Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajҫak u kritikua se e tha të pavërtetën për letrën që Bërnabiq e kishte dorëzuar në BE.
Besnik Bislimi pak ditë më parë demantoi deklaratën e Lajҫakut, duke thënë se letra nuk është tërhequr.
“Ajo që ka dashur ai të thotë në Prishtinë është se, po punohet me Serbinë që letra të tërhiqet. Letra nuk është tërhequr dhe as nuk ka kërkesë për tërheqjen e saj nga ana e Serbisë ende”, deklaroi para pak ditësh Bislimi.
Mirëpo, cila është arsyeja që Lajҫak po bën veprime të tilla, a po tregojet qartazi i njëanshëm në dialog?
Lidhur me këtë ҫështje ‘Bota sot’ ka kontaktuar analisten politike, Magbule Shkodra. Ajo në një prononcim thotë se sa i përket letrës së Bërnabiqit dhe përgjigjes së Lajçakut, i cili në Prishtinë pohoi se kjo letër është tërhequr, ndërkaq në anën tjetër Stano në një konferencë për shtyp nuk ishte në gjendje të konfirmonte një gjë të tillë. Dhe po ashtu edhe zëvendëskryeministri Bislimi thotë se letra e Bërnabiqit nuk është tërhequr.
“Mund të them lirisht, kjo flet se zotëri Lajçak e ka humbur kredibilitetin e tij sa i përket dialogut. Kjo është një prej gjërave po ashtu që e rëndon në të se ai në fakt nuk është në gjendje të prodhojë rezultate, sa i përket dialogut dhe po ashtu sa i përket letrës së Bërnabiqit, pohon se është tërhequr. Në anën tjetër, ne pra marrim informata se letra e tillë nuk është tërhequr. Unë dua të them se Lajçak si person nuk është aty, pra si emër nuk do të përfaqësonte asgjë, por ai është përfaqësues i Bashkimit Evropian, i emëruar në një detyrë shumë të rëndësishme dhe çkado që flet në raport me punën e tij zyrtare në këtë rast me Kosovën pra dhe raportin tonë me Serbinë dua të them se ai flet si zyrtar i Bashkimit Evropian dhe në emër të detyrës së vet”, vlerëson ajo.
Tutje, ajo thotë se Bashkimi Evropian do të duhej t'i bënte presion atij që në mënyrë të qartë ta thotë të vërtetën: a është tërhequr letra e Bërnabiqit apo jo?
“Dhe nëse jo, cila është arsyeja që ai pohon një gjë të tillë kur nuk është e vërtetë? A është kjo pra edhe një dëshmi se ai vazhdon të mbajë anën e Serbisë dhe të tregohet jokorrekt dhe jo i drejtë ndaj Kosovës”, thekson ajo.
Analistja Shkodra, thotë se pret edhe nga Qeveria e Kosovës t'i drejtohet me një shkresë zyrtare, zyrtarëve më të lartë të Bashkimit Evropian në mënyrë që të qartësojnë njëherë e përgjithmonë pozicionin e Lajçakut në raport me deklaratën e tij sa i përket letrës së Bërnabiqit.
“Një gjë e tillë do të ishte mirë pra të bëhej nga ana jonë, si dhe diplomacia jonë, në vend se të jetë pa kurrfarë veprimi, të ndërmarrë veprimet e duhura në mënyrë që t'i informojë partnerët e tjerë të Bashkësisë Ndërkombëtare. Më qartësisht se çka po ndodh pra në dialog dhe po ashtu se ҫfarë po deklaron zotëri Lajçak dhe pse e bën një gjë të tillë”, vlerëson Shkodra për ‘Bota sot’.