Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që ka përmendur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për Kosovën.
Këto kërkesa të Vuçiqit, janë përcjellë me reagime të shumta.
Madje, në konferencën e tij më 13 shtator, Vuçiq tha se Serbia beson që përmbushja e kërkesave përbën “parakusht të domosdoshëm për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kërkojmë të kthehemi te gjithçka që është arritur dhe përparuar në procesin e dialogut”.
Po ashtu, presidenti serb paralajmëroi se Beogradi do të nisë një “fushatë diplomatike globale”, në mënyrë që të plotësohen këto kërkesa.
E ndaj këtyre kërkesave të Vuçiqit, erdhi edhe një reagim nga Bashkimi Evropian.
Thirrja e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për pjesëmarrje të serbëve në zgjedhjet në Kosovë dhe kthim të tyre në institucionet nga të cilët ishin larguar në vitin 2022 ka hasur në mirëkuptim në BE dhe është mirëpritur në Bruksel.
“Ne e mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiq për të vazhduar angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pozitivisht e marrim edhe thirrjen e tij për serbët e Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe të riintegrohen në të gjitha institucionet e Kosovës, nga të cilat janë larguar në vitin 2022”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Stano i ka shprehur këto qëndrime të Bashkimit Evropian duke u përgjigjur në pyetjet e mediave rreth masave që ka paralajmëruar Serbia të premten si përgjigje ndaj situatës në pjesën veriore të Kosovës.
Mirëpo, sa është e drejtë të mbështeten këto kërkesa të Vuçiqit nga BE, folën analistët politikë.
Xani: Serbët e veriut nuk duhet të jenë të Vuçiqit, serbët duhet të jenë të shtetit të Kosovës
Si fillim, foli analisti politik, Visar Xani, i cili tha se ishte pikërisht Vuçiq që i kërcënoi dhe detyroi serbët që të largohen nga institucionet e Kosovës.
Kësisoj, ai në një prononcim për “Bota sot” kërkoi që BE të mos e adresojë çështjen e serbëve të veriut te Vuçiqi, pasi ata jetojnë në shtetin e Kosovës.
“Serbët e veriut nuk duhet të jenë të Vuçiqit, serbët duhet të jenë të shtetit të Kosovës, edhe bashkësia ndërkombëtare dhe BE-ja, do duhej që këtë çështje mos të adresonin fare tek Vuçiqi. Por, që kjo çështje ishte zgjidhur një herë e mirë në Bruksel, ku ishte paraparë ndjekja e procedurave për punësimin e tyre dhe integrimin e tyre.
Por, ndikimi i Vuçiqit në mënyrë jo konstruktive dhe me ndikim kërcënim i detyroi serbët që të heqin dorë nga pagat e tyre që marrim në Kosovë dhe të tërhiqen nga institucionet e Kosovës, edhe përkundër vullnetit, sepse ka pasur edhe serbë që kanë pasur vullnet për të vazhduar, por kërcënimet kanë qenë jashtëzakonisht serioze dhe kanë qenë të detyruar direkt nga Vuçiqi që të largohen nga këto institucione”, nënvizoi ai.
Sa i përket kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës, analisti tha se BE do duhej t’iu bënte thirrje atyre për rikthim, në kuadër të ligjeve dhe rregullave të shtetit tonë.
Madje, sipas tij, deklarata e BE-së do të ishte më korrekte sikur Vuçiqit dhe Serbisë, t’ua bënte të qartë që nuk duhet të përzihen në këtë çështje
“Prandaj, vetë BE-ja do të duhej të bënte thirrje që të kthehen serbët në institucione dhe rikthimi i tyre kuptohet të jetë konform ligjeve të Kosovës, konform rregullave dhe procedurave dhe jo kthimi pa kushte dhe jo kthimi pa respektim të procedurave.
Është me rëndësi që Kosova t'i trajtojë serbët si qytetarët e vet dhe procedurat për ta të jenë po aq ligjore si për çdo qytetar tjetër dhe Beogradi thënë se Serbia nuk do të duhej fare të përzihej në këtë çështje.
Madje, thirrja e BE-së do të ishte më korrekte sikur reagimi i tyre do të ishte i qartë që Beogradi, Vuçiqi dhe Serbia nuk do të duhej fare të përziheshin në këtë çështje. Dhe t’u bënte thirrje serbëve lokal për t'u rikthyer në institucione, të marrin pjesë në garë dhe në procedura të hapura, me qëllim që të kemi një funksionim të përgjithshëm, institucional, të respektueshëm konform rregullave dhe ligjeve të Kosovës”, përfundoi Visar Xani për “Bota sot”.
Preqi: Kërkesat e Vuçiqit, nuk mund të trajtohen si kërkesa normale
Ndërsa, opinionisti Dedë Preqi tha se kërkesat e Serbisë nuk duhet të trajtohen si normale, pasi qëllimi i tyre në veprimet kriminale që i inskenon Vuçiqi.
“Kërkesat e Vuçiqit, nuk mund të trajtohen si kërkesa normale që tregojnë vazhdimin e dialogut në mes palëve, por përkundrazi tregojnë vazhdimin e kërcënimeve të Serbisë, që po i bëhen Kosovës, dhe para syve të botës, të cilat në një mënyrë po i mirëpret Brukseli.
Kjo domethënie e kërkesave të Serbisë, qëndron në ato veprimet kriminale që i inskenon Vuçiqi, dhe pastaj i ngarkohen në mënyrë të pa shmangshme Kosovës, kur dihet fare mirë se përmes urdhrave të tij serbët në veri të Kosovës, i lëshuan vetë dhe u larguan prej Institucioneve të Kosovës”.
Gjithashtu, Preqi në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se kërkesat e Serbisë janë të pakuptimta dhe nuk mund t’u bëjnë zgjidhje qytetarëve serbë në veri, për problemet që ata ia shkaktuan vetës së tyre.
Ai vlerëson se këto kërkesa janë provokim ndaj Kosovës dhe se qeveria e Beogradit po i përdorë si vegla serbët e veriut, për të arritur qëllimet e tyre.
“Kërkesat e Serbisë, janë të pafundme dhe aq të pakuptimta, sa që nuk mund të rezultojnë si kërkesa që bëjnë zgjidhjen e problemeve të qytetarëve serbë në veri, që vetë qytetarët serbë i shkaktuan vetvetes nga nismat e tyre me qëllim për ta dëmtuar dhe deformuar shtetin e Kosovës, apo për të çrregulluar ligjin dhe rendin në komunat veriore të këtij vendi.
Do ta kuptonte secili, apo secila shoqëri demokratike në botë se këto kërkesa të Serbisë, janë më shumë se provokime ndaj shtetit të Kosovës, dhe qytetarët serbë, presidenti i Serbisë, po i përdor si vegla politike, duke i zhvesh edhe nga dinjiteti i tyre, prej të cilëve ka shumë që nuk kanë guxim të shprehen lirshëm dhe të kundërshtojnë urdhrat dhe autokracinë e Vuçiqit”, nënvizoi opinionisti.
Në vazhdim, ai tha se është e papranueshme si BE mirëpret kërkesa e Vuçiqit, derisa tha se përmes kësaj politike nuk mund të rikthehen serbët në institucione, pasi disa prej tyre edhe janë të ngarkuar me vepra penale.
“Dhe çka janë tani kërkesat e Vuçiqit, që po i mirëpret edhe BE-ja, të cilat janë më shumë se provokuese dhe kërcënuese ndaj Institucioneve të këtij vendi, që të kthehen të njëjtit njerëz nëpër institucione, ku ata vetë i bojkotuan dhe i braktisën si të panevojshme dhe tani përsëri të kthehen të njëjtit, do të ishte e pamundur, sepse nuk i lejon ligji dhe Kushtetuta e këtij vendi.
Përmes kësaj politike të Beogradit, të cilën po e mirëpret dhe miraton edhe BE-ja, nuk mund të integrohen qytetarët e këtij vendi në këtë formë paligjshme, që po ua dikton Vuçiqi, sepse shumica prej këtyre njerëzve, që i braktisën këto institucione janë të ngarkuar me vepra dhe dosje kriminale, që shkakëtuan gjatë protestave fundit në maj të vitit të kaluar, ku pësuan edhe shumë ushtar të KFOR-it, dhe polic e gazetarë të Kosovës”, theksoi ai.
Më tej, opinionisti ua ri-kutjoi Serbisë e BE-së, që Kosova i ka rregullat dhe ligjet e veta, që u mundësojnë çdo qytetari integrimin e tyre, derisa tha se kërkesa e Vuçiqit janë vetëm përsëritje e një aventure të mëparshme.
“Shteti i Kosovës dhe qeveria e këtij vendi i ka ligjet dhe projektet e veta për qytetarët e vetë, duke ua mundësuar secilit qytetar pa dallim etnie dhe përkatësie, që të kthehen në institucionet e komunave veriore dhe të integrohen në këtë vend, duke filluar me zgjedhje të reja, kuadro të reja dhe duar të pastra, si dhe në bazë të hapjes së konkurseve në plotësimin e vendeve të punës nëpër institucionet përkatëse të këtij vendi.
Dhe sipas kërkesave të Vuçiqit, të cilat po i miraton dhe mirëpret BE, nuk besohet që as edhe si Peter Stano, do ta respektonte dhe zbatonte një projekt të tillë në vendin e tij, sepse një kërkesë e tillë do të ishte vetëm një përsëritje e një aventure dhe avazi të njëjtë, të cilin Vuçiqi, bashkë me « argatët » e vetë po e udhëheq këtë strategji, për t’u arsyetuar para qytetarëve serbë, të cilët kanë mbetur të zhgënjyer me politikat e tij kontroverse”.
Në fund, Preqi kërkoi seriozitet më të madh nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, derisa paralajmëroi se me mbështetjen e kërkesave të Vuçiqit, vetëm haper rruga për plane të rrezikshme dhe nxitje të një konflikti të ri.
“BE-ja, do duhej të e marrë çështjen e Kosovës dhe Serbisë, më me seriozitet, dhe nuk ia vlenë që të merremi me « pallavrat » që i fabrikon Vuçiqi, të cilat e rrisin dhe nxisin edhe më shumë urrejtjen ndëretnike në këtë vend, prandaj BE-ja, duke ia miratuar planet Vuçiqit, nuk inkurajon zgjidhje të problemeve, kur dihet se angazhimi i saj është i orientuar dhe mbanë lidhje të drejtëpërdrejta dhe të pa shkëputura me Rusinë, e cila ka plane të rrezikshme për ta destabilizuar Ballkanin Perëndimor, përmes një nxitje dhe ndezje të një konflikti të mundshëm, që lidhet në mes Serbisë dhe Kosovës”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.