Ndonëse agresioni në Banjskë nxiti shqetësime për stabilitetin në rajon, bashkësia ndërkombëtare i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve.
Më 24 shtator mbushet një vit nga agresioni i Serbisë në fshatin Banjskë.
Javën e kaluar Prokuroria ka njoftuar se është ngritur aktakuzë ndaj 25 terroristëve të përfshirë në sulm, përfshirë edhe Millan Radoiçiqin.
Sipas prokurorit të rastit, Naim Abazi, të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal – nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe pastrimi i parave.
"Në mesin e të akuzuarve kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit, Millan Radoiçiq, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale," tha Abazi në një konferencë për media.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi i çështjeve politike, Sadri Ramabaja.
Ai e konsideron si të vonuar ngritjen e aktakuzës, ndonëse thotë se është një hap pozitiv.
Ramabaja tregon një kronologji të ngjarjeve që sollën sulmin në Banjskë, ndërsa tregon edhe synimin që kishte Serbia.
“Prokuroria Speciale duket se ka bërë një punë të mirë. Vonesa në këtë plan duket disi e motivuar. Sidoqoftë, fakti se ky segment i Drejtësisë sonë, ndër më qenësorët e tij, gjatë këtij procesi, siç bëhet e ditur, paska bashkëpunuar me institucionet simotra dhe ato të fushës së sigurisë të partnerëve tanë, para së gjithash me ato të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, më jep shpresë se ky proces do të ecë tutje drejt dhe do të ketë një epilog të dobishëm si për drejtësinë ashtu edhe për rendin tonë kushtetues.
Kam përshtypjen se gjatë procesit, Prokuroria do të ketë arsye bindëse që ta ri kualifikojë akuzën, duke e cilësuar këtë akt, të tillë siç ishte: Agresion ushtarak të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës.
Në të drejtën ndërkombëtare precizohet qartë roli i shtetit në veprime të kësaj natyre.
Shtetet veprojnë nëpërmjet organeve, respektivisht përmes strukturave ekzekutive brenda këtyre instancave shtetërore. Nëpërmjet ligjit të tij organizativ, shteti përcakton se kush çfarë roli luan në një konflikt të armatosur. Në rastin konkret konflikti kishte për objektiv aneksimin e veriut të Kosovës, siç e dëshmojnë provat materiale dhe informacionet që tashmë posedon Prokuroria”, shpjegon Ramabaja.
Në bisedë e sipër njohësi thekson që kjo strukturë që ushtroi agresion më 24 shtator 2023 ka qenë e autorizuar të marr pjesë drejtpërdrejt në luftë për aneksimin e veriut në emër të shtetit serb.
Duke vazhduar Ramabaja shton që shpallja tri ditë zie për pjesëtaret e rënë në këtë betejë në Beograd, flet qartë se ata janë trajtuar si ushtarë të Armatës serbe.
“Ky konflikt do të përfshinte së paku dy shtete: Serbinë dhe Kosovën. Konflikti ishte inicuar nga pjestarë të një strukture të armatosur, të uniformuar dhe me një hierarki komanduese, që kishte depërtuar nga Serbia dhe pati si strehë sërish territorin e Serbisë. Siç dëshmojnë provat, ajo strukturë ushtarake kishte shfrytëzuar të njëjtën skemë, si simotrat e saj ruse në Donbas. Këta ushtarë serb për kohë të gjatë kishin shërbyer edhe në struktura të ashtuquajtura “çlirimtare” me emrin “Brigadat e Veriut” dhe “Rojet e Uërs”, që tashmë anë shpallur nga Qeveria e Republikës së Kosovës si struktura terroriste.
Kjo strukturë që ushtroi agresion më 24 shtator 2023 ka qenë e autorizuar të marr pjesë drejtpërdrejt në luftë për aneksimin e veriut në emër të shtetit serb. E drejta ndërkombëtare ashtu si edhe e drejta nacionale e secilit shtet, edhe e Serbisë në këtë rast, e përcakton se kush është një luftëtar për një shtet. Shpallja tri ditë zie për pjesëtarët e rënë në këtë betejë në Beograd, flet qartë se ata janë trajtuar si ushtarë të Armatës serbe, ndërkaq trajtimi i tyre si “kryengritës” e “çlirimtar” nga ana e presidentit serb edhe në fjalimin e tij bombastik më 13 shtator 2024, e bën edhe më të qartë faktin se kishim të bënim me agresion të organizuar mirë nga ana e shtetit serb”, thotë ai.
Ndërsa sa i përket sigurisë në vend duke u gjendur në këtë situatë të ngritjes së aktakuzës Ramabaja thotë që vizita e Burns ruajti paqen përballë agresionit kriminal të Serbisë.
“Evropa Juglindore ndodhet buzë një gremine të re. Vetëm ultimatumi i SHBA-ve përmes shefit të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ëilliam Burns, me vizitën e tij të fundit në rajon, parandaloi shpërthimin këtë vjeshtë dhe po ruan paqen përballë agresionit kriminal të Serbisë”, potencoi Ramabaja.
Duke vazhduar bisedën njohësi përmend adresimin e Vuçiqit të 13 shtatorit, duke përmendur edhe planet që thurte gjatë kohës së dialogut me Kosovën.
“Në një adresim para kombit, më 13 shtator, Vuçiq u shpreh jo pa arrogancë, se Serbia beson që përmbushja e kërkesave përbën “parakushtet e domosdoshme për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ai në fakt po kërkon rikthimin e historisë aty ku ai dështoi – në nëntorin e vitit 2022, kur Vuçiqi urdhëronte policët serb të zhvishnin uniformat e Policisë së Kosovës; kur ai u kërkonte gjykatësve dhe prokurorëve serb, të linin institucionet e drejtësisë... dhe të hidheshin në barrikada. Natyrisht këta hapa ai i bënte duke i cilësuar si hallka të planit të tij për aneksimin e veriut, që do të pasonin me përplasjen e ashpër të “ushtarëve pa uniformë” me njësitë e KFOR-it më 29 maj 2023 dhe me “ushtarët e gjelbër” pa simbole, që imitonin trupat ruse në Donbask, që do të sulmonin Kosovën më 24 shtator 2023. Gjithë këto veprime Vuçiqi i bënte gjatë kohës sa dialogonte në Bruksel dhe vetëm disa muaj pasi ishte akorduar për Marrëveshjen e shkurtit 2023 në Brusel! Jemi në kohën pra, kur presidenti serb po përgatiste terrenin për pushtimin faktik të veriut të Kosovës [më 24 shtataor 2023], kur ai pësoi fiasko me agresionin e sprovuar”, shpjegon ai.
Në fund Ramabaja përmend kërkesat e Vuçiqit dhe qëllimet që i njejti ka për Kosovën.
“Prandaj status quo ante për të cilin pledon Vuçiqi do të shërbejë më shumë si përpjekje për blerje kohe, për aq sa lufta në Ukrainë po vazhdon.
Në fakt ai do të donte ta shpallte Kosovën si territor të okupuar, ashtu si i kishin sugjeruar qarqet më ekstreme dhe Kisha. Por, ja se si arsyetohet ai pse nuk e ndërmori këtë hap:
“Ekspertët tonë ligjorë ishin absolutisht kundër”, u ankua presidenti serb, duke ju referuar këtij plani të paralajmëruar si hapi më real i pritshëm, siç njoftonin mediat e afërta me pushtetin .
“Okupimi, ose okupimi ushtarak, është i mundshëm vetëm në konflikte të armatosura ndërkombëtare. Kjo do të thoshte që ne e njohim territorin e Kosovës si territor të një shteti tjetër. Prandaj edhe nuk shkuam me masën e deklarimit të okupimit.”
Prandaj ai ka parashtruar kërkesa, që de fakto i parasheh Marrëveshja e Brukselit dhe ishin në proces të realizimit. E qartë, ato në këtë trajtë taksative i ka imponuar përveç ndryshimi real në terren, respektivisht kontrolli i terrenit nga mekanizmat shtetëror dhe ushtrimi i sovranitetit të plotë kudo e kurdo, edhe ultimatumi i drejtorit të CIAs që duket se ia ka lënë në tavolinë gjatë vizitës së tij në rajon”, përfundoi Ramabaja për “Bota sot”.