Dialog pa rrugëdalje, nuk priten zhvillime pozitive: Ndërkombëtarët kanë dështuar!

Politika

Dialog pa rrugëdalje, nuk priten zhvillime pozitive: Ndërkombëtarët kanë dështuar!

Nga: A.M Më: 17 shtator 2024 Në ora: 22:35
Albin Kurti, Aleksander Vuçiq

Ka kaluar më shumë se një vit, që kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të fundit.

Dialogu po vlerësohet se ka stagnuar, derisa nuk ka ndonjë progres në këtë aspekt.

Pala serbe në vazhdimësi provokon, lëshon deklarata kërcënuese dhe nuk pranon të zbatojë marrëveshjet e arritura deri më tani.

Mes gjithë këtyre zhvillimeve, nuk dihet ende se çfarë pritet të ndodhë me fatin e dialogut dhe se a mund të ketë takim Kurti-Vuçiq, para zgjedhjeve të 9 shkurtit.

E për këtë çështje, foli njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, derisa tha se dialogu ka marrë disa ‘goditje’ nga pala serbe.

Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se mungesa e një takimi të nivelit të lartë në kuadër të negociatave, nuk përbën risi.

“Dialogu si proces ka marrë herë pas here goditje nga veprimet destruktive të palës tjetër dialoguese, fqinji ynë verior, Serbia. Si vijimësi ka pasur edhe lëndim politik ndaj përfaqësuesve shtetëror, përfshirë dhe kryeministrin e Republikës, sa herë që Serbia përmes veprimeve të saja tregonte destruktivitet. Andaj dhe, mungesa e një takimi ndërmjet krerëve shtetëror, nuk paraqet risi dhe as humbje rezultatesh”.

Image
Shqiprim Pula

Krahas kësaj, Pula tha se fatkeqësisht po dialogohet me një shtet që në vazhdimësi bën fushata të egra dhe minon sovranitetin e shtetit tonë.

“Fatkeqësisht, ne, si institucione kemi hyrë në një proces dialogimi me një palë që vazhdimisht na e ka kontestuar shtetësinë dhe na e ka minuar subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës, përmes fushatave të egra të saj si për njohjet ashtu dhe për anëtarësimet në organizma ndërkombëtar”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare shtoi se nuk ka rëndësi nëse do të zhvillohet një takim Kurti-Vuçiq, para apo pas zgjedhjeve.

Sipas tij, fajtor për stagnim të dialogut është bashkësia ndërkombëtare, pasi po i besojnë njerëzve të gabuar.

“Pra, një takim eventual para apo pas zgjedhjeve ka më pak rëndësi, sa ka rëndësi ndrrimi i qasjes së Serbisë politike ndaj Republikës së Kosovë. Për këtë gjë, faktori europian e ndërkombëtar kanë dështuar në çdo aspekt duke besuar në persona të gabuar, siç janë krerët aktual Serb, sepse të njëjtit dikur kanë përfaqësuar një politikë segregacioni kundër Kosovës gjatë fundshekullit të kaluar, prandaj si qeveria aktuale si qeveria e dalë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk do ketë pritshmëri të mëdha”, përmbylli Shqiprim Pula për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat