Zemaj tha se për Vjosa Osmanin ka ende vend në LDK, ‘zbulohet’ arsyeja e kësaj deklarate

Politika

Zemaj tha se për Vjosa Osmanin ka ende vend në LDK, ‘zbulohet’ arsyeja e kësaj deklarate

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 24 shtator 2024 Në ora: 13:47
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Kanë mbetur edhe pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare. Tashmë kanë filluar edhe para-fushatat e partive politike, e  bashkë me to edhe aludimet për lëvizjet e ndryshme të politikanëve nëpër parti politike.

Ajo që së fundi u përmend, ishte nga deputeti Armend Zemaj, i cili deklaroi se për Presidente Vjosa Osmani, ka ende vend në LDK.

Sipas tij, nuk ka kushte për të qenë pjesë e LDK-së, ndërsa Presidentja Osmani duhet të bëj sakrificë, ta lë pozitën aktuale.

“Në pjesën e brendshme të LDK-së, (mundësia) është pas katër vitesh, por për të qenë anëtar, mund të jetë nesër. Nuk mund të ketë kushte (për anëtarësim) sepse ne jemi parti e hapur. Nuk kemi kushte, sepse kushdo që e përqafon programin e LDK-së, mundet me garu, edhe me zgjedh e edhe me u zgjedhë. Nëse (Osmani) e do aq shumë LDK-në, duhet pak sakrificë, le ta lëshojë nesër pozitën e presidentes, pastaj vjen. Kjo nuk është ofertë, por është sakrificë për të”, potencoi ditë më parë deputeti Zemaj.

Lidhur me këtë temë ka folur për ‘Bota sot’, Saim Tahiraj, veprimtari i hershëm i LDK-së në diasporë, e ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt. Duke përmendur deklarimin e deputetit Zemaj, ai thotë se ky deklarim po shpërfaq dy gjëra jo etike të cilat po e përcjellin në vazhdimësi LDK-në.

Image
Saim Tahiraj

Tahiraj: Nëse kjo ndodhë dhe kthehet në LDK Vjosa, atëherë me çfarë ftyre do të dalin para anëtarësisë së saj?

 “E para, me çfarë morali politik formulohet kjo deklaratë? Konsideroj se edhe në politikë duhet të kesh së paku një minimum moral politik. T’i thuash një personi që ka dalë nga LDK-ja me një revoltë ekstreme, duke e përgjysmuar LDK-në dhe po jua përkujtoj në 12% e solli. Kjo nuk është hera e parë që veprohet kështu, por po përsëritet që disa herë, dhe çuditërisht ata/ato që largohen nga LDK, rikthehen të privilegjuar duke u shpërblyer me poste të larta në parti dhe pushtet. Ky veprim tani është shndërruar në një far tradite, nëse dëshiron të avansohesh në parti dhe pushtet, së pari duhet të largohesh nga  LDK-ja, ta dëmtosh atë dhe kthehesh i shpërblyer”, vlerëson ai.

Ai thotë më tutje se, veprimtarët e devotshëm, besnik të LDK-së që kurrë nuk u ndalën së vepruari dhe asnjëherë nuk lëvizën, por i qëndruan besnik partisë, nënçmohen, injorohet dhe anashkalohen.

“Atëherë pyes se cili është morali politik i strukturave drejtuese të LDK-së? E dyta, nëse kjo ndodhë dhe kthehet në LDK Vjosa, atëherë me çfarë ftyre do të dalin para anëtarësisë së saj? Si do ua  arsyetojnë ndarjen dhe dëmin që ja shkaktuan LDK-së? Si do i arsyetojnë akuzat, fyerjet ekstreme që ja bënë njëri-tjetrit? Një kategori e politikanëve që janë mësuar vetëm në karrige, nuk zgjedhin fare metoda, por janë në gjendje të përdorin çdo metodë pa pyetur fare për moralin, vetëm e vetëm të mbesin në kolltukun e tyre të dashuruar deri në ekstrem”, vlerëson Tahiraj.

Ai i bën thirrje LDK-së që t’i kthehet veprimtarëve besnik që nuk e tradhtuan asnjëherë këtë parti.

“Një sëmundje e pashëruar kurrë e politikanëve tanë, kulltukofagë të sëmura. Uroj që LDK të zgjohet nga kjo agoni dhe t’i ndërpres veprimet e tilla të cilat e dëmtuan seriozisht, në vazhdimësi. Kthejuni veprimtarëve besnikë që asnjëherë nuk e tradhtuan LDK-në, as në ditët më të vështira. Vetëm me ta LDK do ecë suksesshëm përpara”, theksoi Tahiraj për ‘Bota sot’.

Shkodra: Një numër i votuesve të LDK-së të cilët shkuan pas Vjosa Osmanit, do t'i zhgënjente sikur të thoshin se nuk ka vend më për Vjosa Osmanin

Ndërkaq, analistja politike, Magbule Shkodra thotë se pasi tash jemi do të thotë para zgjedhjeve, të gjitha partitë do ta kenë ato deklarata që janë të gatshëm të pranojnë të gjithë, kushdo që është i interesuar t'u bashkohet, pra është vetëm interesi i votave të tyre.

Image
Magbule Shkodra

“Sa i përket çështjes në fjalë, deklaratës së deputetit Armend Zemaj, mendoj që edhe ai në këtë kontekst e ka thënë sepse nuk do të ishte mirë të thoshte që nuk do ta pranonim sepse megjithatë një numër i votuesve të LDK-së të cilët shkuan pas Vjosa Osmanit, do t'i zhgënjente sikur të thoshin se nuk ka vend më për Vjosa Osmanin. Prandaj mendoj që edhe ai e ka bërë këtë deklaratë”, vlerëson ajo.

Ajo thotë se Presidentja Osmani ka mandate edhe një vit, dhe më pas nëse mendon ta vazhdoj karrierën politike, mund të kthehet në ndonjë parti politike dhe e preferuara e saj do të ishte LDK-ja.

“Përndryshe Zonja Presidente e ka mandatin edhe një vit pas zgjedhjeve parlamentare dhe në rast se shkarkohet, rastësisht nëse shkarkohet, atëherë nëse ajo mendon ta vazhdojë karrierën politike, do të kërkojë që të kthehet ndoshta në ndonjë parti politike dhe kuptohet që e preferuara e saj do të ishte LDK, por në këtë rast secila parti ka procedurat e veta, në të cilat duhet të kalojë për të bërë rikthimin e saj dhe besoj se do t'i respektojnë këto procedura”, thekson analistja Shkodra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat