26 vite nga vrasja që tronditi Tiranën/ Akuza: Fatos Klosi përgatiti vrasjen e Ahmet Krasniqit, ja sa para u paguan

Politika

26 vite nga vrasja që tronditi Tiranën/ Akuza: Fatos Klosi përgatiti vrasjen e Ahmet Krasniqit, ja sa para u paguan

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 21 shtator 2024 Në ora: 08:12
Ahmet Krasniqi

Ishte 21 shtatori i vitit 1998, dita kur u vra pabesisht në Tiranë Ministri i parë të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi.

Sot po mbushen 26 vite nga vrasja e kolonel Krasniqit, vrasja e të cilit, mbetet ende një enigmë e pa zbuluar.

Si Kosova, ashtu edhe Shqipëria janë treguar të pafuqishme ta hetojnë dhe ta zbardhin vrasjen e Ahmet Krasniqit, ku sipas bashkëpunëtorëve, shpresa e vetme tani mbetet Gjykata Speciale.

Zogaj: Fatos Klosi është kryekrimineli i vrasjes së Ahmet Krasniqit

Ish bashkëpuntori i afërt i kolonel Krasniqit, publicisti Skënder Zogaj, duke folur për gazetën “Bota sot”, ka shprehur mllefin e tij për mos zbardhjen e vrasjes së Ahmet Krasniqit.

“Përvjetori i 26-të i vrasjes tinzare të Kolonel Ahmet Krasniqit, ministrit të luftës dhe themeluesit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës në Tiranë, më 21 shtator shënon turpin kombëtar të Shqipërisë dhe të Kosovës, që i vetvrasin bijtë dhe burrat e vet më të mëdhenj, dhe fshehin kokën si struci nën zallin e turpit të pashlyeshëm. Kjo është arsyeja që Shqipëria londineze edhe 122 vjet pas pasvarësisë, mbetet shtet "as mish as peshk", i kacavjerrun në krim e korrupsin dhe i destinuar për të qenë shtet armik i njerrëzve të vet. Kjo është arsyeja që Kosova e Ahtisarit edhe 24 vjet pas çlirimit dhe shpalljes kinse shtet i pavarur, mbetet një sajesë në erë, që e valvisin si leckë në erë bandat e nëntokës së krimit dhe korrupsionit të organizuar që e mbajnë jetën e njerëzve peng "as gjallë as vdekun" në duart e zyrtarëve teveçel që, gjithçka e bëjnë sipas asaj që dëshirojnë e pushtetit. Sidomos coftinë janë strukturat e drejtësisë, që janë superefikase për të zbardhur rastet intime familjare dhe për t'ua dhënë dënimin e merituar, mirëpo, as edhe një rast serioz të krimeve të rënda nuk e kanë zbuluar. Nuk e kanë zbardhur, nuk do ta zbardhin kurrë derisa në Shqipëri të vazhdojë të sundojnë xhoneveristët dhe në Kosovë kiropterët e injorancës romantike të që atdheun e lëpijnë si akullore. Ky është realiteti i moszbardhjes së vrasjes së Kolonelit Ahmet Krasniqi, Xhemajl Mustafës, Tahir Zemajt, Ismet Racit, Smalj Hajdarajt etj. etj, burra e gra të devotshme të vrarë me dorën e argatëve shqipfolës të armiqve të shqiptarizmit”, shprehet i mmlefosur Zogaj.

Image
Skender Zogaj

Siç thotë Zogaj, vrasja Ahmet Krasniqit ka ndodhur në Shqipëri dhe Shqipëria i di saktë me emër e mbiemër ideatorët, skenaristët dhe atentatorët e Kolonelit.

“Kreu i SHISH-it Fatos Klosi që mburret me sukseset e strukturës që e ka komanduar, edhe zogjtë e malit e kanë të qartë se, nuk ka mundur të ndodh vrasja e Kolonelit pa dijen e tij. E dyta: vrasjen e ka menaxhuar policia e shtetit, që nga postblloku te Gropa e Hajdinit e deri te vendo i vrasjes së Kolonelit. Është gjetur pistoleta e vrasjes! Janë nisur hetimet dhe, janë ndërprerë hetimet për vetëm dy muaj, më shkurt se sa të hetohej një vjedhje e biçikletës”, thotë Zogaj.

Skënder Zogaj akuzon direkt Faton Klosin për vrasjen e Ahmet Krasniqit.

“Krejt këto me Fatos Klosin në krye, që tregon se ky njeri është kryekrimineli i vrasjes së Ahmet Krasniqit. Ky e di, por duke qene në krye të aksionot, nuk do ta thotë kurrë, po nuk funksionoi një drejtësi e vërtetë në Shqipëri dhe sidomos në Kosovë, e cila nuk guxon të rri si qyqe, por duhet ta zbuloj dhe denojë vrasësit e birit të saj, më të madhit ushtarak dhe atdhetar të Ibrahim Rugovës, që ishte i rangut të Mehmet Pash Dërrallës së Ismajl Qemalit”.

Më tej, Zogaj deklaron se Kosova duhet të kërkojë dosjet nga Shqipëria dhe ta kryej obligimin elementar të drejtësisë që i takon si shtet.

“Kosova këtë nuk e ka bërë dhe nuk e bën derisa të jenë nëpër institucionet e larta njerëzit e afërt me padronët e tyre që e kanë realizuar vrasjen e Kolonelit Ahmet Krasniqi. Këtu ka një faj të madh dhe të pafalshëm edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e cila, sidomos pas vdekjes së Presidentit Rugova, vrasjen e Ahmet Krasniqit e përdorë vetm në fushata dhe, as edhe një hap konkret për ta zbardhur vrasjen e shërbestarit të saj. Po hesht dhe kjo heshtje është e pafalshme”.

Për fund, Zogaj thotë se shpresat për zbardhjen e kësaj vrasje i ka te Gjykata Speciale,

“Po dua të besoj dhe shpresoj se Gjykata Speciale ka me prek edhe këtë vrasje dhe, ka me i nxjerrë vijat e krimit, ndonëse, nuk e ka lehtë sepse, për ta bërë këtë në Gjykatë duhet të ftohen së paku, Fatos Klosi e Kudusi Lame, që e dinë më së miri vrasjen e Ahmet Krasniqit”, përfundon për “Bota sot”, Skënder Zogaj ish bashkëpunëtor i afërt i kolonel, Ahmet Krasniqit.

Dosja gjendet në Tiranë

Kurse Sefedin Krasniqi, po ashtu ish bashkëpunëtor i ngushtë i Ahmet Krasniqit, gishtin e drejton drejt Fatos Klosit për vrasjen e Ahmet Krasniqit.

“Vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit nuk është më enigmatike. Dihet se kush e vrau dhe kush i pagoi 250000 dollarë për tu realizuar. Këtë vrasje e përgatiti SHISH i Fatos Klosi bashkë me eksponentë të LPK-së, sê « lavdishme »! Shumçka, tashmë është thënë në TV dhe gazeta. Është fakt se Dosja e vrasjes ekziston dhe ajo gjendet në institucionet e Tiranës”, shprehet Krasniqi.

Image
Sefedin Krasniqi

“Duhet të provohet me fakte se vërtetë, a po i pengon Tirana zhvillimet për ndriçimin e vrasjes në fjalë. Sa di unë, askush nga familja e ngushtë e Ahmet Krasniqit (i biri, e bija apo i vëllai Behxheti) nuk e kanë kërkuar, zyrtarisht, duke angazhuar ndonjë avokat për të kërkuar zyrtarisht Dosjen e vrasjes”, shton Krasniqi.

Më tej, Krasniqi thotë se Gjykata Speciale është ajo e cila duhet t’i kërkojë nga Tirana zyrtare dosjet oër vrasjen e Ahmet Krasniqit.

“Ndërsa, sa i përket Gjykatës Speciale, vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit bënë pjesë brenda mandatit të saj. Tirana zyrtare ka dëshmuar se nuk bashkëpunon me te (me dëshirë). Megjithatë, nëse Gjykata Speciale ia kërkon dosjen Tiranës, besoj se Tirana do t’ia dorëzojë. Por, edhe këtë familja duhet të angazhohet. Përndryshe, gjithçka do të përfundoj me homazhe pranë varrit të tij sa për t’i bërë disa foto dhe ndonjë shkrim nga portale të ndryshme”, përfundon Sefedin Krasniqi, ish bashkëpunëtor i ngushtë i Ahmet Krasniqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat