Shqiptarët në Kosovën Lindore në “luftë” me pushtetin serb për të drejtat e tyre – Kërkohet më shumë mbështetje edhe nga Kosova e Serbia

Politika

Shqiptarët në Kosovën Lindore në “luftë” me pushtetin serb për të drejtat e tyre – Kërkohet më shumë mbështetje edhe nga Kosova e Serbia

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 24 shtator 2024 Në ora: 18:58
Profesta e shqiptarëve në Kosovën Lindore

 

Kjo ishte protesta e dytë me radhë nga shqiptarët në Kosovën Lindore.

Shqiptarët në Kosovën Lindore janë të diskriminuar, duke iu mohuar të drejtat si popull nga pushteti serb.

Ata shprehën pakënaqësitë e tyre përmes protestës, duke kërkuar të drejtat si pakicë.

Ata dërguan edhe mesazhe: “Nga këtu dërguam porosinë se shqiptarët duan barazi, sepse barazia pa drejtësi nuk bëhet. Kërkesat e shqiptarëve janë të kamotshme, e kamotshme është edhe heshtja e shtetit dhe padrejtësia që po u bëhet shqiptarëve.”

Nga ana tjetër, Serbia e mohon një gjë të tillë. Madje, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte thënë se Serbia është gati të veprojë në mënyrë të përgjegjshme dhe të ndihmojë shqiptarët që jetojnë në jug të Serbisë “për të ndërtuar shkolla dhe gjithçka tjetër.”

“Askush nuk po i rreh, nuk po i ngacmon apo diçka tjetër. Serbia është shtet demokratik dhe ne do të vazhdojmë të sillemi në këtë mënyrë,” tha Vuçiq në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve lidhur me protestën.

Duhanaj: Shqiptarët duhet të demonstrojnë çdo ditë, derisa t'u dëgjohet zëri

Image
Leon Duhanaj

Analisti Leon Dunahaj për gazetën “Bota sot”, thotë se protestata e shqiptarëve atje janë legjitime dhe të domosdoshme.

Madje, Duhanaj thotë se atje në sy të ndërkombëtarëve po bëhet spastrim etnik ndaj shqiptarëve, po ashtu është Serbia ajo që nuk po i ndalon aktivitetet diskriminuese karshi shqiptarëve.

“Protestat e shqiptarëve të Luginës, përveç se janë legjitime, janë edhe të domosdoshme.

Serbia sistematikisht po realizon spastrim etnik dhe krejt kjo bëhet nën vëzhgimin ndërkombëtarë.

Është e papranueshme që edhe përkundër faktit se kemi marrëveshje të nënshkruara, Serbia nuk i ndalon aktivitetet diskriminuese karshi shqiptarëve, duke shkelur të drejtat bazë të qytetarëve shqiptarë  dhe duke ua fshirë adresat sistematikisht.

Është e papranueshme dhe tejet dëshpërues fakti se e gjithë kjo ndodhë me dijeninë e ndërmjetësuesve ndërkombëtar, dhe ne si shqiptarë, nuk arrijmë ta ngrisim zërin në nivelet e duhura diplomatike.

Duhet të ketë me shumë sensibilizim dhe me shumë mbështetje nga shteti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë.

Shqiptarët duhet të demonstrojnë çdo ditë, derisa t'u dëgjohet zëri”, shprehet Duhanaj.

Hasani: Në Evropë, shqiptarët në Luginë të Preshevës, janë më të diskriminuarit, prandaj do të duhej të vazhdohet të protestohet

Image
Refik Hasani

Profesori nga Presheva, Refik Hasani, potencon se kjo protestë ishte paqësore dhe ishte kundër diskriminimit, dëbimit, shtypjes, shkeljeve që iu bëhen shqiptarëve në Kosovën Lindore

“Marshi protestues i realizuar sot në Preshevë, të ftuar  nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, ku është mbështetur nga gjithë subjektet politike në pozitë dhe në opozitë nga Presheva, Medvegja, e Bujanoci, nga ish-Ushtarë e  veteranë të ish-UÇPMB-së, nga Shoqëria Civile, deputeti i vetëm në Parlamentit e Serbisë Shaip Kamberi, etj, në Preshevë qendrën me moton  “Për IDENTITET E DINJITET”, ishte një manifestim madhështor.

Kujtojmë se më datën 12 gusht të këtij viti shqiptarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci në mënyrë paqësore realizuan marshin protestues në qendrën e qytetit në Bujanoc, me të njëjtën moto "PËR IDENTITET dhe DINJITET". Marshi protestues, i mbajtur në Bujanoc, sikurse edhe marshi protestues i mbajtur sot në Preshevë, ishin kundër diskriminimit, përmes pastrimit etnik-pasivizimit, zhvendosjes dhe dëbimit, shtypjes dhe shkeljeve që i bëhen shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Këto dy marshe protestuese ishin për barazi dhe drejtësi! Kundër diskriminimit, në përdorimin e gjuhës shqipe, të simbolit kombëtar, në investime e përfaqësime.

Për IDENTITET e DINJITET, përballë padrejtësive e diskriminimit është përgjegjësi e përbashkët dhe e domosdoshme për të tashmen e të ardhmen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Këto dy marshe protestuese, ishin për të dëshmuar se problemet e kësaj Krahine shqiptare nuk mund të shtyhen pafundësisht!?.

Këto dy marshe protestuese, ishin për zbatimin e Marrëveshjeve të nënshkruara dhe për përmbushjen e detyrimeve të shtetit ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, shprehet ai.

Tutje, ai thotë se vetëm protestave demonstrohet se nuk pajtohemi me diskriminimin që na bëhet në gjithë segmentet e jetës.

Ai thotë se Serbia edhe ka shtuar prezencën e forcave të armatosura, policisë e ushtrisë.

“Vetëm përmes veprimeve që paqësisht manifestohet e demonstrohet të mos pajtohemi me diskriminimin që na bëhet në gjithë segmentet e jetës. Ne shqiptarët në Preshevë, Medvegjë, e Bujanoc meqë jemi  më të diskriminuarit, do të duhej të protestojmë për realizim të drejtave individuale dhe kolektive, si që thuhet, kemi NJË MILION E NJË ARSYE për të protestuar në mënyrë paqësore. Vazhdimi i protestave gjithë popullore, është një demonstrim se Serbia, jo që nuk e ka respektuar marrëveshjen e Konçulit, por i ka shtuar forcat e armatosura, forcat policore, gardën Kombëtare, Policinë kufitare, Policia Ushtarake dhe shërbimet e inteligjencës, kështu aktualisht pas 23 viteve kemi, si:

1.Prezenca e forcave serbe është shtuar nëpër vendbanimet lokalitete shqiptare, të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, janë 48 mini baza në Zonën Tokësore të Sigurisë, kemi militarizim të lartë, 

2.Amnistia e ish-ushtarëve të UÇPMB-së nuk është respektuar, sepse pas Marrëveshjes së Konçulit shumë Ushtarë pas dorëzimit të armëve nën mbikëqyrje, monitorimi e garantimin e ndërkombëtarë janë ballafaquar e përballur me ftesa të pranuara në biseda të shpeshta informative, janë keqtrajtuar, maltretuar dhe u janë ngritur e kurdisur skenarë për burgosjes e arrestime,  

3.Policia multietnike nuk është instaluar në përpjesëtim të popullatës, e as në hierarkinë komanduese në policinë multietnike,

Më së shumti ka arsye të protestojnë shqiptarët në Serbi, të ndalen kurdisjet e gjyqeve politike ndaj Ushtarëve të UÇPMB-ës, që të lëvizim lirshëm dhe Beogradi të demilitarizoj dhe heqë bazat e shumta ushtarake nga vendbanimet shqiptare veçmas me zonat kufitare me Republikën e Kosovës, të cilat prodhojnë pasiguri dhe presion të vazhdueshëm për shpërngulje.

Në fund, Hasani shprehet marshe protestuese duhet të mbahen edhe në Prishtinë e Tiranë për të mbështetur shqiptarët që jetojnë në krahinën lindore të Kosovës.

Ai po ashtu bën thirrje që kryetarët e komunave shqiptare të bashkohen dhe të artikulojnë vendime për të  adresuar që nga Parlamenti dhe qeveria e Republikës së Serbisë deri në instanca e mekanizëm të BE-së dhe OKB-ës, për barazi dhe drejtësi.

Shqiptarët nga Presheva, Medvegja, e Bujanoci, përkatësisht faktori politik në Preshevë, Medvegjë, e Bujanoc, gjithnjë të jenë dhe të paraqiten me kërkesa dhe qëndrime të unifikuara, të dalin sa më unik me kërkesa të harmonizuara dhe të artikuluara mirë, jo vetëm para Beogradit zyrtar por dhe para instancave e mekanizmave të BE-ës dhe OKB-ës.

Kryetarët shqiptarë të tri Komunave, duke përfshi Kryesuesit e Kuvendeve Komunale të tri Komunave, bashkë me zëvendësit dhe Nënkryetarët dhe gjithë Këshilltarët Komunal, të mbajnë e organizojnë seancë të përbashkëta, duke u konsultuar e diskutuar, të hartojnë e artikulojnë për të nxjerr vendime për të  adresuar që nga Parlamenti dhe qeveria e Republikës së Serbisë deri në instanca e mekanizëm të BE-së dhe OKB-ës, për barazi dhe drejtësi, kundër diskriminimit, në përdorimin e gjuhës shqipe, të simbolit kombëtar, në investime e përfaqësime, të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë, e Bujanoc. Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, do të duhej të protestohet edhe në Medvegjë, Tiranë, Prishtinë, Bruksel e Nju Jork. 

Marshi protestues, i mbajtur në Bujanoc, sikurse edhe marshi protestues i mbajtur sot në Preshevë, është një sinjal, që BE-ja, të ndal mos trajtimin e duhur të kësaj krahine, dhe të duhej të mos mbështesin me dy standarde. Treguan një mesazh paqeje edhe për BE-n, të vizitojnë e rrisin prezencën dhe monitorimin duke garantuar të drejtat individuale dhe kolektive.

Marshet protestuese, ishin një alarm, që përfundimisht për ndryshim të qasjes nga Prishtina e veçmas nga Tirana zyrtare, në raport me Preshevën, Medvegjën, e  Bujanocin.

Ne, shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc që në vitin 1992, kemi realizuar organizimin e Referendumit, dhe është organizuar një kryengritja e armatosur dhe sakrifica për liri, barazi nga UÇPMB-ja.

Kjo Krahinë është Rajoni më i pazhvilluar dhe më i diskriminuar në gjithë Evropën. Mbi të gjitha, kjo Krahinë nuk e ka të zgjidhur statusin politik, pengesë e të gjitha zhvillimeve”, përfundon Refik Hasani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat