“Gara zgjedhore për LVV-në dhe Albin Kurtin, do të jetë shumë më e vështirë pa Vjosa Osmanin”

Politika

“Gara zgjedhore për LVV-në dhe Albin Kurtin, do të jetë shumë më e vështirë pa Vjosa Osmanin”

Nga: N. Sh. Më: 22 shtator 2024 Në ora: 22:27
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Analisti politik, Rexhep Elezaj ka folur për zgjedhjet nacionale të cilat do të mbahen me 9 shkurt në Kosovë.

Ai thotë se, nëse i analizojmë rrjedhat aktuale politike në Kosovë, në prizmin dhe atmosferën e krijuar pas shpalljes së datës së zgjedhjeve të rregullta parlamentare në Kosovë nga ana e presidentes Vjosa Osmani, të cilat do mbahen me 9 shkurt 2025, vërehet qartë se partitë politike garuese në zgjedhjet e ardhshme, tanimë i kanë filluar përgatitjet zgjedhore, duke shfaq në opinion orientimet e tyre garuese, pra se me çfarë programesh do hyjnë në garën zgjedhore, duke e filluar kështu fushatën zgjedhore në forma të ndryshme përmes mediave.

Analisti teksa flet se sa mund të ndikojë ftohja e raporteve midis presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti në rrjedhën e fushatës zgjedhore si dhe në vet rezultatin zgjedhor, mendon se ende është herët të jepen parashikime reale.

Sipas tij, një gjë është shumë e sigurt, se në Kosovë asnjëherë më nuk do të ketë një mobilizim dhe atmosferë mobilizuese zgjedhore, siç ishte kur u bën bashkë Vjosa Osmani dhe Albin Kurti në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, kur hynë bashkë në garën zgjedhore, ku siç dihet i fituan zgjedhjet me mbi 50%-ind të votave të elektoratit.

“Ndërsa, tani të ndarë dhe të larguar nga njëri tjetri, dhe me raporte të acaruara, gara zgjedhore për LVV-në dhe Albin Kurtin, do të jetë shumë më e vështirë pa Vjosa Osmanin, ngase ka gjasa të mëdha që votuesit e saj të cilët në zgjedhjet e kaluara ia dhanë votën partisë aktualisht në pushtet, nuk do ta votojnë më VV-në, por as kryetarin e saj, A. Kurtin”, potencon ai.

Mirëpo, Eleza pyet se, pse raportet midis këtyre dy udhëheqësve shtetëror të Kosovës kanë ecur në drejtim të keqësimit midis tyre?

Për këtë ai shton se, mund të ketë shkaqe dhe motive të ndryshme, por ndikim kryesor në këtë ftohje ka pasur vetëbesimi i tepruar në vetvete i kryeministrit Kurti, se më nuk ka nevojë për mbështetjen e Vjosa Osmanit, madje duke mos u koordinuar me të për shumë çështje vitale për Kosovën, gjë që edhe e ka sjellë ftohjen e raporteve institucionale mes tyre.

“Sido që të jetë, mendoj se brenda spektrit votues në Kosovë gjatë fushatës së ardhshme sa kanë ngelur deri në ditën e zgjedhjeve me 9 shkurt 2025, do të ketë lëkundje serioze si dhe rirreshtime të reja partiake tek votuesit shqiptarë, e që për rrjedhojë kjo lëvizje e votave do të ndikojë qartë në rezultatin zgjedhor, madje mund të ndodhin edhe befasi të paparashikueshme në rezultatin final zgjedhor”, përfundon analisti politik Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat