Profesori parasheh kështu rezultatin e zgjedhjeve – Sa do të ndikojë ‘konflikti’ i Osmanit dhe Kurtit në numrin e votave?

Politika

Profesori parasheh kështu rezultatin e zgjedhjeve – Sa do të ndikojë ‘konflikti’ i Osmanit dhe Kurtit në numrin e votave?

Nga: N. Sh. Më: 23 shtator 2024 Në ora: 10:57
Ilustrim

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas konsultimesh me subjektet elektorale të Kosovës ka shpallur 9 shkurtin si ditë të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Tashmë duket qartë se koalicione parazgjedhore nuk do të ketë, pasi që ka kaluar afati i regjistrimit të tyre dhe asnjë koalicion i tillë nuk është shfaqur, përveç koalicionit AAK-Nisma, të Ramush Haradinajt dhe Fatmir Linmajt.

Vetëvendosja dhe Lëvizja Guxo nuk mundën ose nuk deshën ta realizojnë në afat koalicionin midis tyre, çka pati ndikim në zgjedhjet e para katër viteve në fitoren e këtyre dy subjekteve politike.

Kështu ka vlerësuar profesori dhe analisti politik Enver Bytyçi, i cili shprehet se, kohët e fundit shohim se ka një lloj konflikti jo krejt të papajtueshëm midis kryeministrit Albin Kurti, ministers për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci etj, nga njëra anë dhe presidentes së vendit, zonjës Osmani nga ana tjetër.

“Ky lloj konflikti edhe nëse do të ishte i papajtueshëm, parimisht do të duhej të mos kishte ndikim në rezultatin e zgjedhor, sepse presidenca nuk është pjesë e fushatës dhe as e garës së zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme. Por mos të harrojmë: Vjosa Osmani e dyta në listen Vetëvendosje+Guxo në zgjedhjet e kaluara të 14 shkurtit 2021 mori vota aq sa askush ndonjë lider politik deri më sot pas Rugovës”, thotë profesori.

Ai shton se, kur u votua me aq shumë vota, Vjosa Osmani sapo ishte shkëputur nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe iu bashkua Vetëvendosjes për shkak të parimeve që ajo ndoqi, duke kundërshtuar veprimet dhe aksionet politike të LDK-së e lidershipit të saj për të rrëzuar së bashku me Hashim Thaçin, qeverinë legjitime të Kurtit nr 1, ky qëndrim, si edhe qëndrime të tjera të mëparshme, si p.sh. vota kundër për zgjedhjen e Thaçit president, i dhanë Vjosës një lloj stature politike unike në Kosovë dhe votuesit i besuan asaj vota të panumërta.

“Ato vota nuk qenë aq të anëtarëve të Vetëvendosjes, sa të anëtarëve dhe simpatizantëve të Lidhjes Demokratike dhe të kategorisë elektorale, të cilën ne e klasifikojmë si zona gri. Në këtë kontekst Vetëvendosja dhe Albin Kurti nuk kanë e nuk duhet të kenë asnjë interes që presidentja e vendit të jetë kritike ndaj qeverisë sidomos në kohë zgjedhjesh. Së paku një numër i konsiderueshëm prej atyre që në shkurtin e vitit 2021 votuan Vjosa Osmanin, do të ndjehen të zhgënjyer e të papërfaqësuar dhe kësisoj nuk do ta votonin Vetëvendosjen dhe Lëvizjen Guxo. Sa do të jetë numri i tyre? Gjithçka është relative, por logjikisht nuk do të jenë pa kata që para katër vitesh votuan Vjosa Osmanin dhe këtë vit për shkak të përplasjeve president-kryeministër të mos votojnë më kryeministrin”, thekson Bytyçi.

Sipas tij, eshtë gjithashtu e vërtetë se në vitin 2021 Albin Kurtin e hoqën nga lista e votimit zyrtarisht, për shkak të dënimit që kishte marrë si protestues opozitar dhe Vjosa e kishte terrenin të hapur.

“Megjithatë formalisht edhe atëherë Albini qëndroi në listen e votimit. Pavarësisht kësaj, unë shoh rrjedhje të votave, nëse vazhdon konflikti midis dy përfaqësuesve kryesorë të pushtetit në Kosovë. Zgjidhja e vetme do të ishte një dialog dhe mirëkuptim midis palëve. Nëse do të ketë edhe në të ardhmen shpërfillje dhe moskomunikim, atëherë koston do ta paguajë Lëvizja Vetëvendosje. Por pavarësisht kësaj unë shoh një epilog pozitiv. Nuk jam euforik, por bazuar në përceptimet e mia për mbështetjen ndaj qeevrisë aktuale, them se koalicioni i paformalizuar Vetëvendosje-Guxo do të ruajë nivelin e votave të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021. Dmth do ta ketë shumicën absolute. Maksimumi mund të ketë një ulje të lehtë, por që rikuperohet me koalicion fluide dhe jo klasike paszgjedhore. Që do të thotë se fituesi do ta ketë mundësinë që të plotësojnë shumicën absolute me pak deputetë. Këta deputetë mund të jenë të pakicave. Por unë pres që në zgjedhjet e ardhshme të 9 shkurtit 2025 partitë serbe opozitare të Listës Srpska të Beogradit të marrin një numër të konsiderueshëm deputetësh, të cilët do të jenë luajalë dhe do t’i pranojnë me vullnet të plotë institucionet e shtetit në të gjithë territorin e vendit”, shprehet ai.

Bytyçi pohon se, fakti që serbët ndjehen disi të çliiruar nga dhuna e terrori politik e madje fizik i Listës Srpska pas vendosjes së kontrollit shtetëror në veri të Kosovës dëshmon se ata janë detyruar përmes presionit psikologjik e dhunës ta votojnë atë.

“Edhe kërkesat e Aleksandër Vuçiq për rikthimin e serbëve në shërbimin policor e në organet e drejtësisë kanë këtë qëllim. Të krijohet struktura zyrtare e veshur me uniformën e policisë së shtetit ë Kosovës dhe të përdoret ajo në fushatë elektorale sipas modelit të zgjedhjeve në Serbi e në Shqipëri, duke ushtruar presion policer tek votuesit. Për këtë arsye institucionet e Kosovës duhet që të injorojnë pikat e parashtruara të presidentit të Serbisë dhe të vazhdojnë punën e tyre për shtrirjen e sovranitetit shtetëro në veri të vendit. Të punojnë shumë me serbët, me qëllim që ata të binden e ta pranojnë integrimin në institucionet dhe jetën e përditshmërisë së tyre në shtetin e Kosovës. Kjo duhet të ndodhë më së pari për të forcuar shtetësinë dhe përshpejtuar zhvillimin e vendit, por edhe për të mënjanuar forca politike destructive e luftënxitëse, si Lista Srpska, e cila do të duhet të nxirrej jashtë ligjit”, përfundon profesori Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat