Parashikon analisti/ Ja cila parti mund të dalë e para momentalisht

Politika

Parashikon analisti/ Ja cila parti mund të dalë e para momentalisht

Nga: N.E. Më: 26 shtator 2024 Në ora: 22:51
Ramush Haradinaj, Albin Kurti dhe Lumir Abidixhiku; foto ilustrim nga "Bota sot"

Zgjedhjet në Kosovë priten të mbahen në shkurt të vitit të ardhshëm, mirëpo tashmë fushata jo zyrtare ka filluar.

Përpos takimeve, premtimeve e deklarimeve, fushata pothuajse ka filluar edhe në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti i Vetëvendosjes, Visar Korenica, ka shfrytëzuar një hapësirë jashtë rendit të ditës për të ngritur çështjen e një nxënëse në shkollën “Bedri Pejani” në Pejë, të cilës i është ndaluar ndjekja e mësimit për shkak të bartjes së shamisë.

Ai iu drejtua kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që t’ia lejojnë asaj të drejtën për shkollim.

“Nuk kam ndonjë hapësirë tjetër për me marrë fjalën. Po du me ngrit një shqetësim aktual. Të njëjtin shqetësim e kam ngritur edhe vitin e kaluar dhe më vjen keq që ministrja e Arsimit s’është në Kuvend. Ka katër javë që një vajzë nuk po vijon procesin mësimor në Pejë dhe është e moshës madhore, i ka 18 vjet. Çdo dy-tri ditë paraqitet në shkollë dhe përjashtohet nga drejtori Musa Nikqi dhe nuk e kuptoj se sa e drejtë është që ne të qëndrojmë këtu si deputetë dhe ju si kuvendar në krye të Kuvendit, por edhe vetë ministrja e Arsimit dhe të mos merret me rastin dhe me i dhënë të drejtën vajzës me shku në shkollë. Ne e kemi këtë përgjegjësi kolektive edhe si deputetë edhe ju si kryetari i Kuvendit dhe s’ka kuptim me vazhdu me votimin dhe mos mu marrë dhe me trajtu këtë rast dhe me ia dhënë të drejtën për arsim. Pra, i çoj mesazh drejtpërdrejt ministres së Arsimit të merret me rastin dhe të mos lejojë që këto probleme çdo vit me u paraqit për një faj që ne e kemi trashëguar nga dikush tjetër që e ka vendosur një udhëzim administrativ diskriminues”, tha ai.

Por, Konjufca tha se meqë bashkëpartiaku iu drejtua, atij i duhet që t’ia tërheqë vërejtjen që doli jashtë rendit të ditës dhe i tha se fushata fillon në janar që të merret me “të gjitha problemet”.

“Unë si kryetar i Kuvendit, pra pasi po kërkon me qenë profesional duhet me ta tërheq vërejtjen që ishe ishe jashtë rendit të ditës. E para dhe besoj që fushata fillon nga 6-7 janari dhe e keni gjithë kohën e mjaftueshme m’i ngrit të gjitha problemet”.

Lidhur me parashikim sesi do të jetë fushata elektoriale dhe si mund të jetë renditja e partive në zgjedhjet e reja. Nëse opozita do të arrijë të rikthejë elektoriatin e vet apo do të vazhdojë të qëndrojë e ndëshkuar dhe si do të gjendet Lëvizja Vetëvendosje, ka folur analisti Blerim Canaj.

Canaj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të krijojë një stabilokraci në Kosovë.

Image
Blerim Canaj.

Por, sipas tij, qeveria që ka pasur mund ta dobësojë pozitën komode të LVV.

“Tanimë jemi në një situatë ku të gjitha partitë dalin të provuara dhe mund të them lirshëm, që nëse të gjitha partitë tjera kanë kaluar faza të shtetndërtimit dhe shtetformimit dhe iu atribuohet një sukses, ndoshta qeveria e LVV, e cila kishte edhe fuqinë apsolute, përpos populizmave, jo që do të mbahet mend për ndonjë sukses tjetër. Kjo me siguri që mund ta dobëson shumë është pozitën komode të LVV e cila ka arritur të krijojë një stabilokraci në Kosovë, stabilokraci e cila nuk shikohet mirë nga shtetet demokratike dhe nuk është i shëndetshëm për shtetet në ndërtim të demokracisë”, thotë Canaj.

Raportet në mes kryeministrit Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit thuhet se tashmë janë ftohur dhe kjo sipas Canajt mund të bartet në kosto të VV-së.

Ai konsideron se Vetëvendosja momentalisht mund të dalë e para, por nuk beson që mund ta ketë mundësinë që të qeverisë pa koalicion.

“Largimi i disa deputetëve, por edhe ftohja e marrëdhënieve e Kurtit me Vjosa Osmanin natyrisht që do të bartë votën në parti tjera ose do të pasivizojë votuesin. Pra, do jetë kosto për VV. Vetëvendosja momentalisht mund të dalë e para, por meqenëse po flitet për shumë afera që janë nën hetime, e që mund të bëhen publike do e dobësojë edhe më. Pra, më nuk e besoj që do ketë mundësinë që të qeverisë pa koalicion”, përfundon analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat