Nga “anti-shqiptarizmi” i hoxhës së Sanxhakut tek akuzat se “Lëvizja e Deçanit” financohet nga Serbia – përgjigjet Saim Tahiraj

Politika

Nga “anti-shqiptarizmi” i hoxhës së Sanxhakut tek akuzat se “Lëvizja e Deçanit” financohet nga Serbia – përgjigjet Saim Tahiraj

Nga: M.Lakna Më: 16 shtator 2024 Në ora: 22:13
Hoxha nga Sanxhaku

Ditë më parë, një hoxhë nga Sanxhaku, ka mbajtur një tubim në Preshevë ku dha deklarata kontroverse për sa i përket çështjes së identitetit kombëtar shqiptar.

Hoxha në fjalë që as gjuhën shqipe nuk e fliste mirë, iu tha të pranishmëve se “nuk jeni shqiptarë, jeni myslimanë”.

Po ashtu, ai u shpreh se qëllimi është islamizimi i Kosovës dhe Ballkanit.

“Unë nuk jam shqiptar, jam mysliman njësoj si ju. Ne po bëjmë islamizimin e Sanxhakut, Kosovës, Preshevës dhe Ballkanit”, dëgjohet duke thënë ai.

Fjalimi i Hoxhës që në Preshevë u përcoll me duartrokitje e ovacione nga të pranishmit, në opinionin më të gjerë ngjalli reagime të ashpra.

Këto deklarata për gazetën “Bota sot” i komentoi veprimtari nga diaspora, njëherit edhe një ndër themeluesit e "Lëvizjes Deçani", Saim Tahiraj.

Sipas tij, fjalimi i hoxhës nga Sanxhaku është treguesi më i mirë për përhapjen e të ashtuquajturit “Islam politik” në Kosovë dhe mbarë trevat shqiptare.

Image
Saim Tahiraj

“Deklarata e këtij misionari serb, se nuk është shqiptar, por mysliman dhe se po punon për islamizimin e tërë Ballkanit, është treguesi më i mirë se Islami Politik në Kosovë dhe trevat mbarë shqiptare po lulëzon. Ky agjent serb dhe pinjoll i Vuçiçit, që nën petkun e hoxhës, po e kryen misionin e tij të dalë nga elaboratet serbe për shkatërrimin e identitetit kombëtar shqiptarë dhe zëvendësimin me identitet fetar islam. Ky agjent i shërbimit sekret serb, nuk ndalon vetëm me këtë deklaratë raciste kundër Kombit Shqiptar në Luginë të Preshevës, por vazhdon edhe në qytetin Historik të Prizrenit, ku në vend që të gjuhet me gurë mbi të, i duartrokasin fatkeqësisht shqiptarët. Si ka mundësi ta lejojë shteti i Kosovës, të lëvizë i lirë nëpër Dardaninë tonë të dashur dhe të vjellë vrerë racizmi kundër Kombit Shqiptarë. Ky emisar faqezi duhet të arrestohet dhe të burgoset bashkë me bashkëpuntorët e tij në Kosovë dhe gjetiu”, u shpreh Tahiraj për “Bota sot”.

Sipas tij, kjo veprimtari e këtij agjenti serb, i maskuar si “hoxhë faqezi”, së bashku me shumë misionarë tjerë në Kosovë, nën maskën e “hoxhallarëve faqezinj”, po veprojnë hapur pa kurrfarë frike për ta shkatërruar çdo gjë që është shqiptare.

“Hapur, pa fije frike në rrjete sociale, në portale dhe televizion, në xhamia dhe vende publik fyejnë; flamurin Kuç e Zi, Krye-heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriotin, figurat më të rëndësishme historike të kombit tonë, humanisten e madhe, nobelisten Nëna Terezë, Kanunin e Lekë Dukagjinit si pjesa më e rëndësishme e kulturës dhe traditës sonë, muzikën tradicionale shqiptare, instrumentin tonë tradicional Çiftelinë, e shumë e shumë gjëra tjera të kulturës dhe traditës sonë. Të gjitha këto bëhen për të zhdukur çdo gjë që është shqiptare dhe për ta zëvendësuar me kulturën, traditën, zakonet turko-arabe dhe me sheriatin arab. Me ligjëratat e tyre famkeq, këta misionarë-hoxhallarë faqezi e kanë infektuar thellë rininë tonë shqiptare dhe po e kthejnë kundër kulturës, traditës dhe zakoneve të bukura shqiptare. E kanë ndryshuar edhe pamjen e individit, veshjet e tija, sjelljet dhe edukatën tradicionale shqiptare. E kanë ndryshuar pamjen e Dardanisë sonë të bukur me aq shumë xhamia të ndërtuara pa leje dhe plan urbanistik. Kur i shikon të krijohet përshtypja që nuk je në Dardani, por në ndonjë shtet arab”, nënvizon ai.

Tahiraj, shprehet i habitur dhe i zhgënjyer me institucionet përgjegjëse të shtetit tonë të cilat, sipas tij heshtin dhe me një qetësi të çuditshme e lejojnë këtë shkatërrim kombëtarë.

“Gjithashtu pyes veten, i habitur se ku janë; shkollat tona, universitetet, institutet, akademia dhe shumë intelektual, pse heshtin dhe janë dorëzuar para këtij shkatërrimi kombëtar? Jo vetëm që janë dorëzuar por disa janë kthyer në shërbëtorë dhe zëdhënës të këtij shkatërrimi që po e bënë ky Islam Politik Radikal”, shtoi Tahiraj.

Më tej, ai foli edhe për “Lëvizjen Deçani” duke thënë se e njëjta u formua në shenjë revolte ndaj deformimeve fetare dhe shkatërrimeve kombëtare.

“Duke e parë këtë rrugëtim që po na dërgon në vetëvrasje kolektive si komb, lindi „Lëvizja e Deçani“ e cila në shenjë revolte doli haptas në Deçan me 20.10.2023,duk ju kundërvënë këtyre deformimeve fetare dhe shkatërrimeve kombëtare që fatkeqësisht dhe pa fije etike, po bëhen në emër të Islamit dhe Allahut. Në ballë të kësaj lëvizjeje është dashur të dalin elita intelektuale e kombit tonë, si në vitet e 90-jeta më në krye profetin Rugova. Jo vetëm që nuk po dalin dhe përkrahin, por disa nga ta dolën dhe e sulmuan paftyrsisht „Lëvizjen e Deçani “duke u rreshtuar me vetëshkatrrimin, Islamin Politik Radikal”, nënvizoi ai.

Tahiraj iu përgjigj edhe akuzave se kjo lëvizje financiohet nga Serbia.

“Ata shkuan aq larg në pafytyrësi sa që na akuzuan se po na financuaka Serbia. Të mbrosh flamurin Kuç e Zi, figurat madhore kombëtare, gjuhën e bukur Shqipe, kulturën, Historinë, traditën, zakonet tona kombëtare, po dashka me na financua Serbia! Vërtet është fatkeqësi kombëtare që kemi kësi soji të pseudointelektualëve dhe pseudohistorianëve”, theksoi ai.

Sipas veprimtarit Tahiraj, në Deçan dolën burrat më të mirë të kombit për t’i thënë ndal të keqes, ndal vetshkatërrimit , ndal vetëvrasjes kombëtare.

“Si më parë kur filluam para katër dekadave, në vazhdimësi pa u ndaur kurrë, “shërbim të atdheut dhe kombit. Po vazhdojmë tutje, më të vendosur se kurë me moton „Fe mbi fe është SHQIPTARIA”, nuk ka fuqi që na ndalë deri në fitoren përfundimtare të saj. Po i kthejmë përgjigje këtij misionari serb dhe të gjithë misionarëve tjerë të maskuar si hoxhallarë Sanxhakun do e shqiptarizojmë për të vazhduar tutje ku kishte Shqiptarë prapë do ketë SHQIPTARI. Islamizimi i juaj pro-serb do të dështojë turpshëm përballë SHQIPTARISË, do kthehet aty nga ka ardhur.”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat