Ekspertët e sigurisë flasin një vit pas agresionit serb në Banjskë, veçojnë aktakuzën e ngritur, por kanë një paralajmërim të fuqishëm!

Politika

Ekspertët e sigurisë flasin një vit pas agresionit serb në Banjskë, veçojnë aktakuzën e ngritur, por kanë një paralajmërim të fuqishëm!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 24 shtator 2024 Në ora: 08:00
Pamje nga veriu - Sulmi në Manastirin e Banjskës

Më 24 shtator 2023, në orët e para të mëngjesit, vendi u trondit nga një sulm terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit. Si pasojë e këtij sulmi, u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa zyrtari policor Alban Rashiti u plagos dhe një tjetër u lëndua.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, publikoi pamje nga droni gjatë aksionit të Policisë në Banjskë, në të cilat shfaqej Milan Radoçiq, nënkryetar i Listës Serbe, i cili është gjithashtu pjesë e Listës së Zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Pas publikimit të këtyre fakteve, Radoçiq dha dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe dhe pranoi pjesëmarrjen në sulmin terrorist të 24 shtatorit.

Pothuajse një vit pas ngjarjes, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave për organizimin dhe kryerjen e sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë. Sot shënohet një vit nga sulmi, dhe terroristët ende nuk janë kapur apo dorëzuar nga Serbia.

Në aktakuzë, Milan Radoçiq përshkruhet si “kreu i grupit terrorist”, i cili, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë, më 24 shtator 2023, në orën 01:00, pasi bllokuan rrugën me dy kamionë, sulmuan zyrtarët policorë që u përgjigjën për të hequr kamionët dhe liruar rrugën.

Pas një viti nga ky sulm terrorist në Banjskë, ekspertët e sigurisë shprehin shqetësim nëse rreziku për agresion të përsëritur është ende i pranishëm.

Halimi: Raste të sulmit terrorist mund të ketë, por jo edhe të përmasave të Banjskës

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur në lidhje me këtë çështje.

Image
Armend Halimi

Si thotë se raste të sulmeve terroriste mund të ketë mirëpo jo të përmasave si në Banjskë.

Raste të sulmit terrorist mund të ketë, por jo edhe të përmasave të Banjskës pasi veç janë demaskuas skenarët, duke shkuar si përgjegjës shteti serb, përkatësisht presidenti Vuçiq”, foli ai.

Halimi më tej shton që sulmet nuk mund të jenë frontale , duke mos I përjashtuar edhe sulmet ndaj vet minoritetit serbë.

“Andaj, sulmet mund të jenë guerile, jo frontale, dhe duke mos përjashtuar sulmet edhe ndaj vet minoritetit serbë, për të i dhënë kahje krejt tjetër gjendjes reale atje”, potencoi Halimi për “Bota sot”.

Elezi: Për ne është në interes që deri më tani Serbia nuk ka bashkëpunuar për arrestimin e Radoiçiq dhe personave të tjerë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.

Image
Bedri Elezi.

Ai thotë se aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Kosovës është një hapë i rëndësishëm dhe shumë pozitivë për sulmin terrorist në Banjskë.

“Sa i përket sulmit terrorist në Banjskë i cili ndodhi vitin e kaluar, përafërsisht para një viti, ishte një moment i cili tregoi se sa është e cenushme siguria e Kosovës dhe çfarë mund të ndërmerret serbët të organizuar dhe të mbështetur nga Beogradi.

Në fakt, që nga ajo kohë Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kishin bashkëpunuar fuqishëm për ngritjen e aktakuzës dhe se para pak ditës kishim një aktakuzë që në brendësi të saj ka 45 persona fizik dhe një person juridik, pa e lënë anash edhe Radoiçiqin i cili ka pranuar organizimin e sulmit”, u shpreh ai.

Më tej, eksperti i sigurisë përmend mosbashkëpunimin e Serbisë për të arrestuar Radoiçiqin dhe persnat e tjerë dhe për t’i vënë para drejtësisë.

“Për ne është në interes që deri më tani Serbia nuk ka bashkëpunuar për arrestimin e Radoiçiq dhe personave të tjerë dhe të sjellin para drejtësisë, por i ka mbështetur ata. Siç duket ka dyshime që të njejtit janë organizuar brenda territorit të Serbisë për të depërtuar në territorin e Kosovës. Ne jemi dëshmitar të asaj që ky sulm terrorist është organizuar nga Beogradi zyrtar dhe është mbështetur nga Shërbimet sekrete serbe por deri më tani as në aktakuzë nuk kemi parë që është përfshirë Serbia si shtet por Radoiçiq dhe personat e tjerë”, shpjegon eksperti.

Në fund, Elezi thotë që Kosova është e rrezikuar nga një sulm i ngjashëm si ai i Banjskës së vitit të kaluar.

“Ndërsa sa i përket faktit se a ekziston rreziku për një përsëritje të agresionit atëherë e dim që Kosova është e ekspozuar nga një rrezik i tillë, sepse sërish ka informacione dhe dyshime që serbët po kryejnë ushtrime ushtarake të ndryshme afër kufirit të Kosovës dhe të njëjtit po rekrutojnë të ri për të ndjekur trajnime të veçanta për aktivitete ushtarake. Të njëjtit persona thuhet që janë të gatshëm që të hyjnë në Kosovë në momentin që kërkohet kjo gjë nga Serbia”, përfundoi eksperti i sigurisë, Bedri Elezi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat