dha fund njohjes së Kosovës nga Serbia. Kosova është shtet dhe e ka Kushtetutën e vet, mbi të cilën është ndërtuar pushteti”, shprehet ai.

Tutje, ai thotë se tash “rikthimi i policëve, gjyqtarëve, prokurorëve, kryetarëve të komunave dhe të administratës nuk mund të realizohet kuturi”, që sipas tij, plotësimi vendeve të punës duhet të bëhet vetëm me konkurs.

“Kushtet e kriminelit të luftës Vuçiq fillojnë me kushtin esencial, me Asociacion dhe kalojnë deri te përdorimi i dinarit si mjet pagese brenda Republikës. Edhe ikja nga zgjedhjet e organizuara në veri u bojkotuan nga serbët. Kjo u bë me kërkesën e kriminelit Vuçiq.

Bojkotimi u vlerësuan si gjë shumë atdhetare. Tash po ky Vuçiq po kërkon zgjedhje në veri që të organizohen. Zgjedhjet në veri bëhen vetëm në bazë të ligjit të Kosovës dhe natyrisht edhe mund të organizohen. Format juridike e kushtetuese duhet të respektohen. Rikthimi i policëve, gjyqtarëve, prokurorëve, kryetarëve të komunave dhe të administratës nuk mund të realizohet kuturi, pse Serbia dëshiron.

Dorëheqjet ishin ligjore. Plotësimi i vendeve të punës bëhet vetëm me konkurs. Duhet thënë se në Kosovë nuk ka të burgosur politik. Të arrestuarit serbë janë ish anëtarët e bandës së Radojçiçit. Kemi edhe dy a tre veta të arrestuar pse e kanë sulmuar Policinë e vendit. Në veri po ka pamfleta dhe shkrime raciste antishqiptare.

Po provokohet policia e Kosovës. Ajo po shahet në flamur, në komb dhe në familje. Provokimet janë të rënda. Tëra kushtet e paraqitura nga Serbia jane anti - Kushtetutës së Kosovës. Me ato vetëm që u rrit urrejtja dhe racizmi serbomadh ndaj shqiptarëve. Kosova kërkohet të respektoj ligjet e veta. Duhet domosdo të gjinden edhe modalitetet e pjesëmarrjes së minoritetit serb në pushtet”, përfundon ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat