“Katastrofike”, Biserko e ashpër me Vuçiqin - ja çka thotë për shtatë kërkesat e vendosura ndaj Kosovës

Politika

“Katastrofike”, Biserko e ashpër me Vuçiqin - ja çka thotë për shtatë kërkesat e vendosura ndaj Kosovës

Nga: A.M. Më: 17 shtator 2024 Në ora: 10:01
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, Sonja Biserko dhe Aleksandar Vuçiq

Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që ka përmendur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për Kosovën.

E këto kërkesa të Vuçiqit, që u parashtruan me 13 shtator, i ka komentuar Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, Sonja Biserko.

Ajo në një prononcim për “Bota sot” vlerësoi se politika e presidentit serb ndaj Kosovës është “katastrofike”.

Po ashtu, Biserko theksoi se fjalimi i Vuçiqit ishte përpjekje e tij për për t’i rikthyer disa çështje në agjendën e dialogut, por që nuk do jetë e mundur, kjo për disa shkaqe.

“Politika e tij për Kosovën ishte katastrofike sidomos ndaj serbëve në veri të cilët nuk u lejuan të shprehin vullnetin e tyre të lirë dhe të artikulojnë interesat e tyre. Dy vjet më parë Beogradi i urdhëroi ata që të largohen nga institucionet e Kosovës, të mos marrin pjesë në zgjedhje dhe regjistrim. Fjalimi i tij drejtuar kombit ditë më parë është një përpjekje për t’i rikthyer disa çështje në agjendë. Nuk është e mundur ashtu siç e imagjinon Vuçiq, sepse në ndërkohë realiteti ka ndryshuar. Kosova tani është plotësisht nën kontrollin e shtetit të Kosovës dhe kjo nuk do të ndryshojë”.

Krahas kësaj, ajo shtoi se Serbia nuk ka forcë të shkaktojë konflikt të ri, pasi i gjithë rajoni i Ballkanit është nën mbikëqyrje të NATO-s, BE-së dhe SHBA-së.

“Beogradi nuk është në gjendje të përfshihet në ndonjë lloj konflikti të ri sepse i gjithë rajoni është nën mbikëqyrjen e ashpër të NATO-s, BE-së dhe SHBA-së, sidomos pas rastit të Banjskës.

Opozita u kundërpërgjigj menjëherë duke akuzuar Vuçiqin për dështimet e tij, disa shkuan edhe në Kosovë, por në fakt çështja e Kosovës është jashtë agjendës dhe është koha për të pranuar realitetin e ri. Kosova tani është përgjegjëse për integrimin e serbëve në veri dhe shpresoj se kosovarët do të tregojnë pjekuri dhe solidaritet përkundër të kaluarës së trazuar”, përfundoi Sonja Biserko për “Bota sot”.

Kërkesat e Serbisë

Kujtojmë, se sipas dokumentit, Serbia kërkon:

shpalljen dhe mbajtjen e "zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike" në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.

kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore.

tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga "bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme" në veriun e Kosovës.

tërheqjen e Policisë nga të gjitha institucionet "të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme në vitin 2024 ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët".

formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë" të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe

kryerjen e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbë, dinarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat