Vrasja e Ahmet Krasniqit/ Haziri: A janë intervistuar Xhavit Haliti, Bujar Bukoshi, Fatos Klosi, Ibrahim Kelmendi...

Politika

Vrasja e Ahmet Krasniqit/ Haziri: A janë intervistuar Xhavit Haliti, Bujar Bukoshi, Fatos Klosi, Ibrahim Kelmendi...

Nga: P.R. Më: 22 shtator 2024 Në ora: 23:41
Kolonel Ahmet Krasniqi

Më 21 shtator u mbushen 26 vite nga vrasja e kolonel Krasniqit, vrasja e të cilit, mbetet ende një enigmë e pa zbuluar.

Analistë dhe njohës të zhvillimeve politike në vend, fajtor për mos zbardhjen e kësaj vrasje i bëjnë të dy shtetet, si Kosovën ashtu edhe Shqipërinë.

E kur kanë kaluar 26 vite që nga vrasja e kolonel Krasniqit, analisti Nexhat Haziri thotë se gjasat për zbulimin e kësaj vrasje dhe vrasjeve tjera politike po zvogëlohen.

"Është për keqardhje që sa më shumë që kalon kohë nga vrasja e kol. Krasniqit, aq me më shumë  zvogëlohen mundësit për zbardhjen e kësaj vrasje si edhe vrasjeve të tjera politike në Kosovë gjatë dhe pas periudhës së luftës", shprehet Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, në Shqipëri nuk është kryer asnjë hetim për vrasjen e kolonel, Ahmet Krasniqit.

"Shqipëria nuk ka çfarë t’i dorëzoj Kosovës për këtë rast, pasi vrasja e kol. Krasniqit nuk është hetuar nga askush. Nuk ka as dosje ne arkivin e drejtorisë të krimeve të rënda në Tiranë, përveç një fotografie portret i Kol. Krasniqit, edhe ajo e printuar dhe nje gjysme flete A4 ku shkruan emri dhe mbiemri dhe data e vrasjes. Kjo flet për mungesën e vullnetit politik të të gjitha qeverive në Tiranë, të majta e të djathta, institucioneve të drejtësisë atje për zbardhjen e vrasjes së kol. Jo Ahmet Krasniqit", thotë Haziri.

Haziri si shpresë të vetme për zbardhjen e kësaj vrasje e sheh Gjykatën Speciale.

"Sa i përket Gjykatës Speciale, është e vetmja shpresë, por nuk dimë se si ka shkuar ky hetim, sa ka qenë bashkëpunues Shqipëria, pasi segmente kryesore të sigurisë së shtetit shqiptar të kohës janë të involvuar në vrasjen e kol. Krasniqit", shprehet Haziri.

"Pra nuk e dimë nëse janë intervistuar qoftë si të dyshuar apo si dëshmitar Xhavit Haliti, Bujar Bukoshi, Fatos Klosi, Ibrahim Kelmendi, ministri i brendshëm i Shqipërisë në atë kohë, drejtori i përgjithshëm i policisë shqiptare në atë kohë, ish -presidenti dhe ish- kryeministri Sali Berisha dhe njerëzit e afërt, pra bashkëpunëtorët e Kol. Krasniqit", shton analisti Haziri.

Për fund, Haziri tregon arsyet pse deri më tani Kosova dhe Shqipëria kanë dështuar në zbardhjen e vrasjes së Ahmet Krasniqit.

"Andaj është një rast bukur kompleks dhe që implikon njerëz të fortë të politikës andej e këndej kufirit së bashku me eksponentë të LPK-së të mbledhur rreth SHPUÇK-së së Rognerit, gjë që ka bërë që kjo vrasje të mos zbardhet", përfundon analisti Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat