Rrezik për Banjska 2? Flet eksperti i sigurisë: Vizita e shefit të CIA-s ndryshoi gjithçka

Politika

Rrezik për Banjska 2? Flet eksperti i sigurisë: Vizita e shefit të CIA-s ndryshoi gjithçka

Nga: P.R Më: 21 shtator 2024 Në ora: 14:58
Banjskë

Kur po behet një vit që nga sulmi terrorist serb në fshatin Banjskë, sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, gjendja në veriun e Kosovës vazhdon të jetë e brishtë.

“Situata e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës është e brishtë, por e monitorueshme nga mekanizmat e sigurisë si ata vendas, ashtu edhe ndërkombëtar", thotë Shala, sipas të cilit, pas sulmit terrorist të vitit të kaluar, është shënuar një sensibilizim edhe më i madh i gjithë mekanizmave të sigurisë.

"Pas shtatorit të 2023 , pate një senzibilizim të theksuar nga akteret relevant për situatën e krijuar, por edhe mangësitë që ishin evidente nga dështimi i mbrojtjes së misionit ndërkombëtar të sigurisë, KFOR, i cili ka sigurinë e brezit kufitar në bazë të rezolutës 1244", thekson Shala.

"Pas ngjarjeve qe nga sulmin terrorist edhe Shteti i Serbisë ka bërë disa lëvizje duke "pastruar" përgjegjësinë e saj në involvim, por duke ri-grupuar elementet nacionaliste kriminale rreth boshtit të Kishës Ortodokse serbe për krijimin e botës serbe, dhe që ky veprim të jetësohet në vendet ku politika e Serbisë ka influencim, duke përfshirë edhe Kosovën" shton eksperti Shala.

Por, a ka rrezik që të përsëritet edhe njëherë skenari i Banjskës?

"Ky grup prej 500 personave që nga java e fundit e gushtit 2024, nuk kanë më relevancë dhe efekt në terren, sepse janë vizatuar konturat gjeostrategjike e politike të ardhura nga drejtori i CIA-s në vizitën e tij në Kosovë, gjë që ndryshoi gjithçka. Pra Banjska të dytë në këto rrethana nuk ka mundësi të realizohet, sepse kushtet gjeopolitike nuk janë sikur para javës së fundit të gushtit 2024", shprehet Shala.

Por a mund të sillet para drejtësisë së Kosovës përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë, Milan Radojeçiq?

"Radojeçiqi do të presë mundësinë në rast se nuk ka ndonjë presion për të mbyllur kapitullin e tij nga faktori ndërkombëtar për të kushtëzuar rrugën e Serbisë në forma të ndryshme, e ai të sjellët para drejtësisë së Kosovë", përfundon për "Bota sot", eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat