Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, akuzoi të premten zyrtarët perëndimorë për “përkëdhelje” të Serbisë, të nxitur nga, siç tha ai, frika e tepruar se Beogradi do të afrohet më shumë me Moskën.
Në një intervistë në Bruksel për agjencinë e lajmeve Reuters, kryeministri Kurti tha se Bashkimi Evropian po dështon të luajë rolin e arbitrit në zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga blloku për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi.
"Unë mendoj se përkëdhelja (perëndimore) e Serbisë për dy vjet e gjysmë që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, nuk po shpaguhet. Dhe dikush duhet të thotë: 'mjaft më”, tha ai duke nënvizuar se lidhjet ndërmjet Beogradit dhe Moskës po e bëjnë Perëndimin të jetë shumë i kujdesshëm ndaj Serbisë.
“Dhe pasoja është se Kosova gjithashtu po paguan çmimin dhe kjo nuk është e drejtë”, tha ai.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati shqiptar, Spartak Ngjela.
Ai shprehet se SHBA është një mbrojtës i drejtpërdrejtë dhe aleat kryesor i Kosovës.
Sipas tij, kjo deklaratë e Kurtit është e pakuptimtë.
“Jo, një deklaratë e tillë nuk është realiste. Kosova ka vetëm një mbrojtës të drejtpërdrejtë dhe aleat kryesor: Shtetet e Badhkuara të Amerikës.
Dhe Amerikë, sot don të thotë Perëndim.
Kjo mjafton për të gjithë Perëndimorët.
Prandaj, deklarata e Kurtit është e pakuptimtë”, u shpreh ai.
Më tej, avokati shpjegon që pavarësia e Kosovës i dedikohet SHBA.
Ndër të tjera avokati vlerëson figurinë e presidentes Osmani duke e këshilluar Kurtin ta ndërrojë rrjedhën e sejlljes në politikën e jashtme.
“Kosovën Amerika e ka çliruar dhe i ka dhënë edhe pavarësinë në Këshillin e Sigurimit.
Kurse Kurti kuptohet që nuk është në një valë të drejtë të arsyes politike.
Por, kjo nuk e dëmton Kosovën, sepse aleanca me Amerikën është e fortë dhe figura kryesore që kanë amerikanët në Kosovë, tani dihet se është Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
Kurti duhet të ndërrojë rrjedhën e sjelljes në politikën e tij të jashtme.
Po the Perëndimi, ke thënë Amerika.
Por pozitive është që Kurti ka frikë të thotë Amerika dhe thotë Perëndimi.
Qesharake!
Por, kjo formë frike e tij, është pozitive për të ardhmen e Kosovës”, përfundoi Ngjela për “Bota sot”.