Paralajmërohet dimër i ‘nxehtë’ politikisht në Kosovë

Politika

Paralajmërohet dimër i ‘nxehtë’ politikisht në Kosovë

Nga: P.R Më: 19 shtator 2024 Në ora: 14:01
Foto ilustrim

Me shpalljen e zgjedhjeve me 9 shkurt të vitit të ardhshëm nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, si duket partitë politike kanë ndezur motorët e tyre.

Edhe pse ende zyrtarisht nuk ka nisur fushata parazgjedhore, ditëve të fundit pothuajse gjitha partitë politike po vazhdojnë mbajtjen e tubimeve të ndryshme elektorale me simpatizantë, me qëllim të sigurimit të votës së tyre.

E këtë gjë po e sheh si një paralajmërim për një dimër të ‘nxehtë’ politikisht në Kosovë, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faton Mehmeti.

“Patjetër se Kosova veç se ka hy në para fushatë, e cila paralajmëron e do të kemi fushatë të “egër” dhe një dimër të “nxehtë” politikisht mes dy partive kryesore opozitare për të fituar rolin e prijësit të opozitës”, shprehet Mehmeti.

Ai thotë se LDK dhe PDK do të luftojnë edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit se cila do të dalë partia më e fuqishme opozitare.

“Pra, LDK dhe PDK do të luftojë fortë për vendin e tyre e rrjedhimisht edhe për të marr bajrakun e opozitarizmit. Meqenëse VV dihet se del e para, lufta zhvillohet për vendin e dytë”, thekson Mehmeti.

“Një garë tjetër e fortë zhvillohet edhe mes AAK-së për mbijetesë, pasi frikësohet se edhe bashkë më NISMËN nuk e kalojnë pragun”, shton Mehmeti.

Për fund, Mehmeti paralajmëron se Lëvizja Vetëvendosje është ajo e cila do të dalë fituese edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm.

“Por të gjithë këto, përjashto VV, i bashkon sulmi verbal ndaj qeverisë, nga frika se Kurti qysh tani mund të fitojë edhe mandatin e tretë, të dytin veç se e ka të sigurtë. Andaj, si rrallë herë dihet fituesi, me garën që do të jetë e fortë për vendin e dytë”, përfundon analisti Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat