“Të turpshme”, deputeti reagon ashpër ndaj sjelljeve të Borrellit, Lajçakut e Stanos – ja çka thotë për kërkesat e Vuçiqit!

Politika

“Të turpshme”, deputeti reagon ashpër ndaj sjelljeve të Borrellit, Lajçakut e Stanos – ja çka thotë për kërkesat e Vuçiqit!

Nga: A.M. Më: 19 shtator 2024 Në ora: 19:36
Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak

Bashkimi Evropian, duke iu referuar masave dhe thirrjeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për serbët në Kosovë, u bëri thirrja të dyja vendeve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Zëdhënësi i saj, Peter Stano, ndër të tjera mirëpriti “gatishmërinë” e Vuçiqit, për angazhim ne dialogun me Kosovën.

“Ne e mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiq për të vazhduar angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pozitivisht e marrim edhe thirrjen e tij për serbët e Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe të riintegrohen në të gjitha institucionet e Kosovës, nga të cilat janë larguar në vitin 2022”, tha Peter Stano.

E në lidhje me kërkesat e Vuçiqit dhe këtë qasje të BE-së, në një prononcim për “Bota sot” foli deputeti i Kuvendit nga Lista Guxo, Nasuf Bejta.

Se pari, ai rikujtoi se tash e një kohë në vazhdimësi deklaron se BE po e ‘ledhaton’ Serbinë, derisa qartasi po vërehet njëanshmëria në këtë rast.

“Më lejoni që t’ju kujtoj se që moti kam deklaruar se BE po e ledhaton Serbinë, në vend që ta dënojë e ta ndëshkojë.

Ai që ka jetuar e jeton në këto troje me të vërtetë, nëse veç pak analizon, e sheh shumë lehtë njëanshmërinë e BE-së”.

Image
Deputeti i Kuvendit nga Lista Guxo, Nasuf Bejta.

Po ashtu, Bejta vlerësoi se është absurde të mbështetet një shtet që ofron vetëm urrejtje dhe destruktivitet (Serbia), derisa kritikohet dhe kërcënohet në vazhdimësi Kosova, që po tenton të ofrojë paqe dhe harmoni mes popujve.

“Mendim i imi personal, dëshiroj të jem i gabuar, por, mendoj se zyrtarët e BE-së po sillen sikur Kosova nuk do të bëhet kurrë shtet dhe me vështirësi po pajtohen me realitetin e ri. Të kritikosh një shtet që gjithçka që ofron ka për qëllim paqen dhe harmoninë mes popujve dhe shteteve, madje ta kërcënosh e ta ndëshkosh, ndërsa ta ledhatosh e t’i shprehësh besim e admirim një shteti që asgjë nuk kontribuon për paqen por, ofron vetëm urrejtje e destruktivitet, kjo në mendimin tim paraqet absurditet të llojit të vet dhe sjellja e Europës s’ka se si të jetë ndryshe, veçse si ajo e “ujkut me qengjin””, theksoi ai.

Më tej, deputeti nga radhët e Lëvizjes Guxo u shpreh se beson tek krerët e shtetit të Kosovës dhe qasja e tyre ndaj këtyre zhvillime.

Në këtë rast, kritikoi ashpër Borrellin, Lajçakun e Stanon, duke thënë se sjelljet e tyre janë të turpshme.

“Për fatin tonë të mirë, këtë sjellje e kanë kuptuar shumë mirë krerët tonë institucional tek të cilët kam besim që nuk do të bëjnë asnjë koncesion në dëm të vendit.

Dhe në përfundim, gjithashtu nëse ata që erdhen në këto hapësira mendojnë e në sy të botës promovojnë botën e rreme serbe, gjithnjë sipas mendimit tim, po na detyrojnë që edhe ne të mendojmë për botën reale shqiptare ….

Përndryshe, BE po paraqitet shumë, shumë e njëanshme karshi problemit real dhe sikur kanë qenë në ëndërr e janë zgjuar në vitin 1878. Sjelljet e zyrtarëve europian: Borrel, Lajçak e Stano janë të turpshme dhe këta, nëse ka mbetë veç pak drejtësi, është dashur të largohen nga detyrat që kanë në dialog mirëpo…”, nënvizoi ai.

Për fund, kishte edhe një mesazh për presidentin serb.

“Harrova t’ju them se Kosova ka zot shtëpie dhe Vuçiq mund të kërkojë çka t’i bie ndërmend, po për ne nuk qojnë peshë fjalët dhe kërkesat e tij…”, përfundoi Nasuf Bejta për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat