Kurtit i vjen një propozim nga Amerika për veriun e Kosovës: Bëje këtë hap për zvogëlimin e tensioneve; pikë e ndjeshme për BE-në

Politika

Kurtit i vjen një propozim nga Amerika për veriun e Kosovës: Bëje këtë hap për zvogëlimin e tensioneve; pikë e ndjeshme për BE-në

Nga: A.Zh Më: 20 shtator 2024 Në ora: 12:12
Albin Kurti

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Kosova asnjëherë nuk ka dashur dialog dhe se për çdo gjë është munduar të fajësojë Beogradin.

Ai ka deklaruar se Beogradi nuk po kërkon “asgjë më shumë se sa është dakorduar” me Kosovën.

“Kemi të bëjmë me njerëz, qëllimi i të cilëve është dëbimi dhe shkatërrimi i “popullit serb” në Kosovë. Ata nuk duan dialog, sepse thonë se janë shtet sovran. Nuk mendoj se atje na presin ditë më të mira, atje do të kemi probleme të panumërta, por Serbia do të jetë gjithmonë me njerëzit e saj në Kosovë. Është e jona të ndihmojmë njerëzit tanë. Gjatë gjithë ditës kanë paralajmëruar hapjen e urës në Ibër. Do të shohim nëse NATO do ta mbajë fjalën dhe shpresoj ta mbajë”, ka thënë Vuçiq për marrëdhëniet me Kosovën.

Por, Vuçiq nuk po përmbush pjesën e tij të marrëveshjes dhe vazhdon të luftojë kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës.

Këtë e pohon edhe profesori për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir.

Image
Alon Ben-Meir

Për gazetën “Bota sot”, eksperti amerikan ia ka kujtuar Vuçiqit se nuk po e zbaton as planin franko-gjerman, edhe pse ishte pajtuar me të.

Ai ka thënë se presidenti serb nuk mund të bëjë kërkesa ndaj Kosovës.

“Në fjalimin e tij të fundit, presidenti serb Vuçiq kërkoi që Kosova të përmbushë pjesët e marrëveshjeve të bëra mes dy vendeve, disa prej të cilave datojnë dhjetë vjet më parë, në veçanti Asociacioni i Komunave Serbe. Së pari, Vuçiq nuk është në gjendje të bëjë kërkesa të tilla, veçanërisht sepse ai vetë nuk i ka respektuar kurrë marrëveshjet që ka bërë, dhe në fakt, edhe pse verbalisht ka rënë dakord me planin franko-gjerman, më pas ka refuzuar ta nënshkruajë atë dhe zbatojnë ndonjë pjesë të tij. Nuk ka dyshim se Kosova do të dëshironte të ruante dialogun me Serbinë, por siç thotë thënia e vjetër, duhen dy për tango”, ka theksuar profesori.

Ai ka akuzuar presidentin serb se po e përdor Bashkimin Evropian, për të bërë presion ndaj Kosovës.

“Siç e kam thënë herë pas here në të kaluarën, kryeministri Kurti mund të kishte ndërmarrë disa veprime të njëanshme për të zbutur tensionin me Serbinë, por kjo nuk duhet të përkthehet në lëshime pa reciprocitet, dhe deri më tani Vuçiq nuk ka reaguar, dhe në një mënyrë, ka qenë duke u mbështetur në BE për të bërë presion mbi Kosovën”, ka nënvizuar Ben-Meir për “Bota sot”.

Sipas ekspertit, negociuesit janë në një pikë të ndjeshme. Ai ka shtuar se ata duan distancimin e Vuçiqit nga presidenti rus Vladimir Putin.

“Ndërmjetësuesit e BE-së gjenden në një pikë shumë të ndjeshme, sepse në një farë mënyre, sigurisht që do të dëshironin të avanconin dialogun për arritjen e marrëveshjeve të ndryshme të përkohshme, dhe kanë shprehur pakënaqësinë ndaj Kurtit që nuk ka dalë me ndonjë lëshim të rëndësishëm. Nga ana tjetër, ata po përpiqen ta distancojnë sa më shumë Vuçiqin nga Putini, të pengojnë Putinin të përdorë Vuçiqin si kanal për të keqen e tij dhe të destabilizojnë Ballkanin”, është shprehur profesori.

Ai i ka propozuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në komunat me shumicë serbe, pasi kështu do të uleshin tensionet dhe rriteshin shpresat për dialog mes të dyja vendeve.

“Duke thënë këtë, unë besoj se kryeministri Kurti duhet të lejojë që të mbahen zgjedhje të reja në komunat veriore të Kosovës, veçanërisht sepse zgjedhjet e fundit nuk përfaqësonin vullnetin e shumicës në këto zona. Një hap i tillë të paktën tani për tani mund të zvogëlojë tensionin me shpresën e rifillimit të dialogut me një vullnet të mirë mes dy palëve”, ka shtuar Ben-Meir për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat