Skenari i Banjskës: Serbisë i dështoi edhe Plani B, ky ishte plani A

Politika

Skenari i Banjskës: Serbisë i dështoi edhe Plani B, ky ishte plani A

Nga: P.R. Më: 25 shtator 2024 Në ora: 14:14
Banjska gjatë 24 shtatorit 2023

U bë një vit nga dita e trishtë dhe e tmerrshme e 24 shtatorit të vitit të kaluar. Kaluan 366 ditë dhe Banjska dhe akti terrorist i paraushtarakëve serbë të trajnuar në Serbi dhe të drejtuar direkt nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, por nën udhëheqjen nga krimineli, Milan Radojeçiq.

Për fat të mirë Prokuroria Speciale e Kosovës pas gati një viti ka shpallur aktakuzën për 45 terroristë të cilët morën pjesë në aktin terrorist të Banjskës.

Por megjithatë kreu i grupit terrorist, Milan Radoiçiq, është në liri, ndonëse Kosova ka shpallur akt-akuzën për të, presidenti serb dhe qeveria e tij e kanë marrë në mbrojtje të drejtpërdrejtë.

E lidhur me këtë, profesor, doktor Enver Bytyçi thotë se Radojeçiq është nën mbrojtjen e Vuçiqit.

"Ai vazhdon biznesin e tij, tashmë nën emrin e Veselinoviq, mikut të tij të ngushtë. Prokuroria politike e Beogradit thotë se e ka nën hetim, por pa asnjë akuzë. Interpoli e kërkon ekstradimin e Radoiçiq në Kosovë, por Serbia thotë se nuk e njeh vendimin e Interpolit. Sot, më 24 shtator, një vit pas terrorit serb në Banjskë ku u vra oficeri i policisë, Afrim Bunjaku, në Serbi terroristët janë shpallur heronj. Edhe para një viti presidenti Vuçiq pati shpallur ditë zie në përkujtim të 3 terroristëve të vrarë në Banjskë", shprehet Bytyçi.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Sipas tij, kjo do të thotë se në Serbi po riaktivizohen planet për akte të tjera terroriste kundër Kosovës.

"Vetë kreu i bandës terroriste prej me shumë se 100 anëtarësh, është në veprim. Atë e mbështesin të gjitha strukturat e Serbisë, BIA, policia, ushtria, presidenti, qeveria, kisha dhe jo pak akademikë. Besojnë se Radoiçiq do t’ia kthejë veriun e Kosovës Serbisë. Atë që nuk mundën ta bëjnë Vuçiq, Edi Rama dhe Hashim Thaçi, po besojnë se mund ta bëjë terroristi Milan Radoiçiq", nënvizon Bytyçi.

Siç thotë ai, sulmi kundër Kosovës në Banjskë më 24 shtator 2023 shënoi kthesën e përgjegjësisë së shtetit për territorin dhe institucionet e veta.

"Policia e Kosovës dhe strukturat e sigurisë në vend dëshmuan një përgjegjësi të jashtëzakonshme patriotike dhe vepruan me profesionalizëm të jashtëzakonshëm. Ata në përballjen e tyre me terroristët e armatosur me armët më moderne të mundshme ruajtën atë që quhet reagim proporcional. Policia e Kosovës kishte mundësi atë ditë që t’i asgjësonte të gjithë ose shumicën dërmuese të terroristëve të detyruar të strehoheshin në kishën e Banjskës. Por nuk e bënë këtë, pikërisht për të ruajtur balancën e dhunës dhe e përdorën të drejtën e tyre në vetëmbrojtje me përmbajtje dhe humanizëm", deklaron profesor Enver Bytyçi.

"Për këtë arsye bota perëndimore u surprizua. Ndoshta disa kishin pritur që në kishë të bëhej masakër. Këtë masakër do ta kishte bekuar edhe Serbia dhe shteti serb, për ta luajtur më pas rolin e viktimës, siç ata dinë ta bëjnë këtë gjithmonë. Por plani B i Serbisë, për këtë nuk funksionoi. Plani A ishte aneksimi i veriut të Kosovës. Prej 24 shtatorit të vitit të kaluar besoj se është zhbërë ose tërheq ideja e ndarjes së Kosovës. Qendrat vendimmarrëse të Perëndimit u bindën tashmë se Kosova është e motivura dhe e aftë ta mbrojë territorin. Mbrojtja e territorit do të thotë edhe mbrojtje e shtetit. Deri para një viti edhe në BE e SHBA kishte njëfarë dileme, nëse kosovarët e duan ose jo shtetin e tyre. Nëse nuk e donin, dmth, nëse donin të bashkoheshin me Shqipërinë, qoftë dhe në një të ardhme të afërt, ndërkombëtarët do të zgjidhnin opsionin e ndarjes së Kosovës", shton Bytyçi.

Më tej, ai thotë se sa më shumë forcohen institucionet e Kosovës, aq më shumë forcohet shtetësia e saj.

"Sa më shumë që Kosova e dëshmon veten e saj për shtetësinë dhe nuk tregohet e pamatur në kërkim të bashkimit me Shqipërinë, aq më shumë do të jetë e suksesshme për të eliminuar rrezikun e Serbisë në Kosovë. Sa më shumë rritet ushtria e buxheti i saj, aq më shumë rritet aftësia mbrojtëse e saj. Sa më shumë forcohet policia dhe profesionalizmi i saj, aq më pak shanse kanë terroristët në Kosovë. Pikërisht për këto arsye kanë filluar të aktivizohen teori e skema të tjera anti-shqiptare. Një ndër to është edhe propozimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për krijimin e një shteti bektashian në Tiranë. Mosfunksionimi i politikës Rama-Vuçiq për ndarjen e Kosovës ka çuar në ushtrimin e fantazive të tjera", shprehet Bytyçi.

"Por fitorja e pastër 100:0 në favor të Kosovës e ka qartësuar tashmë rrugën e saj. Për këtë arsye them se asgjësimi e paralizimi i grupit terrorist serb në Banjskë para një viti është vepër e krahasueshme me Luftën e Vlorës në qershorin e vitit 1920. Asokohe në Konferencën e Paqes në Paris po diskutohej ricopëtimi i Shqipërisë për shkëputjen së paku të Gjirokastrës dhe Sarandës e bashkëngjitjen e saj Greqisë. Lufta e Vlorës i detyroi Fuqitë e Mëdha të heqin dorë nga ky projekt. Banjska dhe fitorja e pastër e policisë së Kosovës kundër terroristëve serbë solli të njëjtën situatë për Kosovën, siç pati ndodhur para 103 vitesh për Shqipërinë. Historia na përsëritet në të njëjtën formë. Dhe kjo do të thotë se Zoti i do shqiptarët. Por në rastin e Banjskës, ashtu si në Luftën e Vlorës edhe shqiptarët dëshmuan se e duan atdheun e tyre. Sa më shumë ta duam atdheun dhe njëri-tjetrin, sa më të bashkuar të jemi ne, aq më shumë na do edhe Evropa dhe Amerika, madje e gjithë bota", përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat