Kundërpërgjigjja e ashpër që Kurti i dha Vuçiqit/ Zbulohet qëllimi i Serbisë: Ka për synim që në veri të…!

Politika

Kundërpërgjigjja e ashpër që Kurti i dha Vuçiqit/ Zbulohet qëllimi i Serbisë: Ka për synim që në veri të…!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 20 shtator 2024 Në ora: 14:05
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Ditë më parë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka parashtruar disa kërkesa për Kosovën.

Vuçiq ka kërkuar, shpalljen dhe mbajtjen e "zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike" në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian, kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun, dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre, tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga "bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme" në veriun e Kosovës, tërheqjen e policisë nga të gjitha institucionet "të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme në vitin 2024 ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët", formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë", të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe kryerjen e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbë, dinar.

E në lidhje me këto kërkesa ka folur kryeministri i vendit, Albin Kurti. Kurti deklaroi se masat e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq për Kosovën janë pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja. 

Teksa përmendi tri kushtet e tij, shefi i ekzekutivit u shpreh se të njëjtat janë racionale e paqësore. Shefi i ekzekutivit tha se masat e Vuçiqit për Kosovën bëhen nga dëshpërimi dhe janë jo-paqësore.

“Së pari duhet të flisni për tri kushtet që i kam vënë unë, e që janë kushte paqësore dhe racionale, do të thotë janë dorëzimi në autoritetet kosovare i Millan Radojiçiqit, është nënshkrimi i marrëveshjes dhe është gjithashtu tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, e cila tha që nuk e pranon as pavarësinë e Kosovës, as ulësen në OKB për Kosovën dhe as nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës. Ato tri kushte janë paqësore dhe racionale. Ndërkaq ato kërkesat e tij, masat e tij bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin jo-racionalitet e nuk janë aspak paqësore, por përkundrazi pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që pa dyshim nuk kanë vend as në Kosovë”, deklaroi Kurti.

Të gjendur në këtë situatë, si pritet të trajtohen kërkesat apo masat e presidentit të Serbisë nga Qeveria e Kosovës apo edhe nga ndërkombëtarët?

A e thelluan këto masa edhe më tej hendekun e krijuar në procesin e dialogut?

Voca: Politika serbe, me Vuçiq në krye, nuk ka ndryshuar nga qasja e saj tradicionale e agresionit dhe ekspansionit

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca.

Image
Mirsad Voca

Ai thotë se kjo deklaratë e kryeministrit vjen në një moment kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta.

Sipas tij, Kurti duhet të dërgojë sinjale të qarta për integrimin e të gjitha komuniteteve, përfshirë këtu edhe serbët.

Ndër tjera, sipas doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Kurti duhet të mos gjendet në konfrontim me aleatët.

Deklarata e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, vjen në një moment kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta, dhe dialogu midis palëve është në një fazë kritike. Kurti ka theksuar se masat e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, janë pjesë e një fushate agresive që synon përshkallëzimin e tensioneve dhe, ndoshta, krijimin e kushteve për konflikte të reja. Përmes tri kushteve të tij, Kurti përpiqet të paraqesë një qasje racionale dhe paqësore, duke theksuar se këto kërkesa janë të arsyeshme dhe synojnë stabilitetin dhe paqen në rajon.

Në këtë kuadër, Kryeministri i Kosovës duhet gjithashtu të dërgojë sinjale të qarta për integrimin e të gjitha komuniteteve, përfshirë serbët, duke mos lënë hapësirë për Beogradin që të manipulojë dhe përhapë propagandë. Kjo kërkon që të gjitha grupet të ndihen të përfshira në strukturat shtetërore dhe që të kenë një trajtim të drejtë. Për më tepër, Kurti duhet t’u japë më shumë hapësirë institucioneve kompetente që të trajtojnë çështje, si ato që lidhen me të drejtat kushtetuese, duke krijuar një sistem që mbështetet në sundimin e ligjit dhe në respektimin e të drejtave të të gjithëve. Kryeministri gjithashtu duhet të gjejë mënyrën për të mos u gjendur në konfrontim me shtetet aleate dhe të përshtatë qasjen e tij në mënyrë që të rreshtohet me ta. Besoj se të gjitha mund të arrihen përmes një bashkëpunimi të ngushtë me shtetet që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në forcimin dhe konsolidimin e Kosovës, duke e mbështetur në rrugën drejt stabilitetit dhe zhvillimit”, u shpreh ai.

Politika e Vuçiqit

Voca tutje vazhdon me shpjegimin për politikën serbe të Vuçiqit.

Ai thotë që Vuçiq është i lidhur me grupet kriminale dhe për këtë arsye e mbanë të fshehur edhe Radoiçiqin.

“Politika serbe, me Vuçiq në krye, nuk ka ndryshuar nga qasja e saj tradicionale e agresionit dhe ekspansionit. Vuçiq shpesh pretendon se serbët janë në rrezik, por kjo nuk është aspak e vërtetë. Në realitet, prioriteti i tij nuk janë serbët e thjeshtë, por grupet kriminale në veri të Kosovës, të drejtuara nga Milan Radoiçiç. Këto grupe kanë kontrolluar aktivitete të paligjshme, përfshirë laboratorët e drogës në veri të Kosovës, dhe ka dyshime se presidenti serb dhe djali i tij janë të ndërlidhur me këtë rrjet kriminal, duke përfituar nga aktivitetet e tyre. Për këtë arsye, Vuçiq e mban Radoiçiçin të fshehur dhe të mbrojtur, sepse nëse Radoiçiç bie, atëherë edhe vetë Vuçiq rrezikon të bjerë. Kjo lidhje e ngushtë mes presidentit serb dhe këtyre grupeve kriminale e bën të qartë pse ai krijon tensione dhe probleme në Kosovë – për të mbrojtur interesat e tij dhe të rrjetit kriminal që e mbështet”, shpjegon Voca.

Nga ana tjetër, Voca shprehet kritik për BE që toleron Serbinë, andaj sipas tij duhet të ndryshohet kjo qasje.

Ky është një nga gabimet madhore të BE-së, e cila politizon krimin e organizuar dhe mafiozitetin, duke e toleruar këtë fenomen kudo që shfaqet. Në vend që të ndërmarrë veprime të forta për të ndaluar krimin dhe korrupsionin që lulëzon në këto zona, BE shpesh e sheh këtë çështje përmes një lenteje politike, duke lejuar që të mos trajtohet në mënyrën e duhur.

Në këtë kontekst, Vuçiq përdor krizën në Kosovë për të larguar vëmendjen nga çështjet e tij të brendshme dhe për të ruajtur mbështetjen e grupeve që përfitojnë nga krimi i organizuar. Për këtë arsye, është thelbësore që ndërkombëtarët, sidomos BE dhe SHBA, të ndryshojnë urgjentisht qasjen e tyre ndaj Serbisë. Përderisa deri tani kanë përdorur një qasje të butë dhe shpesh tolerante, historia na mëson se kur përballemi me një politikë që përdor frikën dhe agresionin, gjuha e vetme që funksionon është ajo e kundërvënies dhe presionit”, potencoi ai.

Ndërsa, sa i përket dialogut ai thotë se procesi mund të rigjallërohet dhe të përfundojë shumë më shpejt sesa mendohet, nëse BE dhe SHBA vendosin të kalojnë nga përkëdhelja në një politikë të fuqishme presioni ndaj Serbisë.

Hendeku në dialog është bërë më i thellë, por procesi mund të rigjallërohet dhe të përfundojë shumë më shpejt sesa mendohet, nëse BE dhe SHBA vendosin të kalojnë nga përkëdhelja në një politikë të fuqishme presioni ndaj Serbisë. Kjo mund të sjellë një rigjallërim të dialogut dhe përfundimin më të shpejtë të procesit, pasi Serbia do të përballej me pasoja reale për vazhdimin e politikave agresive”, nënvizoi doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca për “Bota sot”.

Haziri:Kosova dhe Serbia nuk janë të interesuara për dialog

Ndërsa analisti politik, Nexhat Haziri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që deklarata e Kurtit është e vërtetë pasi Vuçiq përmes këtyre kërkesave kërkon të ketë tensione në veri të vendit.

Image
Nexhat Haziri

Është e vërtetë deklarata e kryeministrit Kurti se të ashtuquajturat masat e presidentit të Serbisë, Vuçiq janë pjesë e fushatës për të ngritur edhe më shumë tension në pjesën veriore të vendit tonë dhe nuk i kontribuojnë shtensionimit .Prapavija e të ashtuquajturave masa të Serbisë ndaj Kosovës është kundërvënia ndaj kushtit të kryeministrit Kurti që ka për vazhdimin e dialogut, siç janë dorëzimi i terroristit Radoiçiq, nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit, si dhe tërheqja e letrës së Serbisë që ka dorëzuar në Bruksel, me anë të se cilës Serbia tërhiqet nga pikat kryesore të marrëveshjes së Brukselit dhe sekuencimi i saj në Ohër”, theksoi analisti.

Në fund, Haziri shprehet skeptik për dialogun Kosovë – Serbi, sipas tij të dy palët nuk janë të interesuara për bisedime.

Pra thënë shkurt kushtëzimet qofshin me masat e Serbisë ndaj Kosovës, qofshin kërkesat e Kosovës ndaj Serbisë, janë tregues se palët nuk janë të interesuara për të vazhduar dialogun dhe për të shkuar drejtë marrëveshjes përfundimtare. Pra nuk shohë se mund të ketë ndonjë takim i nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel tani para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe pa një presion të madh nga Brukseli dhe Uashingtoni”, përfundoi Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat