Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.
Kosova e ka cilësuar sulmin si terrorist dhe e akuzon shtetin e Serbisë se ka gisht në të. Serbia i ka mohuar akuzat.
Në fillim të këtij muaji, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për këtë sulm. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.
E në lidhje me njëvjetorin e sulmit në Banjskë dhe vrasjen e rreshterit policer, Afrim Bunjaku, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur opinonisti Dedë Preqi.
Opinonisti thotë që ky rast i Banjskës jep një mesazh të pa lakmueshëm rrjedhës së marrëdhënieve në mes Serbisë dhe Kosovës.
“Rasti i Banjskës, para një viti, ku në krye të detyrës vrahet rreshteri policor i Kosovës, Afrim Bunjaku, nga terroristët dhe kriminelët serb të Vuçiqit, jep një mesazh të pa lakmueshëm rrjedhës së marrëdhënieve në mes Serbisë dhe Kosovës. Ndjenjat dhe respekti për policin e Kosovës, i jepen ngushëllime familjes dhe rrethit të ngushtë në këtë ditë të përkujtimit.
Populli shqiptar i ka disa tradita të veçanta, që në raste të tilla e gjen forcën e vet për të qenë krenar para armiqve, duke e fshehur lotin dhe vajtimin, por kuptohet, jo edhe dhimbjen në zemër që ka për të gjithë ata që kanë rënë në krye të detyrës, si dhe për heroin e kombit të vet Afrim Bunjaku”, u shpreh ai.
Më tej, Preqi thotë që nuk mund të harrohet sulmi terrorist i Banjskës lehtë, pasi ishte planë i pistë nga Beogradi.
“Sulmi terrorist serb në Banjskë të Zveçanit, nuk mund të harrohet lehtë nga asnjëra palë, sepse gjëmat dhe vajtimet e nënave për bijt e tyre ishin pa dallim. Ky agresion do të ishte një plan i pistë i përpiluar në Beograd, për ta aneksuar pjesën veriore të Mitrovicës së Kosovës.
Dhe kjo ngjarje e terroristëve serb në Banjskë, do të ishte jo e pa pritur, sepse siç thotë një fjalë popullore, kur këndon «korbi i natës rreth shtëpisë», mund të ndodh diçka e pa pritur, dhe në këtë rast të ngjashëm, korbat nuk pushuan dhe nuk pushojnë as këto ditë në vijim.
Nga ana tjetër duhet të themi se koncepti i këtij qëllimi po kuptohet në një mënyrë formale apo të thjeshtë, por jo në mënyrë të qartë, sikur po trajtohet nga Bashkësia Ndërkombëtare, duke e ledhatuar hartuesin dhe projektuesin e këtij plani, kryekriminelin Aleksandër Vuçiq, i cili kriminelët e kësaj ngjarje në krye me Radoiçiqin, i amniston dhe i mbron brenda territorit të vet”, shpjegon Preqi.
Sipas opinonistit ky sulm kishte për qëllim që të pësonte një tragjedi më të madhe.
Duke vazhduar ai shprehet kritikues për ndërkombëtarët që nuk e kanë ndëshkuar Serbinë.
“Këtu para se gjithash, duhet të mendojmë fort mirë se nga ky plan kanë mundur të pësojnë apo të shkaktohet një tragjedi më shumë viktima, dhe të ndezët një luftë frontale në mes Kosovës dhe Serbisë, që do të ishte e pa mundur që edhe NATO, do të merrte përgjegjësinë e saj.
Ngjarja që shkaktuan terroristët serb në Banjskë të Zveçanit, do duhej që Bashkësia Ndërkombëtare, një rast të tillë ta trajtojë dhe shqyrtojë më me kujdes dhe seriozitet, duke mos e ndëshkuar Serbinë për një rast të tillë të terrorizmit, që përveç domethënies së një agresioni ndaj Kosovës, do të kishte shkaktuar rrezikshmëri edhe një shpërthim konflikti, apo një lufte të mundshme në rajon”, potencoi ai.
Në fund opinonisti thotë që kisha serbe e këtij Manastiri është çelësi i kësaj ngjarje dhe do të duhej të mbyllet.
“Çfarë kuptimi do të kishte mbyllja e kishës serbe në Banjska, dy-tri ditë para përvjetorit të kësaj ngjarje, sepse vetë kisha serbe e këtij Manastiri, është vetë çelësi i kësaj ngjarje, e cila është e kyqur në këto rrethana bashkë me shtetin e Serbisë dhe kriminelin Vuçiq, të cilët shkaktuan një ngjarje të tillë në shtetin e pavarur të Kosovës, për ta destabilizuar këtë vend.
Në secilën pjesë të historisë në mes Serbisë dhe Kosovës, kuptimi i të cilave nuk mund të shprehet përmes koncepteve të thjeshta të rebelimit serb, që në çdo rrethanë të rrezikut dhe turbullimeve të kohës, bëhet fjalë për një dëmtim biologjik, psikologjik dhe shpirtëror të palës shqiptare, i cili pa të drejtë fle brenda historisë, e ca më pak për një faj moral të kësaj pale, që del në pah në tërësinë e ekzistencës së kësaj pale, dhe bëhet fjalë për një ngjarje që e tejkalon gjendjen tonë historike”, përfundoi opinonisti Dedë Preqi për “Bota sot”.