Lutfi Haziri paralajmëroi fitore të LDK-së, i vjen kundërpërgjigja: Kurti do të fitojë prapë derisa..

Politika

Lutfi Haziri paralajmëroi fitore të LDK-së, i vjen kundërpërgjigja: Kurti do të fitojë prapë derisa..

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 25 shtator 2024 Në ora: 16:40
Lutfi Haziri

Zgjedhjet janë caktuar për më 9 shkurt. Fushatat parazgjedhore dhe premtimet nga liderët për qytetarët kanë filluar tashmë. Aktivitetet përfshijnë intervista, tubime dhe takime me qytetarët.

Në qendër të vëmendjes mbeten deklaratat e opozitës, e cila paralajmëron fitore dhe rrëzim të qeverisë Kurti.

Së fundmi, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, deklaroi se qytetarët janë të zhgënjyer me qeverinë Kurti, e cila ka bërë shumë premtime pa i realizuar. Ai theksoi në një intervistë se Kurti nuk ka arritur të bëjë asgjë të re.

Ai tha se i njëjti sot punon në zyrën ku ka punuar Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi me ato mjete, atë ushtri dhe polici.

“Dëshpërimi është te qytetarët deri në zhgënjim, sepse kta kanë shkaktu pritje të mëdha kanë mbjell shpresë dhe besim. Kanë mrri që para 4 vitesh duke bërë një garë që unë e kam qujt ‘gara e pshtymës’ duke bërë me gisht, duke fajsu themeluesit e shtetit, të kaluarën, kanë arrit me kriju një përcepcion që në Kosovë duhet me ndryshu se nuk po ec puna mirë, asgjë më shumë nuk ka bërë përkundrazi ka dekradu edhe atë që e kemi bërë na deri tash. Sepse në atë zyre ku ka punu Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi është Albin Kurti me ato mjete, sot punon me atë ushtri me atë polici, me ato rrugë, me ato shkolla, asnjë nuk e ka bërë të re nuk ka mrri asgjë”, potencoi ai.

Haziri tutje u shpreh se nuk shtrihet sovraniteti duke hapur ëmbëltore më shumë. Ai tregon se sovraniteti ka ndodhur kur LDK e ka dërguar doganën dhe policinë në kufi.

Mirëpo, a do të ketë ndikim negativë kjo deklaratë tek Kurti, e cila u bë si pjesë ë fushatës parazgjedhore? 

Ahmeti: Gjykatësi më i mirë është votuesi

Image
Hidajet Ahmeti

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Hidajet Ahmeti.

Ai thotë se kundërshtarët është logjike që të japin kritika mirëpo të njëjtat duhet të kenë një bazë të logjikes, pasi votuesi tashmë është emancipuar.

“Është shumë logjike që kundërshtarët politik të japin kritika, por është jashtë çdo logjike të jenë destruktiv në kritika. Votuesi është emancipuar mjaftueshëm dhe para vetes ka dy mentalitete qeverisëse, ata të cilët kanë qeverisur rreth  njëzet vite dhe mentaliteti i qeverisë së tanishme”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thekson që Haziri është politikan që i ka mbijetuar politikës përmes strategjisë manipuluese dhe se nuk ka autoritet moral të flas.

“Gjykatësi më i mirë është votuesi, i cili ditën e zgjedhjeve do të gjykojë racionalisht, e jo një politikan karrierist si Lutfi Haziri, i cili ka mbijetuar në politikë përmes strategjisë manipuluese. Zoti Haziri po harron që shkaku i keqqeverisjes së tij me Gjilanin, votuesit e kanë larguar nga karrigia e pushtetit komunal. Mendoj që zoti Haziri nuk ka autoritet moral të flasë për moralizimin e politikës, pasi qytetarët nuk i besojnë një logjike qeverisëse të sojit Haziri”, foli Ahmeti për “Bota sot”.

Mehmeti: Kurti ka ardhë në pushtet për shkak se njerëz si Luta e kanë degraduar shtetin

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa analisti tjetër politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka thënë që Haziri me këto deklarata po humb votat për LDK-në dhe se deklaratat e tij ndaj Kurtit janë në linjë me ato të PDK-së.

“Çdo herë që Luta flet ia humb votat LDK-së, dhe shton vota tek Kurti. Lutfi Haziri është kumbarë i “koalicionit të zanë zi barit” dhe si i tillë është fajtor për katandisjen e LDK-së deri në këtë deregje”. Kështu që deklarata e tij ndaj Kurtit janë në linjë me ato të PDK-së, dhe përgjithësisht të klanit “Pronto””, thekson analisti.

Në fund, ai nënvizon që nuk është e habitshme që Kurti do të fitojë prap derisa njerëz si Lutfi Haziri janë pjesë e opozitës.

“Albin Kurti ka ardhur në pushtet për shkak se njerëz si Luta e kanë degraduar shtetin ku s’ka më keq, është “lëpirës” i pushteteve. Njeriu besnik i Isës që shkatërroi LDK-në del dhe kritikon Kurtin pa fije turpi, nuk është e habitshme që Kurti do të fitojë prapë derisa njerëz si Lutfi Haziri janë pjesë e opozitës”, përfundoi analisti Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat