Më 24 shtator u mbush një vit nga agresioni në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunajku nga terroristët serbë, nën udhëheqjen e Milan Radoiçiqit.
Përvjetori u shënua me vizita, nderime dhe homazhe në kujtim të heroit Afrim Bunajku.
Akterët tanë politikë theksuan se përgjegjëse për sulmin në Banjskë është Serbia.
Edhe Bashkimi Europian e kujtoi këtë ngjarje, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës.
“Kosovë: Një vit pas sulmit në Banjskë, Bashkimi Evropian përsërit thirrjen për ndjekjen penale të përgjegjësve dhe e riafirmon përkushtimin e saj për drejtësi dhe llogaridhënie”.
“Është një rikujtues për nevojën për përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur sigurinë dhe për të avancuar me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në reagimin e zëdhënësit Peter Stanos.
E kjo deklaratë i pengoi Serbisë. Ndaj saj, reagoi drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
“Kush e autorizoi zëdhënësi e BE-së për të shkelur neutralitetin e statusit të BE-së duke njohur Kosovën?”
“Në emër të kujt flet Stano dhe pse e tejkalon mandatin e tij kur pesë shtete të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës?
Nëse i ndërron punëdhënësit, ai duhet ta thotë këtë gjë me qartësi”, ka thënë Petkoviq.
Bilalli: Reagimi i Petkoviçit tregon edhe njëherë se Serbia, ishte e involvuar në organizimin e sulmit në Banjskë
Analisti Lutfi Bilalli, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se deklarimi i Petkoviqit kundër Stanos, ka të bëjë se Serbia është vet e involvura në sulmin e Banjskës, duke shtuar se këto deklarime dhe reagime kanë për qëllim edhe shfajësimin e Serbisë për sulmin terrorist në Banjska.
“Më plotë të drejtë mund të thuhet se sulmi terrorist i grupeve serbe të udhëhequra nga Milan Radojçiçi me 24 shtator (tash më po bëhen një vit) duhet të vihet para drejtësisë dhe fajtorët për sulmin dhe vrasjen e policit të shtetit të Republikës së Kosovës, të ndjerit Afrim Bunjaku, meritojnë dënim të merituar për aktin terrorist.
Reagimi i shefit të zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ndaj deklarimeve të zëdhënësit të Unionit Evropian, z. Peter Stano i cili pohoi sot se: “Një vit pas sulmit në Banjskë, BE përsërit thirrjen e saj për ndjekje dhe procesim të shpejtë të atyre që janë përgjegjës dhe rikonfirmon përkushtimin e saj për drejtësi dhe përgjegjësi…..”, ka shkruar Stano në platformen X. Në anën tjetër reagimi i Petkoviçit tregon edhe njëherë se Serbia, ishte e involvuar në organizimin, trajnimin dhe logjistikën për grupin e kriminelit Radojçiq (të gjitha rrugët dhe gjurmët e sulmit terrorist në Banjskë të dërgojnë në Beograd, mirëpo deklarimet dhe reagimet e palës serbe ndaj Stanos, në stilin dhe manirin e propagandës serbe kanë për qëllim shfajësimin e Serbisë për sulmin terrorist në Banjska i cili në krye të bandës kishte një nënkryetar e që de-facto ishte kryetar i "Listes Serbska" e cila dihet fare mirë që është bashkëpunëtor i afërt me Aleksander Vuçiqin.
Duke tentuar të demantoj zëdhënësin e BE-së se ai gjëja nuk mund të flet në emër të BE, ngase 5 vende anëtare të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Petkoviq dhe qeveria serbe shfaqë edhe njëherë drojnë e tyre mbi faktet, dëshmitë dhe dokumentet që kanë organet e drejtësisë dhe sigurisë së Republikës së Kosovës mbi involvimin e Beogradit në sulmin terrorist në Banjska (këto dëshmi dhe fakte me siguri që i kanë edhe agjencionet inteligjente dhe të sigurisë së faktorëve ndërkombëtar), nënvizon ai.
Ai shton, se Serbia ende nuk e pranon duke u munduar ta lokalizojë dhe ta paraqes atë si akt kriminal të një grupi “të frustruar”, duke parë që Serbia as nuk ka bashkëpunuar me organet, së paku me atë ndërkombëtare.
“Serbia aktin terrorist në Banjskë, tenton me gjithë fuqinë e saj që ta lokalizojë dhe ta paraqes si akt kriminal të një grupi të "frustuar" duke trumbetuar para faktorit ndërkombëtar që ajo (Serbia) nuk ka qenë e involvuar dhe as e përzier në sulmin në Banjska. Por sot e kësaj dite (u bënë një vitë nga rasti terrorist në Banjska) Serbia as nuk ka arrestuar as nuk ka bashkëpunuar me organet së paku të atyre ndërkombëtare për të dorëzuar personat nga bandat terroriste dhe krye terroristin Milan Radojqiqin (tashmë Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin në rastin Banjska).
Besojmë që BE-ja, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar, do të përdorin tërë kapacitetet e tyre diplomatike që Serbia të dorëzoj të akuzuarit në organet e drejtësisë në Kosovë”, deklaron ai.
Elezaj: Reagimi i Petkoviqit, në fakt shpërfaq gënjeshtrën e tij të madhe dhe të padronit që i shërben, Vuçiqit
Edhe analisti Rexhep Elezaj, thotë se deklarata e Petkoviqit shpërfaq gënjeshtrën e tij të madhe dhe të shefit që i shërben, Vuçiqit, duke thënë se edhe pse Kosovën nuk e njohin vetëm pesë shtete, kjo nuk do të thotë, se BE-ja ka status neutral ndaj pavarësisë së Kosovës.
Sipas tij, Pektoviq i bën këto deklarime sepse e di fare mirë që rasti në Bansjka nuk mund të kaloi në heshtje dhe pa u ndëshkuar aktorët e tij në krye me kriminelin Radojçiq, prandaj e sulmon i pari BE-në.
“Reagimi i çetnikut serb, P. Petkoviç, ndaj deklaratës së zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, i cili tha se, “një vit pas sulmit në Banjskë, Bashkimi Evropian përsërit thirrjen për ndjekje penale të përgjegjësve, si dhe riafirmon përkushtimin e saj për drejtësi dhe llogaridhënie”, duke thënë, “se në emër të kujt flet Stano, dhe pse e tejkalon mandatin e tij, kur pesë shtete të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, në fakt shpërfaq gënjeshtrën e tij të madhe dhe të padronit që i shërben, A. Vuçiqit, se BE-ja ka status neutral ndaj pavarësisë së Kosovës, kur janë 22 shtete anëtare të saj që e kanë njohur atë nga 27, sa është numri i shteteve anëtare të BE-së, dhe se mos njohja e saj vetëm nga 5 shtete, në asnjë mënyrë kjo nuk donë të thotë, se BE-ja ka status neutral ndaj pavarësisë së Kosovës.
Mirëpo, ne e dimë fare mirë, se për çfarë qëllimesh e bën këtë manipulim publik çetniku Petkoviç përmes gënjeshtrës së tij, tipike serbe, duke e sulmuar z. P. Stano, sepse ai/ata e dinë fort mirë, se rasti i sulmit dhe agresionit terrorist të Serbisë ndaj integritetit territorial të Kosovës, pikërisht para një viti në fshatin Banjskë, nuk mund të kalon në heshtje dhe pa u ndëshkuar aktorët e tij në krye me kriminelin Radojçiq, prandaj e sulmon i pari BE-në, në stilin e njohur serb, se “sulmi është mbrojtja më e mirë”, duke përhapur mjegull rreth këtij sulmi barbarë serb ndaj Kosovës”, shprehet ai.
Tutje, Elezaj thotë se Serbia po bënë çmos që këtë sulm ta kamuflojë dhe ta fusë nën tepih, pasi gjykimi i këtij grupin nënkupton gjykim ndaj Vuçiqit.
Derisa përmend edhe ngritjen e aktakuzës, Elezaj thotë se duket se i ka shqetësuar shumë përgjegjësit shtetëror të Serbisë.
“Është e vërtetë, se autoritetet serbe në Beograd kanë ndërmarrë dhe po vazhdojnë të bëjnë çdo lloj tentimi që sulmin barbarë ndaj Kosovës në Banjskë, ta kamuflojnë dhe fusin nën tepih, me qëllim që aktorët e tij të mos japin përgjegjësi para organeve të drejtësisë së Kosovës, ngase gjykimi i këtij grupi, nënkupton gjykim të presidentit serb, A. Vuçiq, i cili, sipas të gjitha gjasave, ka qenë i involvuar në atë sulm, dhe për shkak të cilit në çdo vend demokratik të botës, ai do duhej të jepte përgjigje morale dhe politike, si njeriu i parë i shtetit dhe si komandant suprem i forcave të armatosura të Serbisë.
Mirëpo, duket shumë qartë, se ngritja e aktakuzës ndaj grupit terrorist të M. Radojçiqit nga ana e Prokurorisë speciale të Kosovës para pak ditësh, si dhe kërkesat e vendeve të QUINT-it, bashkë me deklaratën e djeshme të zëdhënësit të BE-së, P.Stano, se aktorët e sulmit në Banjskë duhet të ndiqen penalisht për të dhënë përgjegjësi për vrasjen e policit të Kosovës, Afrim Bunjakut, si dhe për agresionin terrorist ndaj shtetit të Kosovës me 24 shtator 2023, duket se i ka shqetësuar shumë përgjegjësit shtetëror të Serbisë, të cilët po bëjnë çmos që rasti i sulmit në Banjskë të mbyllet me sa më pak dhimbje dhe pasoja për Serbinë”, përmbyll analisti Rexhep Elezaj për “Bota sot”.
Kujtojmë, se në fillim të këtij muaji, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për këtë sulm.