Kryeministri “akuzoi” Perëndimin për “përkëdhelje” ndaj Serbisë/ Cili vend duhet t’i thotë i pari ‘mjaft’ Serbisë?

Politika

Kryeministri “akuzoi” Perëndimin për “përkëdhelje” ndaj Serbisë/ Cili vend duhet t’i thotë i pari ‘mjaft’ Serbisë?

Nga: N.E Më: 21 shtator 2024 Në ora: 10:11
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Perëndimi po e “përkëdhel” Serbinë për shkak të frikës dhe shqetësimeve për destabilizim, kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për për agjencinë e lajmeve Reuters të premten.

Ai ka shtuar Perëndimi, duke qenë “shumë i kujdesshëm” me Serbinë, po bën që edhe Kosova “të paguajë për këtë dhe kjo nuk është e drejtë”.

“Mendoj se përkdhelja e Serbisë [nga Perëndimi] gjatë dy vjetëve e gjysmë prej se ka nisur agresioni rus në Ukrainë nuk po shpaguhet, prandaj dikush duhet të thotë mjaft”.

“Lidhjet e fuqishme të Serbisë me Federatën Ruse dhe lidhjet e thella historike, ekonomike dhe kulturore mes tyre, po e bëjnë Perëndimit të jetë shumë i kujdesshëm me Serbinë”, ka thënë Kurti.

Kurti e kritikoi Bashkimin Evropian, të cilit të dyja vendet fqinje synojnë t’i bashkohen dikur, se nuk ka reaguar ndaj “shkelje” që ka bërë Serbia.

“Brukseli duhet ta luajë rolin e gjyqtarit që i bie pipit kurdo herë që ka shkelje të Marrëveshjes”, u shpreh Kurti, duke iu referuar Marrëveshjes Bazë që Kosova dhe Serbia e arritën nën ndërmjetësimin e BE-së në fillim të vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve.

Bashkimi Evropian vazhdimisht ka kritikuar palët për moszbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Kurti ka ngulur këmbë që marrëveshja të nënshkruhet dhe që Serbia ta tërheqë një letër që kryeministrja e atëhershme, Ana Brnabiq, i dërgoi BE-së vitin e kaluar, ku shprehu rezerva për marrëveshjen, si dhe t’ia dorëzojë Kosovës Milan Radoiçiqin dhe grupin e tij, të dyshuar për sulmin e armatosur në Banjskë.

“Çfarë kemi parë këto dy vjet është se Brukseli nuk ka reaguar kur Beogradi e ka shkelur marrëveshjen. Ne duam që Brukseli t’i bëjë trysni Serbinë ta respektojë marrëveshjen dhe të angazhohet me vullnet të mirë dhe në mënyrë konstruktive në zbatimin e plotë të saj”, ka deklaruar Kurti.

Qeveria e Kurtit e ndaloi dinarin serb, mbylli disa degë të postës serbe, si institucione paralele serbe në një sërë vendimesh gjatë këtij viti, ndërsa synon ta hapë edhe urën mbi lumin Ibër, për cfarë është kritikuar se rrezikon trazira dhe destabilitet.

Në lidhje me urën mbi Ibër, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, Kurti e akuzoi Serbinë se dëshiron ta mbajë të mbyllur.

“Serbia dëshiron ta mbajë të mbyllur urën në Mitrovicë sepse dëshiron ta mbajë të gjallë ëndrrën për ndarjen e Kosovës. Ajo dëshiron ta shndërrojë urën mbi Ibër në një kufi të ri. Kjo nuk do të ndodhë”, u shpreh ai.

Tani ura është e hapur vetëm për këmbësorë dhe ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në të. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.

Rreth asaj se kush do të duhej t’i thoshte “mjaft” Serbisë, ka folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Ali Hertica.

Ai shprehet se BE duhet ta gjejë unitetin për të pranuar të dyja vendet në BE dhe jo ta përkëdhel Serbinë.

“Përderisa Bashkimi Evropian nuk flet me një zë, nuk mund të ketë zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e lëre më anëtarësimin në BE. Konflikti mes Kosovës dhe Serbisë po pengon çdo zhvillim paqësor në rajon. BE-ja duhet të gjejë unitetin për të pranuar të dyja vendet në Bashkim dhe jo që ta përkëdhel Serbinë pas të gjitha atyre të bëmave dhe shkelje te sovranitetit te Kosoves dhe insistimin e nxitjes së nje konflikti te ri siç ishte ai i Banjskës”, shprehet Hertica.

Image
Ali Hertica

Sipas tij, Beogradi është i vetmi vend evropian që refuzon të mbështesë regjimin e sanksioneve kundër Rusisë dhe për këtë nuk e kupton BE-në.

“Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia së bashku me Malin e Zi është më i avancuari. Megjithatë, duke qenë se Beogradi është i vetmi vend evropian që refuzon të mbështesë regjimin e sanksioneve kundër Rusisë, vendi është kthyer në foshnjën e tmerrshme të vendeve kandidate dhe prapë BE po e përkrah apo siç themi ne po bën përkëdhelje nje vend i cili çdo herë bën destabilizim në rajon dhe konflikte të reja. Prandaj, nuk duhet të jetë një vend i caktuar evropian që t’i thoshte mjaft Serbisë, duhen të gjitha vendet e BE-së dhe më tej, mjaft kanë pritur që ajo të ndryshojë, apo të bëhet në frymën evropiane, ajo duhet të ndëshkohet dhe mos të përkëdhelet”, përfundon analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat