Të martën është bërë një vit që nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku ka mbetur i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Një vit pasi është bërë sulmi, ka filluar edhe seanca e rastit “Banjska”.
Ndaj tre të arrestuarve, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, u veçua procedura gjyqësore. Kurse për 42 të akuzuarit të tjerë, të cilët janë të paarritshme akoma për Prokurorinë Speciale, Gjykata Themelore njoftoi se do të kërkojnë opinion nga Gjykata Supreme, nëse mund të aplikohet gjykimi në mungesë.
Një ditë pas një vjetorit të sulmit në Banjskë, tre të arrestuarit po paraqitën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Nën masa të sigurisë, ndaj Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, filloi shqyrtimi fillestar në rastin “Banjska”.
Këta të tre nuk janë të akuzuarit e vetëm në rastin “Banjska”.
Edhe 42 persona të tjerë, janë në kërkim të autoriteteve kosovare, por sipas Prokurorisë Speciale, nuk kanë arritur që ta sigurojnë prezencën e tyre.
Rrjedhimisht, Gjykata vendosi që ndaj treshes të veçohet procedura, kurse për 42 personat e tjerë, Themelorja njoftoi se do t’i drejtohet Gjykatës Supreme, për t’i kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska”, mund të aplikohet gjykimi në mungesë.
Në anën tjetër, gjersa pritet vazhdimi i seancës për rastin “Banjska”, Kosova vazhdon të mos jetë “e qetë”, kjo pasi ka paralajmërime për hakmarrje nga ana e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, gjithashtu vëzhguese e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, nëpërmjet një postimi në platformën “X” ka paralajmëruar se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po përgatitet për hakmarrje.
Duke komentuar fjalimin e tij në OKB, Stradner vlerëson se presidenti serb po shkon hapave të Vladimir Putinit.
Thotë se Vuçiq po përgatit hakmarrjen e tij për vitet ’90
“Ashtu siç Putin akuzoi Perëndimin për rënien e Bashkimit Sovjetik dhe kaloi jetën e tij duke u përgatitur për hakmarrjen e 2022, Presidenti serb po përgatit hakmarrjen e tij për vitet ’90. Ai po pret vetëm momentin e duhur gjeopolitik”, ka thënë analistja.
Rreth një “hakmarrje” të mundshme të Putinit, për “Bota sot” kanë folur ekspertët e sigurisë të cilët thonë se
Retorika propaganduese e Vuçiq
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, thotë se Kosova është e sigurt dhe organet e sigurisë janë në vigjilencë, gatishmëri dhe kanë kapacitete.
Sipas tij, kërcënimet e Vuçiqit nuk do të ndalen as sot, as nesër.
“Republika e Kosovës është e sigurt dhe ka siguri si kurë më parë me organe profesionale. Organet tona të sigurisë mendoj se janë në vigjilencë, gatishmëri, dhe kanë kapacitete të plota për veprim24/7 në bashkërendim dhe bashkëpunim me aleatin e përjetshëm SHBA dhe partnerët strategjik ndërkombëtar.
Jemi të vetëdijshëm si popull për propagandën e tij, sepse ka qenë Ministër i propagandës në kohën e kasapit të Ballkanit Millosheviç. Kërcënimet e tij nuk ndalen as sot, as nesër, por është me rëndësi të theksohet se Kosova nuk është më e viteve të 90-ta, jemi shtet i pavarur dhe sovran”, shprehet Dashevci.
Tutje, sipas tij, vizita e drejtorit të CIA-s në Ballkan ka qenë vizita më e rëndësishme në aspektin e sigurisë.
“Fjalimin e tij në asamblenë e OKB e shohë si propagandë dhe vazhdimësi e luftës së tyre speciale dhe pa asnjë rrezik për Kosovën përpos se propagandë. Vizita e drejtorit të CIA në Ballkan ka qenë vizita më e rëndësishme sipas mendimit tim në aspektin e sigurisë. U ka tërhequr vërejtjen të gjithëve që paqja nuk ka alternativë. Vizita e tij në vendin tonë na qetëson dhe tregon se Kosova është e sigurt dhe ndjehet si e tillë pra e sigurt”, shton Dashevci.
Kritikohet diplomacia
Një fjalim i Vuçiqit në OKB, ende nuk është bërë publik në mediat shqiptare, ndërsa eksperti i sigurisë, Dritan Goxhaj, duke komentuar deklarimin e Stradner, thotë se ajo mund të hamendësoj.
Goxhaj nuk ka idenë pse ajo konsideron se mund të ketë hakmarrje, gjersa shton se ndërkombëtarët nuk mund të reagojnë për deklaratat e individëve që nuk përfaqësojnë një qëndrim zyrtar.
“Nuk kam parë ndonjë deklaratë të Vuçiqit, deri më tani që të hamendësoj këtë lëvizje ‘hakmarrje’. Nuk e kam idenë se çfarë koncepton z. Stradner dhe për çfarë arsye e konsideron të tillë. Unë mendoj se nuk mund të ketë reagime as ndërkombëtare, as kombëtare ndaj deklaratave e individëve që nuk përfaqësojnë një qëndrim zyrtar”, deklaron Goxhaj.
Ndryshe, ndaj fjalimit të presidentit Vuçiq, të mërkurën ka reaguar edhe ish-kryenegociatorja Edita Tahiri, ku sipas saj, dy shtetet shqiptare e lanë Vuçiqin të fliste çka deshi.
Ajo madje e konsideroi shqetësuese, duke thënë se diplomacia e pakoordinuar brenda shqiptare ka rënë.
“Dy shtete shqiptare e lanë Vuciqin të flasë çka deshi në Asamblenë e OKB-së - Rama foli për 'shtetin e tij bektashinje' se s'pati çfarë të prezantojë për të arriturat e Shqipërisë, Kosova si jo anëtare nuk ka mundur të flasë, por as nuk arriti të bëj ndonjë takim të lartë që t'ia dridh zërin Vuciqit; madje Osmani si presidente nuk arriti të takojë as sekretarin e shtetit amerikan, Kurti jo se jo se ka prishur marrëdhëniet me Amerikën - shqetësuese ku ka rënë diplomacia e pakoordinuar brenda shqiptare”, ka shkruar Tahiri.