“E qartë se ai nuk e ka ndërmend të ...”, eksperti nga Brukseli i kundërpërgjigjet Vuçiqit për deklaratën e fundit ndaj Kosovës

Politika

“E qartë se ai nuk e ka ndërmend të ...”, eksperti nga Brukseli i kundërpërgjigjet Vuçiqit për deklaratën e fundit ndaj Kosovës

Nga: A.Zh Më: 21 shtator 2024 Në ora: 13:08
Toby Vogel

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar së fundmi Kosovësn, se asnjëherë nuk ka dashur dialog.

Ai ka thënë se Kosova për çdo gjë është munduar të fajësojë Beogradin.

“Kemi të bëjmë me njerëz, qëllimi i të cilëve është dëbimi dhe shkatërrimi i “popullit serb” në Kosovë. Ata nuk duan dialog, sepse thonë se janë shtet sovran. Nuk mendoj se atje na presin ditë më të mira, atje do të kemi probleme të panumërta, por Serbia do të jetë gjithmonë me njerëzit e saj në Kosovë. Është e jona të ndihmojmë njerëzit tanë. Gjatë gjithë ditës kanë paralajmëruar hapjen e urës në Ibër. Do të shohim nëse NATO do ta mbajë fjalën dhe shpresoj ta mbajë”, ka thënë Vuçiq për marrëdhëniet me Kosovën.

Por, derisa po e akuzon, Vuçiq nuk ka përmbush pjesën e tij të marrëveshjes dhe vazhdon të luftojë kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Edhe sipas Toby Vogel, bashkëpunëtor i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, presidenti serb po e bën të kundërtën. Ai ka thënë për gazetën “Bota sot”, se Kosova e donte më shumë dialogun se sa Serbia.

Eksperti ka akuzuar Vuçiqin se nuk ka ndërmend të gjejë një marrëveshje normalizimi me Kosovës, sidomos pas letrës së Ana Bërnabiqit.

“Presidenti Vuçiq e ka bërë pikërisht të kundërtën. Kosova me kalimin e viteve ndoshta donte dialogun më shumë se Serbia, megjithëse Serbia - Vuçiq - ishte shumë mirë të pretendonte të ishte konstruktiv në mënyrë që të izolohej ndaj kritikave të mundshme për kthimin demokratik të Serbisë. Por me marrëveshjet e dështuara të Brukselit/Ohrit dhe letrën e Brnabiqit që refuzon çdo njohje de fakto – për të mos përmendur Banjskën – është bërë e qartë se Vuçiq nuk ka ndërmend të gjejë një marrëveshje normalizimi”, ka deklaruar Vogel për gazetën.

Eksperti nga Brukseli ka kritikuar edhe ndërkombëtarët, se ndëshkuan Kosovën, ndërkohë që Serbinë e lanë jashtë presionit.

“BE-ja dhe QUINT-i nuk duan të përballen me situatën ashtu siç është në të vërtetë, sepse e gjithë qasja e tyre ndaj rajonit është e përqendruar në Beograd. Si rezultat, ata janë të dëshpëruar për të prodhuar, apo edhe për të përpunuar prova se dialogu po jep rezultate, se marrëveshjet e Brukselit/Ohrit janë të vlefshme dhe se qasja e Perëndimit për të qetësuar Serbinë ndërkohë që ndëshkon Kosovën po funksionon, ata u përgjigjën duke i bërë presion palës më të dobët në negociata – Kosovës – ndërkohë që e lanë Serbinë jashtë grepit”, ka shtuar ai për “Bota sot”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Perëndimin se po e “përkëdhel” Serbinë për shkak të frikës dhe shqetësimeve për destabilizim, duke shtuar se ajo nuk po “shpaguhet” dhe se Kosova po “paguan” për këtë.

Qeveria e Kurtit është kritikuar nga disa vende të Perëndimit dhe BE-ja për një sërë vendimesh në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe gjatë këtij viti, ku ai ka thënë se dëshiron të vendosë rënd dhe ligj.

Ai tha se Perëndimi, duke qenë “shumë i kujdesshëm” me Serbinë, po bën që edhe Kosova “të paguajë për këtë dhe kjo nuk është e drejtë”.

Duke folur në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters të premten, Kurti tha:

“Mendoj se përkdhelja e Serbisë [nga Perëndimi] gjatë dy vjetëve e gjysmë prej se ka nisur agresioni rus në Ukrainë nuk po shpaguhet, prandaj dikush duhet të thotë mjaft. Lidhjet e fuqishme të Serbisë me Federatën Ruse dhe lidhjet e thella historike, ekonomike dhe kulturore mes tyre, po e bëjnë Perëndimit të jetë shumë i kujdesshëm me Serbinë”, ka thënë Kurti të premten në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat