Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës për një kohë nuk do të jenë pjesë e trajnimeve ndërkombëtare të organizuara e mbështetura nga SHBA-ja, kështu raportohet në media tash e disa ditë.
Sipas raportimeve, krejt kjo është bërë si formë sanksionimi për veprimet e Qeverisë dhe Policisë në veri të Kosovës, kur mbylli komunat paralele serbe.
“Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, kishte paralajmëruar atë kohë Ambasada amerikane në Prishtinë.
“Bota sot” ka pyetur ambasadën për këto raportime, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës jo drejtpërdrejt ka mohuar raportimet për ndërprerje të trajnimeve nga SHBA.
Ata kanë bërë një reagim publik përmes të cilit kanë treguar për trajnimet e tyre.
“Në kuadër të Planit Zhvillimor Strategjik 2021-2025 një ndër objektivat e parapara është edhe ngritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore, përmes realizimit të trajnimeve të ndryshme brenda dhe jashtë institucionit, përfshirë trajnimet e ofruara nga partnerë të ndryshëm vendor e ndërkombëtar, ndër ta edhe partnerët kryesor strategjik siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Policia e Kosovës, që nga themelimi i saj e deri më sot ka realizuar trajnime të niveleve të ndryshme, në bashkëpunim me partneret e saj brenda dhe jashtë Kosove, trajnime këto të cilat nuk janë ndërpre në asnjë periudhë kohore, e të cilat vazhdojnë të realizohen edhe më tej”, ka thënë Policia në një reagim publik.
Madje, sipas këtij reagimi, thuhet se një nga përkrahësit dhe parterët kyç në ofrimin e trajnimeve brenda Policisë së Kosovës, por edhe të dërgimit të zyrtarëve për trajnim jashtë vendit, “ka qenë dhe vazhdon të mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët gjatë periudhës kohore të viteve 2022-2023-2024, e deri me tani kanë realizuar mbi 250 trajnime brenda dhe jashtë vendit, ku kanë marrë pjesë mbi 2.300 pjesëmarrës nga Policia e Kosovës, përfshirë edhe njësitet elite të PK-së”.
“Trajnimet e ofruara nga ShBA-ja kryesisht janë realizuar nga agjencionet si; OPDAT, ICITAP, DEA, ILEA, FBI, QENDRA GEORGE MARSHALL, ATA, KFOR-i-në Amerikan, etj., trajnime këto në të cilat kanë qenë të përfshira edhe njësitet speciale të PK-se, ku në vitin 2024 ka pasur rritje të trajnimeve të ofruara nga ShBA-ja për këto njësi”, ka thënë PK-ja.
Analist e ekspert sigurie kanë folur për “Bota sot” rreth këtyre raportimeve, që sipas tyre, nëse janë të sakta atëherë përbën shqetësim dhe lajm të keq.
Zogaj: Ky është lajm i keq
Analisti Skënder Zogaj, thotë se nëse raportimet janë të sakta atëherë është tepër keq, sepse ky është një viktimizim i kotë që po ndodh pa meritueshëm.
Sipas tij, SHBA ka filluar me sanksione të vogla, por ka frikë se mund të shtohen.
“Nëse është i saktë raporti i disa mediave se Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës për një kohë nuk do të jenë pjesë e trajnimeve ndërkombëtare të organizuara e të mbështetura nga SHBA, ky është lajm i keq, madje tepër keq, sepse, ky është një viktimizim i kotë që po na ndodh pa meritueshëm e mbase edhe nga mendjelehtësia, sepse ka të bëjë me mikun tonë çlirimtar, SHBA-të, që, ia ka nisur me sanksione të vogla, që kam frikë se, nëse nuk u kushtojmë kujdes dhe konsideratën e duhur, presioni mund të shtohen e të rëndohen!”, shprehet analisti.
Tutje, ai mendon se serbët kanë të drejta ashtu siç u ka garantuar shteti, por ata i keqpërdorin
“Të drejtat e serbëve në Kosovë nuk është e vërtetë se kanë të drejta më shumë se secili komunitete në Kosovë, por kanë të drejta të plota që shteti i Kosovës ua ka garantuar me Kushtetutë duke menduar se i meritojnë! Keqpërdorimi i të drejtave nga serbët është çështje tjetër, që po ashtu është e vërtetuar nga vet ndërkombëtarët! Pra, në këtë planë gjithçka është e qartë! Kosova për këto standarde e ka arritur lirinë dhe pavarësinë shtetërore! Tash nuk ka pse flet, por duhet të punojë dhe të vazhdojë ta sintetizojë pavarësinë me arritje konkrete! Serbia është armiku i Kosovës!”, pohon Zogaj.
Ai ka kritikuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjersa shton se ai nuk mund t’i bind ndërkombëtarët të ndryshojnë strategjinë në rajon.
“Aleksandar Vuçiqi është një kriminel ordiner në shërbim të terrorizmit. Kufirin e ka nën mbrojtje KFOR-i, ndërsa institucionet dhe gjithë populli i Kosovës duhet të ndajnë nga buka e gojës për t'u përgatitur në rast të ndonjë agresioni të mundshëm, nëse armiku e thyen kufirin dhe futet në Kosovë, i madh e i vogël jemi me NATO-n, ani që ende nuk jemi anëtarësuar formalisht. Sa i përket manovrave të Vuçiqit, nuk mendoj se i ka bindur dhe as që mund t'i bind ndërkombëtarët për ta ndryshuar strategjinë në rajon. Vuçiqi është duke e luajtur rolin e sherr budallait, sepse në Ukrainë po gjëmojnë projektligj. Vuçiqi është si puna e gomarit që po e hante ujku, e ai po shpresonte se ishte në ëndërr!”, shton analisti.
Elezi: Kosova po degradon sa i përket bashkëpunimit me SHBA
Kurse, eksperti i sigurisë Bedri Elezi, raportimet i konsideron shqetësuese.
Ai përmend tri arsye që sipas tij, ndërprerja e trajnimeve është shqetësim.
“Informacionet në lidhje me vendimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, apo përkatësisht institucioneve të sigurisë në SHBA për bashkëpunimin e Policisë së Kosovës, ku ën të kaluarën Policia e Kosovës ka kryer trajnime të ndryshme në agjencitë e sigurisë apo institucionet e ndryshme në SHBA, informacione të cilat akoma nuk janë të konfirmuara, janë vërtet shqetësuese për tri arsye: e para se policia e Kosovës, sidomos rekrutët e startit të ri do të kenë të pamundur të përfitojnë nga përvoja për trajnimet që organizoheshin në të kaluarën nga SHBA, nga agjencitë e ndryshme apo institucionet e ndryshme në SHBA, posaçërisht FBI, e dyta, çështja e bashkëpunimit të institucioneve të zbatimit të ligjit të Kosovës me ata të SHBA-së kur dihet se këta të fundit janë ndër institucionet më të veçanta, apo më të përgatitura në procese që kanë të bëjnë me zhvillimin e institucioneve të zbatimit të ligjit e posaçërisht të Policisë së Kosovës si një organ që vepron në kuadër të detyrave për zbatimin e ligjit të Kosovës dhe çështja që është po ashtu e rëndësishme se Kosova do të ketë një marrëdhënie të konfortuara apo një bashkëpunim jo të pritur me shtetin kryesor SHBA që garanton siguri, zbatim ligji dhe gatishmëri në gjithë Ballkanin”, deklaron Elezi.
Ai thotë se do të ketë një vakuum serioz në përgatitjen e kapaciteteve profesionale.
“Duke marrë në konsideratë programet që ka pasur SHBA në Kosovë për mbështetjen e strukturave të sigurisë në këtë rast edhe policisë së Kosovës do të themi se një vakuum serioz në përgatitjen e kapaciteteve profesionale pasi që SHBA ka vendosur që të shkëpus apo të pezullojë marrëdhëniet e institucioneve të sigurisë në këtë rast Policisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, posaçërisht me trajnimet që kanë pasur.
Rezolutë e të gjithave këto që kam thënë, mund të themi se Kosova po degradon sa i përket bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe njëkohësisht po humb nga mundësia që do të kishte për trajnime profesionale të institucioneve të sigurisë, posaçërisht nga FBI që mund të themi se ka përgatitur këto situata”, përfundon Elezi.
Ndryshe, Ambasada e SHBA-ve pas raportimeve se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sanksionuar Policinë e Kosovës ka thënë për mediet vendore se nuk është marrë asnjë vendim për momentin, por sipas tyre qëndron ajo se çfarë është thënë në muajin gusht.
“Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj. Ne jemi duke vazhduar shqyrtimin e çështjes dhe nuk kemi marrë asnjë vendim për momentin”, thuhet në Përgjigjen e Ambasadës.