‘Misteri’ i letrës së Bërnabiqit, BE shton edhe më shumë paqartësitë – vjen thirrja për Kosovën!

Politika

‘Misteri’ i letrës së Bërnabiqit, BE shton edhe më shumë paqartësitë – vjen thirrja për Kosovën!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 25 shtator 2024 Në ora: 08:05
Ana Bërnabiq

Çështja e tërheqjes ose jo të një letre që Serbia, më saktësisht ish-kryeministrja Ana Bërnabiq ia ka dërguar Bashkimit Evropian lidhur me Kosovën, është mbështjellë me mister.

Kohëve të fundit, ka pasur deklarata nga më të ndryshme lidhur me këtë letër, sa që ende është në ‘mjegull’ fakti nëse është tërheq apo jo.

Më 6 shtator, pas një takimi në Prishtinë me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, emisari sllovak për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, deklaroi se Serbia e ka tërhequr letrën e kryeministres së atëhershme, Ana Bërnabiq.

Nëpërmjet kësaj letre, dërguar në Bruksel në dhjetorin e vitit 2023, Serbia shprehu rezerva për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën dhe për Aneksin e zbatimit të saj, që BE-ja i sheh si marrëveshje historike në procesin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Mirëpo, pas disa ditëve, zëvendëskryeministri Bislimi tha se ka kuptuar që letra, në të vërtetë, s’është tërhequr.

Ajo që ka dashur ai të thotë në Prishtinë është se, po punohet me Serbinë që letra të tërhiqet. Letra nuk është tërhequr dhe as nuk ka kërkesë për tërheqjen e saj nga ana e Serbisë ende”, deklaroi Bislimi.

Këto deklarata shkaktuan konfuzion, derisa zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se Brukseli nuk i komenton deklaratat e asnjërës palë, duke shtuar se është Serbia ajo që duhet të pyetet lidhur me veprimet e saj.

Ne presim që palët më në fund të përqendrohen te zbatimi [i Marrëveshjes] dhe të mos humbin kohë në taktika devijuese”, tha Stano.

Burime të REL në BE kanë bërë të ditur se askush në Bruksel nuk ka deklaruar se letra është tërhequr, përveç Lajçakut.

Kurse, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, as nuk ka mohuar, e as pohuar se shteti i tij e ka tërhequr këtë letër.

Pse është gjithë ky mister mbi këtë letër, a çon peshë nëse është tërhequr apo jo? Pse BE refuzon ta qartësojë këtë gjë? A mund të ndikohet rrjedha e dialogut Kosovë-Serbi?

Këto janë disa dilema që janë ngritur pas këtyre paqartësive, e për të cilat folën njohësit e politikës e diplomacisë.

Ukshini: Letra dhe mos tërheqja e letrës së autoriteteve tregon se BE nuk e ka seriozisht çështjen e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi

Image
Sylë Ukshini

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” ka folur ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini.

Si fillim, ai tha se nuk ka qasje korrekte të BE-së karshi Kosovës, derisa tha se edhe reagimet nga institucionet tona dhe akterët publik, kanë qenë të buta.

“Kjo qasje e BE tregon pozicionin jo unik qe ekziston brenda BE-së lidhur me Kosovës. Në fakt kjo letër dhe bashkë me të edhe njohja e pasaportave të Qendrës Koordinuese Serbe pikërisht në kohën kur u liberalizuan vizat dhe po fuqizohej pasaporta e Kosovës dhe kishte interesim nga serbët lokalë për këto pasaporta, erdhi vendimi nga Brukseli për njohjen e këtyre pasaportave.

Qëndrimi ka qenë i butë në katër anë: nga Qeveria, opozita, OJQ, mediat dhe të gjithë njerëzit e angazhuar të vendit. Mendoj se letra dhe mos tërheqja e letrës së autoriteteve tregon se BE nuk e ka seriozisht çështjen e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi”.

Krahas kësaj, Ukshini përmendi tre arsye se pse Bashkimi Evropian po sillet në këtë mënyrë ndaj Kosovës, derisa nuk po i qartëson disa gjëra, siç është edhe rasti i letrës së Bërnabiqit.

Përse sillet BE kështu, ka tri arsye: Lufta në Ukrainë dhe mos uniteti i brendshëm. Uniteti i vetëm deri më tani ka qenë vetëm vendosja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe kërkesa në unison për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i Republikës së Kosovës (AkSH S RKS), që është një zgjatje e Serbisë brenda Kosovës.

E treta, vendet kryesore si Gjermania dhe Franca kanë probleme te brendshme politike me ekstremin e djathtë dhe atje Marcon dhe Scholz janë në pozitë të vështirë”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, ish-ambasadori parashikoi edhe disa gjëra që mund të ndodhin, në rast se BE vazhdon me këtë qasje ndaj Serbisë.

Pra, të gjitha këto të ndjekur nga strategjia evropiane “për ruajtjen e fytyrës” së palës serbe, dëshiron që për shkak të zhvillimeve gjeopolitike t’i bëhen koncesione Beogradit. Me këtë logjikë si është kah operon BE, mos u habitni kur pas disa viteve BE duke përdorur referencat e Rezolutës 1244 të kërkojë kthimin e disa policëve serbë në zonat serbe, ashtu siç po kërkon ruajtjen e institucioneve të Serbisë brenda Kosovës dhe rikthimin e monedhës së Serbisë në Kosovë”, përfundoi Sylë Ukshini për “Bota sot”.

Zogaj: Kosova duhet të kuptojë njëherë e përgjithmonë që të pastrojë oborrin e vet, pa shikuar çfarë bën Serbia

Image
Skendër Zogaj

Kurse, publicisti Skendër Zogaj vlerësoi se Kosova nuk duhet të merret aspak me letrat e Serbisë e Bërnabiqit.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se nuk ka nevojë të shpenzojë energji kot rreth dërgimit të letrave të mistershme të shtetit serb.

Fakti që Serbia po arrin të prodhojë dhe lansojë copa mjegullash të zeza të cilave Kosova po u kushton vëmendje të posaçme duke u marrë me to, është fatkeqësi e politikës sonë, e cila po e dëmton vetveten, sepse, nuk ka nevojë të merret me to, pra nuk ka çka merret Kosova me paçavuret e Bërnabiqkave të Serbisë, që dihet se, janë gjithmonë të zeza! Pse u dashka Kosova të merret me letrat e Serbisë, kur Kosova ka letër boll edhe lapsa të prehtë dhe, mund të shkruaj letra për hallet e veta, e jo të derdh energji të kota imagjinative dhe brenga abstrakte rreth dërgimit të letrave të misterishme dhe të vuaj: Pse? Ku, Kush? Mbase? Ndoshta ky, ai, ajo, ndoshta ... e kështu humb udhën nëpër mjegullat serbe!”.

Gjithashtu, publicisti vlerësoi se BE duhet të merret me letrën e Serbisë, derisa Kosova të merret me obligimet e saj.

Nga Kosova, kërkoi që të merret me zotimet dhe angazhimet që ka.

“Letra iu dërgua Brukselit dhe Brukseli le të merret me të! Kosova e dinë pjesën e vet të obligimeve dhe të mosmarrëveshjeve. Këto duhet t'i analizojë mirë dhe t’i zbërthejë nga prizmi i obligimeve të Kosovës, dhe konfort të merr masa të prera për përmbushjen e obligimeve që i ka marrë! Nëse këtë nuk e bënë, le ta themi hapur, është e sigurt se gabon dhe kjo nuk shkon pa zarar: BE-ja do ta rris shkallën dhe do ta rëndoj peshën e tagrit!!! Këtu qëndron problemi e aspak te letra e dërguar nga Bërnabiqkave dhe Aleksandrat të cilët në lojën e humbur duan "bishtin e sopatës"! Brukseli është lodhur me skeçet serbo- shqiptare dhe, kur të lodhet, e nxjerr lapsin e kuq dhe e vizaton "kulaçin" dhe një "hosten" për ata që refuzojnë ta hanë kulaçin e vizatuar!

Kosova duhet të kuptojë njëherë e përgjithmonë që të pastrojë oborrin e vet, pa shikuar çfarë bën Serbia!” – përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat