Ish-dërguari special presidencial për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në një intervistë të publikuar në rrjetet sociale, ka folur për prokurorin Jack Smith, që ka lëshuar fletë arrestin për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe që më pas ka lënë Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe është kthyer në SHBA për të ndjekur penalisht ish-presidentin amerikan, Donald Trump.
Grennell ka folur edhe për ish-presidentin Hashim Thaçi, duke thënë se nëse Trump vjen në pushtet do të punojnë për ta liruar Thaçin nga burgu.
“Çfarë unë besoj, është që kur ne ishim duke bërë progres, Jack Smith ishte në Hagë atë kohë, targetoi presidentin Thaçi. Tani presidenti Thaçi vazhdon të jetë në burg dhe kjo është një mizori. Për mua është një mizori. S’ndjehem mirë për një situatë të tillë, sepse ne e ftuam që të vijë në SHBA të negociojë dhe ai u penalizua dhe shko në burg për këtë. Unë e ndjej që duhet të bëjë diçka që të nxjerr nga burgu dhe kam provuar dhe mezi pres që presidenti Trump të fitojë dhe sepse do ta nxjerrim Thaçin nga burgu”, ka thënë Grenell.
Kjo deklaratë po konsiderohet si mesazh jo i mirë mbi ndikimin e politikës në proceset gjyqësore, sidomos në kontekstin e Kosovës.
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, publicisti Rexhep Elezaj e ka komentuar deklaratën e z. Grenell, duke thënë se ndërhyrjet e tilla, veçanërisht nga përfaqësues të lartë politik janë të papranueshme dhe se sistemi gjyqësor në Hagë duhet të mbetet i pavarur.
“Është kjo një pyetje bukur delikate, ngase kemi të bëjmë me dy standarde në politikë, posaçërisht kur rreth proceseve gjyqësore deklarohen publikisht, ose tentojnë të ndërhyjnë politikanë të rangut të z. Richard Grenell, ish emisar special për Ballkanin perëndimorë, i emëruar nga ish presidenti D. Trump për dialogun Kosovë-Serbi (2020), gjë të cilën e dëshmon vetë deklarata e tij e dhënë para pak ditëve, “Se nëse fiton presidenti Trump, ne do ta nxjerrim z. H. Thaçi jashtë burgut”, e që shikuar nga aspekti politik është ndërhyrje në drejtësi, ani se nuk duhet përjashtuar mundësinë që një gjë të tillë edhe mund ta bën z. Grenell, kur dihet se në Amerikë në raste të caktuara burgu kompensohet me shuma të mëdha në të holla, por se a mund një metodë e tillë të funksionojë në Evropë, përkatësisht pranë Gjykatës speciale për Kosovën me seli në Hagë, këtë nuk e besoj”, shprehet Elezaj.
Mirëpo, Elezaj thotë se nuk beson që Trump mund të bëjë diçka konkrete për lirimin e Thaçit, nëse i fiton zgjedhjet në SHBA.
“Po ashtu, nuk besoj se z. R. Grenell, edhe po qe se ish presidenti D. Trump i fiton zgjedhjet e ardhshme në Amerikë, do mund të bëjë diçka konkrete për lirimin e z. Thaçi, ngase Dhomat e specializuara pranë Gjykatës speciale për Kosovën në Hagë nuk gjykojnë sipas ligjeve amerikane, ku kompensimi i burgut me të holla është i mundshëm, derisa vetëm me ndikimin e tij si një funksionarë i lartë amerikan mbi këtë Gjykatë, se mund ta liron z. H. Thaçi nga paraburgimi pa përfunduar procesi gjyqësor, as këtë nuk e besoj”, nënvizon ai.
Sipas tij, çdo përpjekje për të ndikuar në gjykatat ndërkombëtare është jo vetëm e pamundur, por edhe e pavend.
“Kështu që, në aspektin e çdo të drejte në SHBA dhe Evropë, një ndërhyrje e tillë politike nuk është e lejuar dhe as që mund të funksionon ashtu siç ka thënë z. Grenell, madje qoftë ai edhe vetë presidenti amerikan, z. D. Trump, po qe se i fiton zgjedhjet, andaj deklaratën e z. Grenell e konsideroj si të pavend dhe të panevojshme, kur dihet se gjykatat me karakter ndërkombëtarë janë krejtësisht të pavarura, dhe se çdo ndikim politik nga jashtë në proceset gjyqësore është i pamundur”, potencoi ai.
Në fund, Elezaj potencoi gjithashtu se besimi i qytetarëve në drejtësi nuk duhet të preket nga këto deklarata.
“Po ashtu, nuk besoj se deklarata e z. R. Grenell mund ta zbeh besimin e qytetarëve ndaj procesit gjyqësor, i cili po zhvillohet pranë Gjykatës speciale në Hagë, se ajo pas kësaj deklarate mund të mos ndajë drejtësi të plotë ndaj 4 ish udhëheqësve të UÇK-së, të cilët qe 4 vite po gjykohen pranë kësaj gjykate, dhe të cilën gjykatë, siç dihet e ka themeluar Kuvendi i Republikës së Kosovës, një proces ky i cili besoj se do të përfundojë shpejtë dhe drejtë ndaj z. H. Thaçi, J. Krasniqi, R. Selimi dhe K. Veseli”, përfundoi ai.