“Mos urinoni në klubin ku doni të hyni”, analistët zbardhin prapaskenat: Ja çka fshihet pas deklaratës eksplicite të Hovenier!

Politika

“Mos urinoni në klubin ku doni të hyni”, analistët zbardhin prapaskenat: Ja çka fshihet pas deklaratës eksplicite të Hovenier!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 28 shtator 2024 Në ora: 16:07
Jeffrey Hovenier

Së fundi, raportet Kosovë-SHBA janë komentuar mjaft shumë. Ka pasur deklarime dhe komente të ndryshme sa i përket kësaj çështje.

Mirëpo, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ditë më parë, befasoi të gjithë me një deklaratë të tij.

SI fillim, ai theksoi se për të arritur anëtarësimin e plotë në NATO dhe BE, Kosova duhet të sigurojë miratimin e të gjitha vendeve anëtare.

Nuk e shoh se si mund të bëhesh anëtar i plotë i NATO-s pa miratimin e të gjithë anëtarëve të NATO-s”, ka thënë Hovenier në Samitin e Kosovës për Paqe dhe Demokraci.

Krahas kësaj, ambasadori amerikan tha se disa nga këto vende ende nuk e kanë njohur zyrtarisht realitetin e një Kosove sovrane, të pavarur dhe demokratike, dhe se është e rëndësishme që Kosova t’i bindë ato.

Ju duhet t’i bindni ata. Ne duam të ndihmojmë, por kjo do të thotë të punojmë në procesin e vendosur nga institucionet përkatëse”, shtoi ai.

Në një deklaratë të mëtejshme, Hovenier përmendi një shprehje të gjyshit të tij, duke ilustruar rëndësinë e qasjes së kujdesshme në proceset diplomatike.

Nëse dëshiron të bashkohesh në një klub, mos urino te dera e klubit.”

Kjo shprehje, nxiti reagime të shumta, që kundërshtarët politikë të kryeministrit e qeverisë Kurti, e përdorën për ta kritikuar këtë të fundit për prishje të marrëdhënieve me një aleat, siç është SHBA.

Xani: Konsideroj që më herët kishte tendenca, kishte kërkesa të përmbajtura etike drejtuar Qeverisë së Kosovës nga SHBA dhe ambasada Amerikane

E për këtë çështje, në një bashkëbisedim për “Bota sot” foli analisti politik, Visar Xani.

Image
Visar Xani

Së pari, ai u shpreh se ky mesazh i ambasadorit amerikan mund të kuptohet në dy aspektet, që njëra ka të bëj me mungesë të etikës diplomatike e tjetra me mungesë respekti ndaj palës që drejton.

Në këtë rast, tha se kishte një paralajmërim për qeverinë dhe qytetarët e Kosovës.

Në dimension diplomatik ka të bëj me dy pika kyçe që kanë të bëjnë: e para me mungesën e etikës diplomatike, që nuk besoj që në këtë rast që ka qenë qëllim aty dhe e dyta mungesa e respektit ndaj palës që ia drejton. Kjo e dyta besoj që qëndron më shumë, për shkak se ambasadori amerikan e ka zgjedhur këtë mesazh për të paralajmëruar Qeveria e Kosovës, por në një farë mënyre edhe për t'u treguar qytetarëve të Kosovës se raportet mes Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë në harmoni dhe kanë probleme koordinuese-strategjike, të cilat pastaj na dalin edhe me deklarata të tilla”, shpjegoi ai.

Po ashtu, analisti potencoi se në të kaluarën kishte kërkesa më të përmbajtura etike, por që supozoi se shpërfilljet që iu janë bërë atyre, e kanë shtyrë Hovenierin të eskalojë me gjuhë diplomatike.

Në këtë rast, ai kujtoi edhe kur në vitin 2014, ambasadorja amerikane ua dha një mesazh të ngjashëm partive politike që ishin në qeveri.

Pra, nga ky aspekt konsideroj që më herët kishte tendenca, kishte kërkesa të përmbajtura etike drejtuar Qeverisë së Kosovës nga SHBA dhe ambasada Amerikane, por me gjasë ato nuk janë përfillur dhe kjo ka ndikuar pra për të eskaluar kjo gjuha diplomatike, një farë mënyre për ta thyer edhe etikën diplomatike dhe për të dhënë një mesazh i cili mund të jetë mbase jo shumë me gjuhë të përshtatshme, por i gjithë qëllimi ka qenë pra politik, për të drejtuar ose për t'i hapur në njëfarë mënyre sytë qytetarëve se raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë në nivel jashtëzakonisht të pakënaqshëm.

Duhet pasur parasysh se edhe ambasadorja amerikane në kohën, 2014 kishte një mesazh të ngjashëm, ku kishte të bënte për korrupsionin, pra atyre partive që ia drejtoi mesazhin në atë kohë, pothuajse nuk i kemi pa më në qeveri asnjëherë. Prandaj, mesazhet e tilla duhet të kuptohen në aspekt politik dhe diplomatik dhe jo si gjuhë ose lëshim etik”, përfundoi Visar Xani për “Bota sot”.

Qarri: Deklaratën e Hovenier nuk e shoh si paralajmërim serioz dhe as nuk mendoj që mund t’i dëmtojë raportet Kosovë-SHBA

Image
Gani Qarri

Kurse, analisti politik, Gani Qarri fillimisht kërkoi nga Amerika që të merret me Serbinë, e cila tash e një kohë po bllokon proceset integruese të Kosovës, ku në këtë pikë përmendi letrën e Bërnabiqit.

Sipas tij, Hovenier dhe QUINT, marrë parasysh gjithë zhvillimet, duhet ta dijnë se me kritika "fjala-mujtëse" dhe bllokimin e urave në Kosovë, nuk mund të arrihet normalizimi i raporteve me Serbinë

Fillimisht para se ta "shigjetojë" me "metafora" e aludime Kosovën,  vet ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier dhe SHBA, duhet të kërkojnë nga Serbia tërheqjen e letrës së Bërnabiqit e cila, po bëhet gati një vit që e ka bllokuar tërësisht edhe dialogun ndërmjet të dy vendeve, si dhe ta detyrojnë Aleksandër Vuçiqin për nënshkrimin urgjent të Marrëveshjes së Brukselit, në mënyrë që jo vetëm Kosova, por edhe Serbia, të mos mund tu ikën obligimeve të dala nga dialogu, kur dihet mirëfilli se është Serbia ajo, që është tërhequr nga Marrëveshja e Ohrit, me letrën e dërguar dhjetorin e vitit të kaluar, nga ish kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, BE-së në Bruksel, nëse nuk kanë qëllime tjera, përndryshe Hovenier dhe ambasadorët e QUINT-it, duhet ta dinë, se me kritika "fjala-mujtëse" dhe bllokimin e urave në Kosovë, nuk mund të arrihet normalizimi i raporteve me Serbinë!

Ç` është e vërteta, askush dhe në asnjë moment nuk e ka thënë, qoftë edhe njëherë të vetme zyrtarisht nga Kosova, se paska rrugë tjetër përveç dialogut, por edhe shtetet e QUINT-it si dhe vet përfaqësuesit e SHBA-së, e dinë shumë më mirë, se vet ne, që veprimet e dy viteve të fundit të Qeverisë në veri të vendit tonë, janë vetëm zbatim i marrëveshjeve të nënshkruara nga të dy palët, shumë vite më parë”.

Krahas kësaj, Qarri u shpreh kritikë ndaj ndërkombëtarëve edhe për qasjen e tyre ndaj hapjes së urës së Ibrit, derisa dha disa këndvështrime për këtë çështje.

Madje edhe marrëveshje me Serbinë në Bruksel, për hapjen e Urës së lumit Ibër në Mitrovicë, është nënshkruar disa vite më parë, por miqtë tanë më të fuqishëm evropian dhe amerikanë, mbajnë atë me forcë të bllokuar dhe nuk lejojnë hapjen e saj, pa dhënë asnjë arsyetim bindës dhe vetëm pse kanë mundësi ta bëjnë këtë akt të pahijshëm dhe aspak serioz për fuqi të tilla të mëdha, akt që ndodhë vetëm në Kosove dhe askund tjetër në botë.

Edhe ne si qytetarë të thjeshtë, e dimë tanimë, se përkundër marrëveshjes së fundit në Bruksel dhe Ohër, e cila, për shkak të refuzimit të Serbisë, akoma nuk ka mundur të nënshkruhet nga asnjëra palë, marrëveshjet e zbatuara në veri nga shteti i Kosovës, ishin të nënshkruara, para shumë vitesh nga të dyja palët me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të cilat edhe në bazë të ligjit dhe Kushtetutës së vendit, Kosova obligohet ti zbatojë në territorin e saj, përndryshe çfarë kuptimi ka të arrihen dhe nënshkruhen marrëveshje, nëse nga ambasadorët e QUINT-it dhe ai i SHBA-së, nuk lejohet zbatimi i tyre!”, theksoi ai.

Në vazhdim, analisti ia kujtoi Hovenierit edhe sulmin terrorist në Banjskë, derisa tha se akuza ndaj Kosovës, kinse urinon para derës së klubit, është për të kamufluar mos angazhimin, mosndërmarrjen e çfarëdo mase ndëshkuese ndaj Radoiçiqit e Serbisë.

Shto kësaj argumentin e dhembshëm se edhe një vit pas sulmit të grupi terrorist serb, në krye me kryekriminelin Millan Radojçiq, të cilët të armatosur deri në dhëmbë, u futën nga Serbia në Kosovë dhe kryen agresion territorial, kundër vendit tonë, duke vrarë në pritë edhe policin, tani hero i Kosovës, Afrim Bunjaku, krye terroristi Radojçiq & Co, nga ajo ditë e deri më sot, vazhdojnë të jetojnë të lirë në Serbi, por  fatkeqësisht si ambasadori Hill edhe z. Howenier në vend se të kërkojnë nxjerrjen e vrasësve të vëllezërve Bytyqi, që ishin edhe shtetas amerikan, të masakruar barbarisht qysh para mese 25 vitesh, si dhe terroristëve serb të rastit të Banjës, para drejtësisë, marrin guximin të akuzojnë Kosovës, se ajo po urinon para derës së klubit, për të kamufluar mos angazhimin, mosndërmarrjen as propozimin e tyre, për çfarëdo mase ndëshkuese ndaj Radojçiqit, Serbisë hegjemoniste dhe kriminelit Vuçiq, i cili  përveç Kosovës dhe Malit të Zi, në vijimësi destabilizon edhe Bosnjën”.

Më tej, ai hodhi edhe disa dyshime mbi qasjen e BE dhe SHBA, e për të cilat kishte edhe një mesazh.

“Për rrjedhojë edhe shprehja e ambasadorit Hovenier se nëse dëshiron t’i bashkohesh një klubi, mos urino në derën e klubit ku do të hysh”, nuk di si mund të kuptohet a të shpjegohet, këtë le ta thotë ai vet, por unë e di mirë se me klubin që zotëria e tij-përmend, po që se mendon për BE-në, apo NATO-n, atëherë është në rregull, sepse Kosova edhe dëshiron të bëhet pjesë e tyre, në të kundërtën, nëse edhe vetëm rastësisht, ai aludon në Serbinë, apo ndonjë lloj të ashtuquajture "Jugosllavie të re", si pjesë e dakordimeve nën tavolinë të vendeve të QUINT-it dhe ambasadorëve të SHBA-së, Hill-Hovenier me Vuçiqin, duhet ta dinë mirë, se Kosova ka urinu moti, jo para dere, por mu në të, dhe nuk do të pranojë më kurrë, e për asnjë çmim, të hyjë as bëhet pjesë e asnjë konstrukti serbosllav!

Për fund, shtoi se deklaratën e Hovenier nuk e sheh si paralajmërim serioz dhe as nuk mendoj që mund t’i dëmtoj raportet Kosovë-SHBA, të cilat nuk janë krijuar brenda dite, e as nuk përfundojnë me një deklaratë të ambasadorit.

Dhe për fund, unë shpresojë, po ashtu shumë se me zgjedhjet e reja në SHBA, cilido nga kandidatët që do t’i fitojnë ato, pritet të ndryshojë shumëçka, përfshi edhe përfaqësimin e SHBA-së në Kosovë dhe Serbi, ku Hovenier e ndoshta dhe Hill, si përfaqësues të përkohshëm, njëjtë si Eskobari, nesër mund të mos jenë më ambasador në Ballkan, ndërsa synimet e Kosovës për anëtarësim në organizatat euro-atlantike, janë dhe mbeten përpjekje afatgjata që do të vazhdojnë dhe avancohen edhe më tepër në të ardhmen, andaj deklaratën e tij, nuk e shoh si paralajmërim serioz dhe as nuk mendoj që mund t’i dëmtojë raportet Kosovë-SHBA, të cilat nuk janë krijuar brenda dite, as nuk mund të përfundojnë me deklaratat e një apo dy ambasadorëve, që përkohësisht gjejnë mikpritje në vendin tonë, për të cilin, nuk është e lëvdueshme as për ata, të tregojnë vetëm muskujt, por edhe të tregojnë sado pak respekt!” – përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat