Masat ndëshkuese mund të hiqen në vjeshtë? Flasin analistët: Masat nuk lidhen me gjendjen, por me këtë person...

Politika

Masat ndëshkuese mund të hiqen në vjeshtë? Flasin analistët: Masat nuk lidhen me gjendjen, por me këtë person...

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 25 shtator 2024 Në ora: 18:52
Foto ilustrim

Ka kaluar një vit e disa muaj që kur Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës  për shkak të mos ndërmarrjes së hapave të kërkuara për uljen e tensioneve në veri.

Nga Kosova thonë se ata tashmë i kanë plotësuar kushtet që masat të largohen, ndërsa pas shumë ‘mëdyshjeve’ siç duket Brukseli është zbutur dhe më në fund Kosova mund të ketë arsye konkrete të besoj se po afron heqja e tyre.

Vendimi për masa është marrë mbi arsyetimin se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i ulur tensionet në veri të vendit, në maj dhe qershor të vitit të kaluar. Disa javë pas vendosjes së masave, BE-ja pati arritur marrëveshje me Kosovën për shtensionimin e situatës në veri, në këmbim të heqjes së masave.

Ndër kërkesat kryesore kanë qenë zvogëlimi i pranisë policore në dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës dhe organizimi i zgjedhjeve të reja, të dyja kërkesa janë përmbushur mirë masat ende nuk ishin larguar, madje disa vende anëtare të BE-së besojnë se masat kanë shkuar tej limiteve. Autoritetet e Kosovës kanë thënë se i kanë përmbushur të dyja.

Pas më shumë se një viti, tashmë ka deklarime se masat mund të largohen në vjeshtë

Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, ka komentuar situatën politike në vend dhe raportet aktuale mes Kosovës e Bashkimit Evropian derisa kryeministri Albin Kurti qëndroi në Bruksel këtë javë.

Ai tha se Kurti ndoqi këshillën e BE-së për të mos e hapur Urën e Ibrit për qarkullim të veturave dhe thotë që pasi udhëheqja e re e bllokut të vihet në vend, masat ndëshkuese ndaj Kosovës mund të hiqen këtë vjeshtë. Këtu ai e lidhi edhe me rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

“Kryeministri Kurti është në Bruksel këtë javë që sigurisht mund të lobojë që masat e BE-së të hiqen. Ai ka ndjekur këshillën e BE-së për të mos rihapur urën e Mitrovicës për trafik. Por lidershipi i ri i BE-së nuk ka marrë ende detyrën pas zgjedhjeve të Parlamentit të BE-së qershorin e kaluar. Komisioni i ri u emërua vetëm sot. Dialogu Beograd-Prishtinë duhet të rifillojë së shpejti. Kështu që pres që masat e BE-së kundër Kosovës të hiqen më vonë këtë vjeshtë me kusht që të ketë një periudhë qetësie në veri dhe që Prishtina të bëjë përpjekje për të riintegruar serbët në polici, gjyqësor dhe administratën lokale. Vuçiç ka bërë thirrje që kjo të ndodhë dhe do të jetë një provë për të që të punojë në mënyrë konstruktive për të ndihmuar në zbatimin e saj”, ka thënë  ai për mediumin publik.

Analistët politikë besojnë se masat ndëshkuese nuk do të hiqen, derisa të ndryshohen organet e reja të BE-së, sidomos në krye me Kaja Kallas.

Sipas tyre, heqja e masave tanimë nuk ka të bëjë më me shtensionimin e gjendjes, as me Kosovën, por me personin e kryeministrit Kurti.

Heqja e masave me ardhjen e znj. Kaja Kallas?

Analisti politik, Rexhep Elezaj, hedh pikëpyetje pse vendet e BE-së nuk janë pajtuar që Kosovës t’i hiqen masat që në thelb janë të padrejta.

“Sado që neve mund të na duket, se fajtore kryesore për vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës vitin e kaluar në qershor, ishte BE-ja, ne duhet të jemi objektiv në vlerësimin, se përgjegjësinë për vendosjen e këtyre masave e mbanë, po ashtu, qeveria Kurti, e cila në disa veprime të saj në veri nuk i kishte marrë parasysh sa duhet disa kërkesa të Brukselit zyrtar, ku më kryesorja ishte shtensionimi i situatës në veri të vendit, por edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja për katër komunat në veri, pastaj çështja e disa lokacioneve dhe ndërtesave, etj., të cilat e shtynë BE-në që Kosovës t’i vendos masa ndëshkuese, duke e pezulluar përkohësisht punën në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, mos ftuarja e saj në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizita dypalëshe, si dhe pezullimi nga fondet e programit IPA- 2024. Është interesant të thuhet, se pranë kërkesave të vazhdueshme të cilat qeveria e Kosovës ia ka drejtuar organeve zyrtare të BE-së, për heqjen e këtyre masave, deri më sot kur ka kaluar më shumë se një vit nga vendosja e tyre, BE-ja nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për pezullimin e tyre, as të pjesshëm e as të plotë, gjë që ky qëndrim në vetvete shtron pyetje dhe dilema të ndryshme, se pse vendet e BE-së nuk janë pajtuar që Kosovës t’i hiqen këto masa, në thelb të padrejta, kur situata në veri të Kosovës është qetësuar, sidomos nga fillimi i vitit 2024 e deri më sot, masa këto të cilat ende nuk i janë hequr Kosovës, pranë plotësimit të kushteve nga ana e qeverisë së Kosovës..!?”, thotë Elezaj.

Image
Analisti politik, Rexhep Elezaj

Ai nuk pret që masat të largohen derisa në krye të organeve të reja të BE-së të vijnë komisionarët e rinj, sidomos Kaja Kallas në krye të Komisionit për politikë të jashtme dhe siguri.

Sipas tij, kjo e fundit çështjen e masave ndaj Kosovës do ta shqyrtojë në rend të parë.

“Unë, mendoj se bashkëpunimi i qeverisë Kurti me Brukselin zyrtar lidhur me (mos) hapjen e urës mbi Ibër, nuk do të ndikojë në heqjen e tyre, ngase në anën tjetër, qeveria e Kosovës ka refuzuar që çështje e urës të bëhet temë e dialogut Kosovë-Serbi, ashtu siç ka kërkuar ndërmjetësuesi i BE-së në dialog, z. M. Lajçak gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë para dy javësh. Kështu që, nuk pres se këto masa do t’i hiqen Kosovës derisa në krye të organeve të reja të BE-së të vijnë komisionarët e rinj, sidomos znj. Kaja Kallas në krye të Komisionit për politikë të jashtme dhe siguri, e cila besoj shumë se çështjen e masave ndaj Kosovës do ta shqyrtojë në rend të parë, si vullnet i mirë i saj për ta barazuar dialogun mes palëve, përparimi i të cilit për 5 vitet e ardhshme do varet kryesisht nga politika dhe qëndrimi i saj në raport me Kosovën, duke mos e favorizuar Serbinë, siç bëri Josep Borrell dhe M. Lajçak, por edhe disa funksionarë tjerë të BE-së. Pra, heqja e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, nuk do të ndodhë aq shpejt, edhe për faktin se një gjë e tillë kërkon konsensus të plotë brenda 27 vendeve anëtare të BE-së, i cili nuk u arrit as në muajt e kaluar, pranë kërkesës së z. Borrell, që Kosovës t’i hiqen pjesërisht masat në muajt e parë të vitit 2024, ngase disa vende anëtare ishin kundër heqjes së tyre”, shton Elezaj.

Masat e BE-së përfshijnë: Suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Masat tjera përfshirë ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).

Qarri: Mbajtja e masave nuk do të kishte asnjë kuptim

Analisti politik, Gani Qarri, thotë se masat nuk kanë qenë të fokusuara në rrafshin ekonomik që do ta dëmtonin vendin.

Ai jep detaje tjera rreth masave, gjersa shton se edhe pse ato ishin të përkohshme, e madje për to, as nuk është votuar fare në Komisionin Evropian, ka kaluar më shumë se një vit prej kur Bashkimi Evropian masat e tilla ndëshkuese.

 “Në fakt, sa u përket masave të BE-së, sipas të dhënave nga zyrtarët më të lartë shtetërorë të Republikës së Kosovës, ato ishin të përqendruara kryesisht në kufizimin e takimeve të nivelit të lartë evropian me përfaqësuesit e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, e jo dhe aq në rrafshin ekonomik, me të cilat do ta dëmtonin vendin tonë, akt i cili ka bërë, që kjo të mos ndjehet, drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve të vendit. Duke qenë se nga BE, informatat konkrete mbi vendosjen e masave nuk janë bërë të ditura as me rastin e aplikimit të tyre, sipas deklaratave të Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, Kosovës i është "ndaluar" miratimi i aplikimeve të reja, për investime në kornizën e Ballkanit Perëndimor, por që vendit tonë nuk i është ndaluar nga BE asnjë projekt ekonomik apo infrastrukturor duke u kufizuar vetëm në ndalimin e prokurimeve të reja që burojnë nga IPA 2023 dhe diskutimet për IPA 2024, pa ndërhyrë në prokurimet ekzistuese. Edhe nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, dëshmojnë se projektet nuk janë anuluar dhe Kosovës, vetëm njëherë nuk i është mundësuar e drejta e aplikimit për fonde të reja në kuadër të raundit të kaluar të kornizës investuese për Ballkanin Perëndimor. Megjithatë edhe pse ato ishin të përkohshme, e madje për to, as nuk është votuar fare në Komisionin Evropian, ka kaluar më shumë se një vit prej kur Bashkimi Evropian masat e tilla ndëshkuese, i ka vendosur jo edhe ndaj Serbisë, por vetëm ndaj Kosovës dhe deri me tash nuk ka pasur ndonjë hap konkret nga Brukseli për largimin e këtyre masave, ani pse Kosova i ka përmbushur kushtet e vendosura nga BE, për largimin e tyre”, deklaron Qarri.

Image
Analisti politik, Gani Qarri

Sipas tij, zhvillimet e fundit e kanë bindur që heqja e masave nuk ka të bëjnë më me shtensionimin e gjendjes as me Kosovën, por ka të bëjë drejtpërsëdrejti me personin e kryeministrit Kurti.

 “Ç ‘është e vërteta, edhe Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, qysh më 19 qershor u ka rekomanduar shteteve anëtare që të marrin qëndrim për heqjen e masave ndaj Kosovës, por megjithëse në rastin e Kosovës, në BE, për masat e vendosura, nuk është votuar fare, e për aq më tepër edhe vet Borell ka propozuar heqjen e tyre, përkundër faktit se gjendja në veri është stabilizuar e shtensionuar tërësisht dhe Qeveria po tregohet bashkëpunuese me ndërkombëtarët edhe sa i përket çështjes së hapjes së urës mbi lumin Ibër, deri më tani, heqja e tyre, ende nuk ka ndodhur. Zhvillimet e tilla, më kanë bindur që unë të besoj se, heqja e masave nuk ka të bëjmë më, me shtensionimin e gjendjes as me Kosovën, por ka të bëjë drejtpërsëdrejti me personin e kryeministrit Kurti. Prandaj me tendencën për izolimin e kryeministrit Kurti, si dhe mbajtjen në fuqi të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, përfshi edhe mos lejimin e hapjes së Urës, mbi lumin Ibër, elemente të caktuara nga BE, por edhe nga SHBA, po shpresojnë se do ta ulin, sado pak, përmasën e votave nga qytetarët e Kosovës, për kryeministrin Kurti dhe partinë e tij, në zgjedhjet e ardhshme, nga frika se po fitoj kryeministri Kurti përsëri zgjedhjet me mbi 50%, ato do ta bënin atë lider edhe më të pa kontestueshëm shtetëror dhe kryenegociator edhe më të papërkulshëm të Kosovës në negociatat e ardhshme me Serbinë”.

 “Në anën tjetër, siç dihet, një vit më parë në fshatin Banjskë të Zveçanit, një grup i armatosur terrorist serb, në krye me kryekriminelin Millan Radojçiq, të armatosur deri në dhëmbë, u futën nga Serbia dhe kryen agresion të armatosur publik, kundër shtetit të Kosovës, me ç ‘rast u vra në pritë, polici, tani hero i Kosovës, Afrim Bunjaku, por nga ajo ditë e deri më sot, megjithëse Radojçiq pranoi organizimin e aktit të agresionit të armatosur dhe pjesëmarrjen në këtë sulm terrorist, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë masë ndëshkuese ndaj tij, as ndaj Serbisë hegjemoniste, madje ai vazhdon edhe sot, të jetojë i lirë në Serbi”, nënvizon Qarri.

Tutje, sipas tij, largimi i masave ndëshkuese ndaj Kosovës, jo vetëm që nuk do të ndodhë së shpejti, por për Brukselin, nën udhëheqjen aktuale, shihet hapur se nuk ka arsye shtesë, as përmbushje të mjaftueshme të kushteve që ai t’i heq masat ndaj Kosovës, pasi që vetëm tani, ka filluar të përflitet, në kaluarën për mundësinë e tërheqjes së masave.

 “Shto kësaj faktin tjetër, se përkundër deklaratave diametralisht të kundërta të Mirosllav Lajçakut në Bruksel dhe në Prishtinë, as që ka ndodhur tërheqja e letrës që ish kryeministrja Bërnabiq, dhjetorin e vitit të kaluar i kishte dërguar Bashkimit Evropian se Serbia është tërhequr nga Marrëveshja e Ohrit për normalizimin e raporteve me Kosovën, por nuk u ndërmor asgjë kundër veprimeve të tilla të Serbisë, sado kontradiktore dhe konfliktuoze qofshin ato. Kështu që duket se largimi i masave ndëshkuese ndaj Kosovës, jo vetëm që nuk do të ndodhe së shpejti, por për Brukselin, nën udhëheqjen aktuale, shihet hapur se nuk ka arsye shtesë, as përmbushje të mjaftueshme të kushteve që ai ti heq masat ndaj Kosovës, pasi që vetëm tani, ka filluar të përflitet, në kuluare për mundësinë e tërheqjes së masave. Dhe duke pasur për qëllim definitiv, dëmtimin e kryeministrit Kurti, serish as që është dhënë afat as datë e caktuar, se kur mund të hiqen ato, gjë që më bënë, të besojë, se heqja e tyre, do të shtyhet me premtime, deri pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, pra pasi të dihet definitivisht partia fituese e zgjedhjeve dhe të eliminohen të gjitha dilemat, se kush do të jetë për 4 vitet e ardhshme në krye të Qeverisë së Kosovës, kur edhe mbajta e masave ndaj vendit tonë, nuk do të kishte më asnjë kuptim dhe nuk mund të shtyhet më tej, pa ndonjë arsye tjetër eventuale, “shumë” të fort”, përfundon Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat