U sanksionua apo jo Policia e Kosovës? Komentohet deklarata e fundit e Rashit Qalajt

Politika

U sanksionua apo jo Policia e Kosovës? Komentohet deklarata e fundit e Rashit Qalajt

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 18 shtator 2024 Në ora: 10:07
Foto ilustrim

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, tash deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ditë më parë ka dhënë një deklaratë për Policinë e Kosovës, duke thënë se Policia është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, nuk është duke marr më pjesë në trajnime të FBI-së dhe PK-së i janë ndalur edhe trajnimet në Gjermani.

“As një parti politike, as kush, as një politikan, pavarësisht a është i pozitës apo i opozitës nuk duhet të ketë tendenca të përzierjes në punët operacionale të policisë. Mund të them që PK-ja veç është sanksionuar nga ShBA-ja me qenë se ka vite që askush më nuk shkon në trajnime në FBI”.

“Me sa kam informata janë ndalur edhe trajnimet në Gjermani e kështu me radhë, prandaj këto janë masat që janë duke u marr fatkeqësisht ndaj Policisë së Kosovës”, ka thënë Qalaj.

Tali: Tashti më jemi futur në fazën parazgjedhore, bëhen edhe kësi deklaratash

Image
Driton Tali

Analisti Driton Tali, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se kjo është deklaratë fushatash duke shtuar se tani partitë akuzojnë njëra - tjetrën, sa më shumë që t'i afrohemi zgjedhjeve.

Nuk duhesh të jesh gjeni për ta ditur se pretendimi që "Policia e Kosovës është nën sanksione nga SHBA" nuk qëndron, është deklaratë fushatash.

Tashti më jemi futur në fazën parazgjedhore dhe këso deklarata do të dëgjojmë edhe më shumë nga partitë duke e akuzat njëra tjetrën, sa më shumë që t'i afrohemi zgjedhjeve.

Ndonëse nuk do të duhej të bëheshin çështje fushatash disa institucione esenciale të shtetit tonë të brishtë si p.sh Policia apo FSK-ja por ja që po bëhen”, shprehet ai.

Sipas tij, kjo metodë, nuk është e Kosovës por ka filluar diku tjetër, duke thënë se Kosova veç po përcjell trendin.

“Megjithatë, siç thuhet "është lehtësuese" për neve fakti se kjo modë e fushatës - ku partitë rivale atakojnë njëra tjetrën në gjithçka dhe me gjithë arsenalin që e posedojnë - nuk e kemi inovuar ne por ka filluar diku tjetër. Kosova veç po e përcjell trendin. Bie fjala tashti jemi dëshmitarë në ShBA si po bëhet fushata presidenciale.

Por, dua të besoj se votuesit e paanshëm (ata të paparti) nuk do të bien viktimë e këtyre sihariqeve. Gjersa ata të strukturuarit do t'i votojnë partitë e tyre pa marrë parasysh rrjedhjen e fushatës”, përfundon ai.

Elezi: Ne kemi nevojë për një Polici profesionale

Image
Bedri Elezi

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se ky duhet të jetë një lajm tronditës që Policia e Kosovës nuk mund të marrë pjesë në trajnime të FBI-së.

Tutje, thotë se në FBI duhet të ketë disa kritere që Policia jonë duhet t’i plotësojë, e që ai thotë se janë shkelur dhe për këtë arsye FBI i ka mbyllur Policisë çdo komunikim.

“Pretendimet për policinë të ish drejtorit Rashit Qalaj, se policia e Kosovës është sanksionuar tejet i rëndësishëm i Policisë së Kosovës, FBI, që për shkak të atyre sanksioneve Policia e Kosovës ka kohë që nuk merr pjesë në trajnime të cilat organizohen nga FBI, atëherë është një lajm tronditës për vet sigurinë e Policisë së Kosovës.

Në fakt SHBA kanë disa kritere të cilat duhet shkelur për të arritur deri tek masat siç janë sanksionimet. Policia e Kosovës apo Ministria e Punëve të Brendshme ka arritur t’i shkelë të gjitha ato kritere të cilat FBI i trajton për mbyllë komunikimin, rrugën dhe mundësinë e Policisë së Kosovës për trajnime profesionale, andaj degradimi është serioz dhe marrëdhënia është tejet serioze”, thotë ai.

Në fund, Elezi shprehet se Kosova ka nevojë për një Polici profesionale e cilat merret për bazë edhe nga institucionet ndërkombëtare.

“Policia e Kosovës edhe më parë ka pas fatin që të jetë krah policisë amerikane, sigurisë më të fuqishme në botë e cila por nëse kjo është ndërprerë për shkak të veprimeve të Policisë së Kosovës, ne mendojmë që urgjentisht duhet të merren masa, fillimisht duke i vendosur para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë degraduar këtë marrëdhënie dhe më pas për të krijuar kanale të reja komunikimi dhe për t’u larguar sanksionet nga Policia e Kosovës.

Ne kemi nevojë për një Polici profesionale e cila trajnohet në institucione ndërkombëtare të sigurisë të cilat kanë për qëllim zbatimin e ligjit dhe janë institucione që zhvillohen krahas normative koherente, siç janë shtetet të cilat kanë një demokraci dhe llogaridhënie të theksuar”, përfundon ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat