Presidenti serb, Aleksandër Vuҫiq pak ditë më parë ka paraqitur kërkesa të reja karshi Kosovës, si kusht për të vazhduar dialogun në Bruksel. aika thënë se Serbia beson që përmbushja e kërkesave përbën “parakusht të domosdoshëm për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk ekziston ai mrekullibërës që mund t’u sjellë serbëve një zgjidhje të mirë për Kosovën. E pranoj. Edhe pse jam presidenti që ka zhvilluar më së shumti bisedime”, ka thënë Vuçiq pak ditë më parë.
“Sipas dokumentit, Serbia kërkon:
-shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.
– kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore.
-tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga “bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme” në veriun e Kosovës.
-tërheqjen e Policisë nga të gjitha institucionet “të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme në vitin 2024 ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët”.
-formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe
-zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë” të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe
-kryerjen e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbë, dinarë”.
Këto deklarime të fundit të Vuҫiq nga shumë njohës të politikës janë komentuar si të ri që Serbia mund ta nxisë në Kosovë. Lidhur me këtë ҫështje, për ‘Bota sot’ ka folur publicisti dhe njohësi i ҫështjeve politike, Idriz Zeqiraj. Ai thotë se, presidenti serb, Aleksander Vuçiq, përsëritshëm thotë se "Serbia është e gatshme për dialog, por Kosova refuzon!" ‘Kjo është për konsum të opinionit vendor dhe ndërkombëtar, për ta fajësuar Kosovën se, gjoja, "e pengon atë dhe nuk është e gatshme për marrëveshje kompromisi në mes të palëve". Dhe, këtë shpifje groteske të Vuçiqit e besojnë, natyrisht, me porosi të Serbisë, aleatët e saj ndërkombëtarë’.
“Por kjo gënjeshtër vetë demantohet nga Vuçiqi me 7 (shtatë) kërkesat e fundit, kërcënuese dhe ultimative, të bëra Kosovës, si kushtëzim të vazhdimit të dialogut Serbi-Kosovë. Dhe, secila syrësh është më alogjike dhe më absurde se tjetra, ngaqë janë të papranueshme për Kosovën, rrjedhimisht, të parealizueshme për Serbinë. Ishte Beogradi zyrtar, respektivisht, presidenti Vuçiq, ai që urdhëroi largimin nga funksionet komunale dhe qendrore të serbëve, me qëllim të kundërshtimit dhe të bojkotimit të institucioneve legjitime të Kosovës. Urdhër largimi nga vendet e punës iu dha edhe zyrtarëve të Policisë dhe të gjyqësisë të Kosovës.
Zyrtarët, qofshin në funksionet komunale apo qendrore, policët dhe zyrtarët, ishin, kryesisht, të Listës Serbe. Qeveria e Kosovës, institucionet e saja, nuk janë "Hani i Dilit" (të dikurshëm në Prishtinë), për të hyrë e dalë, kujt t`i teket. Largimet vullnetare nga vendet e punës, me qëllime të errëta, të pista dhe thellësisht armiqësore ndaj shtetit të Kosovës, nuk mund të amnistohen, të tejkalohen pa ndëshkim. Dhe, ndëshkimi më i lehtë, duhet të jetë mos dhënia e mundësisë, për t`u kthyer në funksionet e braktisura, për qëllime skajmërisht të poshtra të Serbisë, me qëllim aneksimin, shkëputjen e veriut të Kosovës dhe bashkangjitjen Serbisë”, vlerëson ai.
Ai thotë poashtu se, duhet t`ua kujtojmë të zgjedhurëve me votën e popullit, të cilët kanë dhënë edhe betimin, për shërbim me korrektësi dhe besnikëri për Atdheun Kosovë. Komunarët e zgjedhur dhe Policia dhe Gjyqtarët e Kosovës, të emëruar nga strukturat përkatëse institucionale, nëse largohen vullnetshëm dhe në mënyrë demonstrative, kanë shkelur ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Dhe, kjo përjashton mundësinë e rikthimit të zyrtarëve në funksionet e braktisura.
“Vuçiq, në "pamfletin" e tij, kërcënues dhe ultimativ, kërkon, madje ngutshëm "shpalljen dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale, të lira e demokratike, në 4 (katër) komunat, me shumësi serbe, në veriun e Kosovës. Kjo kërkesë cinike, paradoksale e rrast provokative, bëhet nga ai që vet urdhëroi lëshimin, madje me duartrokitje e ceremoni, të vendeve të punës, për qëllime të poshtra dhe, tërësisht, kriminale. Edhe pas bojkotit të parë të zgjedhjeve nga serbët e instrumentalizuar nga Beogradi, me insistimin e Serbisë dhe të disa eksponentëve ndërkombëtarë, u rimbajtën edhe një palë zgjedhje, të dytat me radhë, të cilat, sërishmi, u bojkotuan nga serbët, me porosi direkte të presidentit Vuçiq, ish-zëdhënës i Millosheviçit, përkatësisht, megafon i krimeve monstrume ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare! Çuditërisht, Vuçiq kërkon edhe tërheqjen e Policisë Speciale nga territori verior, për t`u lënë dorë të lirë bandave kriminale të tij, të cilat përndjekin dhe persekutojnë qytetarët serbë, për mosbindje ndaj urdhrave që vijnë nga Beogradi si dhe të komuniteteve tjera në veriun e Kosovës”, thekson Zeqiraj.
Publicisti thotë se Vuҫiq poashtu po tenton të tensionoj gjendjen dhe se Serbia po prganizon nxitjen dhe financimin e grupeve kriminale në veriun e Kosovës.
“Vuçiq shton kërkesa tjera absurde, si "krijimin e një prokurorie të posaçme speciale", që tensionon gjendjen, artificialisht, sepse cenon sovranitetin juridik e kushtetues të Republikës të Kosovës. Me porosinë e dhënë ministrive në Beograd, kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, për angazhimin për ruajtjen e pronës të serbëve; Kosova të shpallet territor i mbrojtjes speciale e sociale; t`i kërkohet Kuvendit të Serbisë shpalljen e paligjshme të akteve të miratuara, që nga shpallja e Pavarësisë dhe përrallëzime të tjera kriminale dhe rrugaçërore. Serbia organizon nxitjen, financimin e grupeve kriminale në veriun e Kosovës, për barrikadimin e rrugëve dhe të akteve tjera të dhunshme e vandaliste”, vlerëson analisti.